Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Shën Domeniku Guzman Shën Domeniku Guzman 

Shën Domenik Guzman, meshtar, themelues i Urdhërit të Predikatarëve

Kisha Katolike i kujton ditën e lindjes shën Domenikut Guzman, themeluesit të Urdhërit të rëndësishëm të Predikatarëve, që kremtohet sot.

R.SH. - Vatikan

Të flasë me Jezu Krishtin, ose të flasë për Jezu Krishtin, asgjë tjetër. Ky është thelbi i të krishterit, gati-gati një ideal i paarritshëm. Në të vërtetë, historia njeh një person, që e jetoi mrekullisht këtë ideal, gjatë 51 vjetëve të jetës së tij. Person i rëndësishëm për Kishën, për të cilin, ashtu si për shën Françeskun e Asizit, bashkëkohësin e vet, mund të thuhet se e ndau kohën më dysh: para e pas tij. Ky shenjt i madh është shën Domeniku apo Deda Guzman.

Dy predikatarët

         Jemi në Caleruega, fshat malor në Kastiljen e vjetër. Është viti 1170 kur nis historia e Domenikut. Në familje, një ungj i tij është meshtar e kështu, Ungjilli bëhet për fëmijën e më pas për adoleshentin, bukë e përditshme. Në moshën 24 vjeçare, natyrshëm, zgjedh rrugën e meshtarisë. Domeniku shkon të shërbejë në katedralen e Osmës, pasi kështu dëshiron ipeshkvi, Diego, i cili e merr me vete në mision, në Danimarkë. Kur mbërrijnë pranë Tuluzës, shohin si po përhapet herezia e katarëve, njerëz të bindur se Jezusi është njeri, por jo Zot. Urgjenca për të folur, për të shpjeguar e për të dëshmuar fenë i bind që të dy se misioni i tyre duhej të ishte predikimi ndër paganët. Në vitin 1206 shkojnë t’ia kërkojnë këtë leje Papës.

Njeriu i takimit

         Inoçenci III është dakord për misionin, por jo edhe për objektivin e tij: paganët. Ati i Shenjtë u kërkon të kthehen në Francë për t’u bërë ballë albigjezëve – emër tjetër i katarëve – e për ta çrrënjosur herezinë. Pak pas kthimit, ipeshkvi, Diego, vdes e Domeniku vijon, i vetëm, predikimin plot pasion kundër herezisë. Takon njerëz, i këshillon, bën debate publike e private, pa e pompuar veten si ndonjë dijetar i madh, por duke u sjellë plot dashuri e afërsi me të gjithë. Është vështrimi i tij, koherenca ndërmjet fjalëve e veprave, qëndrimi, që zgjojnë respekt e simpati, duke e zvogëluar distancën me kundërshtarët. Kalojnë vite me impenjime të tilla e pastaj, më 1215, skenari ndryshon.

I ëmbël si nëna, i fortë si diamanti

         Atë vit mbahet në Romë Koncili IV Lateranens e Domeniku merr pjesë në të, së bashku me ipeshkvin e Tuluzës, imzot Folko. Është rasti i përshtatshëm për t’i paraqitur Papës Onori III projektin, që tashmë, kishte marrë formë. Prej kohësh, të mahnitur nga impenjimi i tij, shumë vetë janë bashkuar me Domenikun nga të gjitha anët e Evropës e mjaft prej tyre janë të rinj të talentuar. Më 22 dhjetor 1217 arrin miratimi: Onori III është dakord që të lindë “Urdhëri i Fretërve Predikatarë”. Atë, që ndodhi më pas, sot, do ta kishim krahasuar me shpërthimin e një bombe: me shpejtësi, “domenikanët” përhapen kudo, duke kumtuar Ungjillin me stilin e tyre plot pasion. Për Domenikun Guzman është etapa e fundit e jetës. Vdes më 6 gusht 1221, i rrethuar nga fretërit e kuvendit të tij të dashur në Bolonjë të Italisë. Vetëm 13 vjet më vonë, Papa Gregori IX, i cili e kishte njohur personalisht, e shpall shenjtor. Nga malet e Kastiljes lartohet kështu, në nderimet e altarit, njeriu që, siç thoshte sivëllau i tij i madh Lacordaire*, qe “i ëmbël si nëna, i fortë si diamanti”.

* Jean-Baptiste Henri Lacordaire ka qenë rregulltar, gazetar e politikan francez. Qe njëri nga eksponentët më të rëndësishëm të katolicizimit liberal të ‘800-ës. Rithemeloi urdhërin domenikan në Francë, pasi u shtyp më 1790.

08 gusht 2018, 09:00