Përshpirtëria si provokim: tema e Simpoziumit XV ndërkristian
R.SH. - Vatikan
“Përshpirtëria si provokim për botën e sotme”: kjo është tema e Simpoziumit XV Ndërkristian, që u hap dje në Asizi e do të përfundojë nesër, 30 gusht. Nisma, që mbahet çdo dy vjet, është organizuar nga Instituti Françeskan i Përshpirtërisë dhe nga Instituti i Studimeve Ekumenike “Shën Bernardini”në Universitetin Papnor Antonianum, në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë së Universitetit Aristoteli në Selanik të Greqisë.
Sot vlen dëshmia e jetës
Relacionet mbahen nga studiues katolikë dhe ortodoksë, ardhur nga Italia e Greqia. Ipeshkvi katolik i Korfuzit, imzot Ioannis Spiteris, ndër organizatorët e Simpoziumit, hapi punimet me një kumtesë me titull: “Të krishterët e sotëm në një botë të shekullarizuar”. Në mikrofonin e Vatican News, vetë imzot Spiteris nënvizon se shoqëria e sotme është gjithnjë e më e çkristianizuar, të rinjtë largohen nga feja dhe shtetet promovojnë ligje, në kundërshtim me moralin e krishterë. Ja pse, sot më shumë se kurrë, vlen ta dëshmojmë Krishtin me një jetë, që u qëndron besnike urdhërimeve të Tënzot, pavarësisht se besimtarët duket sikur janë pakicë.
Filli, që përshkon Simpoziumin: provokimi
Të shumta, temat, për të cilat po flitet këto tri ditë, të gjitha të lidhura me një fill të përbashkët: provokimi, që shtron pyetje para jo besimtarëve. “Pak besojnë sot se mund t’u qëndrojmë besnikë urdhërimeve të Tënzot – nënvizon imzot Spiteris. – Flitet gjithnjë për interesa politike dhe ekonomike. Nëse ndokush bën kushtin e varfërisë, si për shembull, në jetën murgare, kjo tingëllon si provokim… Ishte një atë shpirtëror, një kapuçin, që i këshillonte sivëllezërit: ‘Ecni në rrugë me veshjen murgare, sepse njerëzit, kur i shohin rregulltarët me veshjen e tyre, thonë: ‘O ky është i marrë, o Zoti ekziston vërtet’. Dikush, që jeton ndryshe nga të tjerët, mund të thuhet se i jep ‘një shuplakë’ atyre, që nuk besojnë. Në kumtesë përmenda shembullin e Shën Françeskut, kur e pyetën: ç’duhet bërë për ta kthyer njeriun kah Zoti? U përgjigj: duhet të jesh shenjt. Pra, të jemi koherentë me fenë tonë, të mos kemi jetë me dy fytyra: tjetër themi e tjetër jetojmë…”.
Shkanduj, por edhe shembuj koherence
Sot, ka përpjekje për ta diskredituar Kishën, në mënyra të ndryshme, vijon ipeshkvi i Korfuzit, madje, edhe nga brenda Kishës. “Unë jam në Greqi – thotë imzot Spiteris – e sa herë dëgjohet për ndonjë shkandull, gazetat, televizionet, përpiqen ta diskreditojnë Kishën. Por kur dëgjuan se ata emigrantët, që s’i do kush, i mori përsipër Konferenca Ipeshkvnore Italiane, edhe këtë e paraqitën në faqet e para e ishte dëshmi shumë e bukur”.
Të pasurohemi nga traditat e njëri-tjetrit
Simpoziumet ndërkristiane, organizuar në Itali e Greqi, janë nismë për konfrontimin teologjik e kulturor të katolikëve me ortodoksët. Bëjnë pjesë në nismat ekumenike në nivel akademik, qëllimi kryesor i të cilave është njohja me bukurinë e traditave të njëri-tjetrit. “Kuvendet tona – përfundon imzot Spiteris – nuk kanë si qëllim të shohin ndryshimet teologjike, por bazohen mbi përshpirtërinë e, përshpirtëria është e përbashkët. Përkundrazi, përpiqemi të kuptojmë si mund të pasurojnë njëra-tjetrën traditat tona, si ta integrojmë traditën tonë me atë të vëllezërve ortodoksë. Ky është ekumenizmi i vërtetë”.