Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 Shtegtim i të rinjve "Nëpër mijëra rrugë" Shtegtim i të rinjve "Nëpër mijëra rrugë" 

Një ditë me Kishën e botën

Ditë e pasur me emocione dhe raste reflektimi, nga Italia, ku të rinjtë në shtegtim presin të takohen me Papën, në Japoni, Meksikë, Irak… e deri në Irlandën, që përgatitet për Takimin botëror të familjeve.

R. SH. - Vatikan

Itali: Në prag të takimit me Papën. Ditë e pasur me emocione dhe raste reflektimi, për më se dymijë e pesëqind djem e vajza - skaut, grupe e shoqata nga të gjitha dioqezat e Piemontit e të Valle d’Aost-ës, të cilët nesër, 10 gusht, do të ndalen para Sindonës, ekspozuar në Katedrale vetëm për ndonjë orë e vetëm për ta, si shenjë dashurie, që shëlbon e jep shpresë. Do të bashkohen, pastaj, për udhë, me shokë të tjerë, të nisur nga të katër anët e Italisë, drejt pikës së shumëdëshiruar, Romës, për t’u takuar me Papën Françesku, në përgatitje të Sinodit të ipeshkvijve, që u kushtohet pikërisht atyre, këtë vjeshtë.  Ndërkaq 190 të rinj e të reja janë në shtegtim drejt Romës, të nisur nga dioqeza e Salentos (Brindisi, Lecce, Nardò- Gallipoli, Ugento-Santa Maria di Leuca). E një grup tjetër prej 400 të rinjsh italianë e të huaj shtegton nga Pulia, drejt Cirkut Massimo e Sheshit të Shën Pjetrit, që ka hapur krahët prej shtyllash për t’i pritur, të dielën e ardhshme.

Në St. Radegund të Austrisë, dioqeza e Linz, përkujtohet 75-vjetori i martirizmit të Franz Jägerstätter, laik i lum (1907-1943), dënuar me vdekje nga nazistët pas kundërshtimit për arsye të ndërgjegjes dhe kritikave të ashpra kundër nacional-socializmit. Kremtimet organizohen nga dioqeza e Linz, në bashkëpunim me Pax Christi Austria.

Kisha katolike në Japoni organizoi përsëri nismën “Ten Days for Peace” - “Dhjetë ditë për paqen”. Dhjetë ditë, për të përkujtuar ditët e tmerrshme të bombardimeve atomike mbi Hiroshimën e Nagasakin, më 6 e 9 gusht 1945. Nisma lindi pas thirrjes së Gjon Palit II për pajtim, pikërisht në Hiroshimë, më 25 shkurt 1981 e vijon, në vise ku rreziku atomik është përsëri aktual e paqja, tejet e kërcënuar.

“Konfliktet rajonale,terrorizmi, armët bërthamore, problemet e refugjatëve, format e ndryshme të diskriminimit, pabarazitë ekonomike, vijojnë ta kërcënojnë paqen në mbarë botën”. Këtë pohon në mesazhin përkujtimor ipeshkvi i Nagasakit, Joseph Mitsuaki Takami, kryetar i Konferencës ipeshkvnore japoneze.  

Në Meksikë nisi manifestimi “Lulet e paqes”, me rastin e përurimit të punimeve në pikën e rrezikshme të kufirit ndërmjet SHBA e Ciudad Juárez, që njihet si “Qyteti i së keqes” e sintezë e të gjitha plagëve të Meksikës. Manifestimi, në të cilin merr pjesë edhe Kisha katolike, është simbol i përpjekjes për t’i dhënë fund krimit, dhunës e problemeve të mprehta që kanë lindur pikërisht në këtë pikë kufitare.

Në Irak thellohet bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Jashtme dhe Selisë së Shenjtë, për të frenuar ikjen e të krishterëve nga Lindja e Mesme.

Argjentina vijon t’i kundërvihet abortit, duke e deklaruar ilegal. Senati hodhi poshtë, me 38 vota kundër e 31 në favor, projekt ligjin për ndërprerjen vullnetare të shtatzanisë.

Në Egjipt, gjatë hetimeve për vrasjen e ipeshkvit Epifani, janë pyetur më se 400 vetë. Përveç murgjërve, u thirrën edhe punëtorë, bujq  e njerëz të ndryshëm, që frekuentojnë zakonisht manastirin e Shën Makarios, ku u gjend i vdekur abati. Çështja vijon…

Irlanda në ethet e përgatitjeve për 25 e 26 gushtin, kur këtu, rreth Papës  Françesku, do të mblidhen përfaqësuesit e familjeve të mbarë botës. Nësa kanë kaluar 39 vjet nga Shtegtimi i parë e i vetëm papnor në  këtë vend, që në të kaluarën, u shqua “si komb shumë katolik e tepër i dashur për Papët”, që luajti një rol parësor në ungjillëzimin e mbarë Evropës.

09 gusht 2018, 14:45