Cerca

Vatican News
 Nikaragua: populli në procesion Nikaragua: populli në procesion  (AFP or licensors)

Nikaragua: Kisha, pranë popullit, denocon padrejtësitë

Në një çast të ngarkuar me ndeshje, padrejtësi e dhimbje të mëdha, Kisha në Nikaragua mbetet gjithnjë përkrah popullit. Vijon, ndërkaq, dyndja e civilëve drejt Kosta Rikas.

R. SH. - Vatikan

Të nesërmën e intervistës dhënë Euronews nga presidenti i Nikaraguas, Daniel Ortega, në të cilën i quajti “terroristë” të gjithë ata, që protestojnë kundër qeverisë, ipeshkvi-ndihmës i kryedioqezës së  Managuas, imzot  Silvio Báez, denoncon “kriminalizimin e së drejtës për të manifestuar”. Organizma të ndryshme  humanitare kombëtare e ndërkombëtare iu kundërvunë të dhënave të Ortegës lidhur me numrin e viktimave. Sipas autoriteteve shtetërore,  numri i të vdekurve  që nga shpërthimi i protestave, në prill, është 195. Ndërsa sipas burimeve të pavaruara, viktimat janë më se 450. Gjatë intervistës, Ortega deklaroi edhe se paraushtarakët e armatosur,  q           ë ndërhynë gjatë protestave, bëjnë pjesë në atë, të cilën diktatori e quajti “policia vullnetare”. Deshi, kështu, të bindte opioninin publik botëror, pa pyetur fare për gjakun e të vetëve, që vijon të skuqë udhët e vendit, ku Ortega synon të sundojë me çdo kusht.

Paqja nuk imponohet me plumb ballit!

Paqja shoqërore - pohon Báez - nuk mund të imponohet me forcën e fishekëve, të frikës, keqtrajtimeve, burgosjeve, gjyqeve të padrejta. Komisioni ndëramerikan   dhe Komisariati i Lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut, e akuzuan qeverinë e Nikaraguas edhe “për vrasje, ekzekutime pa gjyq, keqpërdorime, akte të mundshme torture e burgosje pa faj”. Të gjitha akuzat u hodhën poshtë nga Ortega. Ndërkaq vijon dyndja e civilëve nikaraguanë, që ikin për të shpëtuar nga dhuna dhe shkelja e rëndë e të drejtave të njeriut,  tashmë fakt i pamohueshëm në shtetin qendramerikan. Sipas të dhënave të fundit të OKB-së, më se 232 mijë banorë të Nikaraguas kanë ikur në Kosta Rika, që në fillim të prillit.

Nikaragua: Kisha persekutohet, por shtypja e forcon fenë dhe e bashkon popullin

Në Nikaragua, ndërkaq, vijojnë kremtimet për nder të Shën Domenico di Guzmán. Sivjet, në vend të fishekzjarreve të zakonshme, sipas kërkesës së  ipeshkvijve të Nikaraguas, janë rruzaret, që i “shndrisin” çastet më të rëndësishme të kësaj feste, e cila do të përfundojë më 10 gusht. Gjatë meshëve shenjte, kryesuar, të martën e kaluar, kryeipeshkvi i Managuas, kardinali Lepoldo Brenes, theksoi një nga objektivat e Kishës: të forcojë fenë në këtë çast të vështirë, plot kontradikta e dhimbje për vdekjen e qindra njerëzve. Prelati i lartë kujtoi edhe nevojën për të mbetur gjithnjë të bashkuar. E është e rëndësishme - vijoi kardinali Brenes -  të vijojmë dialogun e mirëfilltë.

Shpresa e vërtetë,  Jezusi

Gjithnjë të martën e kaluar, famullitari i kishës së Shën Dedës Guzman, atë Boanarges Carballo, falënderoi kardinalin, ipeshkvijtë, meshtarët dhe rregulltarët për angazhimin në shërbim të paqes. Shpresa jonë e vetme - pohoi atë Carballo - është prania e Krishtit në zemrën e secilit nga ne. Jezusi - shtoi - erdhi ta shkatërrojë këtë situatë, që mund të na ndajë, sepse një popull i përçarë shkon drejt humbjes së sigurt. Uroj që vendi - pohoi – të mos përçahet.

Lutje edhe në Asizi

Edhe nga Porciunkola, nga Asizi, prej nga në shekullin e kaluar u nisën shumë misionarë në drejtim të Nikaraguas, fretërit  e vegjël u bashkuan në lutje, që “Zoti  të reshë paqen e tij ndër zemra”. Shën Maria e Engjëjve dhe njeriu i paqes, Shën Françesku, nxjerrshin nga Zoti hirin që, nga vuajtjet e këtij çasti, të lindë për Nikaraguan epoka e drejtësisë, e harmonisë, e respektit për të gjithë, nga më i vogli, tek më i madhi!”. Lutje për paqen e pajtimin kjo, që u lartua me forcë drejt qiellit, në ditën kur në Asizi kremtohej Festa e Ndjesës së Shën Françeskut!

 

02 gusht 2018, 17:23