Kërko

Libri i atë Raniero Cantalamessa për Nënë Terezën Libri i atë Raniero Cantalamessa për Nënë Terezën 

Në librari, vëllimi “Nënë Tereza. Një shenjte për ateistët e për bashkëshortët”

Del nesër në libraritë e gjithë Italisë, vëllimi “Nënë Tereza. Një shenjte për ateistët e për bashkëshortët”, me autor atë Raniero Cantalamessa, françeskan kapuçin, meshtar, i cili që nga viti 1980 është predikatar i Shtëpisë Papnore.

R.SH. - Vatikan

Libri është botuar nga paolinët, me rastin e 21-vjetorit të vdekjes së shenjtes shqiptare të bamirësisë, në Kalkutë, më 5 shtator 1997.

Si lindi libri

         Lindur nga predikimet e atë Cantalamessa-s në Shtëpinë Papnore, në vitin 2003, kur Papa Gjon Pali II ishte, tashmë, shumë i sëmurë, ky libër e shoqëron lexuesin në njohjen e misterit të vuajtjes shpirtërore, që Nënë Tereza përjetoi gjatë gjithë jetës, por që u bë i njohur për publikun vetëm gjatë viteve të fundit. Vërtet, shenjtja shqiptare e ndjeu dhe e jetoi personalisht atë, që Kisha e quan “nata e shpirtit”, duke bërë pjesë kështu, në figurat e mëdha të mistikës së krishterë të të gjitha kohrave.

Nata e shpirtit e Nënë Terezës

         Shumë njerëz, sot, përballen me këtë terr të shpirtit, si përsa i përket fesë – siç ndodh me ateistët – ashtu edhe përsa u përket marrëdhënieve bashkëshortore, të cilat, jo rrallë, hasin vështirësi të të gjitha llojeve. Dashuria – na mëson Nënë Tereza nga përvoja e saj e “natës së shpirtit” – është udhë me pengesa, sepse kërkon të zhytemi në praninë/mungesën e një Vetje, që s’është gjithnjë “në dispozicionin tonë”. Përmes reflektimit mbi vështirësitë e Nënë Terezës për ta ndjerë Zotin gjithnjë të pranishëm, atë Raniero Cantalamessa e nxit lexuesin të bëjë një analizë të thellë të lodhjes, por edhe të aftësisë përtëritëse të dashurisë, për ta çuar dalëngadalë drejt kuptimit të misterit të fesë, të besimit në Zot, pavarësisht nga çdo lloj prove e dëshmie të kundërt, që duket sikur na ofron bota. Një libër i vogël, për të ngushëlluar njerëz në vështirësi, si ateistët dhe bashkëshortët me probleme.

30 gusht 2018, 14:05