Kërko

 Bula e Ndjesës së Papës Çelestini V Bula e Ndjesës së Papës Çelestini V 

Ndjesa çelestiniane: kaluan 724 vjet nga Jubileu i parë

Çdo vit, më 28 e 29 gusht, përsëritet në Aquila të Italisë, riti i Ndjesës së plotë, dhënë nga Çelestini V në vitin 1294. E reja e sivjetme: kremtimi do të nisë më 16 gusht, në përkim me procesionin e Ndjesës me pishtarë ndezur, duke nisur nga vetmitorja e Shën Onufrit, në Sulmonë.

R. SH. - Vatikan

Për herë të parë pas tërmetit të 2009-tës, sivjet Ndjesa rikthehet me të gjithë përmasën e vet historike e shpirtërore. Falë restaurimit, përfunduar në dhjetor 2007, do të jetë e mundur, sipas traditës, të kapërcehet Porta e Shenjtë e Bazilikës së Shën Marisë së Kolemagjios, për të marrë ndjesën e plotë, ashtu si e deshi Papa Çelestini V. Bazilika quhet e Kolemagjios, sepse lartohet mbi kodrën me të njëjtin emër.

Ngjarje e jashtëzakonshme, simbol i ringjalljes - shpjegon Massimo Alesii, zëdhënës i Komitetit të Ndjesës - me të cilën lidhet një temë e madhe: ajo e faljes. Në të vërtetë - shton - një bashkësi që rilind në emër të faljes, rilind edhe në sajë të dëshirës së banorëve të këtij vendi për t’u pajtuar, ashtu si kërkon vetë Ndjesa.

Risia e këtij viti

Në rrethanat e rilindjes e të traditës, u mendua që Ndjesa e 724-t çelestiniane të kremtohej një javë para datës tradicionale, për të përkujtuar, me një procesion me pishtarë ndezur, rrugën që pati përshkuar Papa i ardhshëm mbi shpinën e gomarit, nga eremitazhi i Shën Onufrit, ku jetonte në vetmi e lutje, deri në Akuila.

Pakëz histori

Më 29 gusht 1294, në Bazilikën e Shën Marisë së Kolemagjios, Pjetri  nga Morrone u zgjodh Papë me emrin Çelestini V. Në ceremoninë solemne morën pjesë mbreti Karli II Anzhuin dhe i biri, Karl Marteli. Natyrisht, edhe kardinaj e fisnikë, por sidomos, një turmë e pamasë njerëzish të thjeshtë, një mori populli, sipas burimeve historike të kohës, më se dyqindmijë vetë, që e shoqëruan me entuziazëm të pashoq Papën e ri në shtegtimin nga vetmitorja, në Bazilikë. E Çelestini, duke dashur t’u bëjë një dhuratë, që përkonte me këtë entuziazëm të jashtëzakonshëm, iu lut Zotit t’u jepte të gjithëve një nga hiret më të mëdha: Ndjesën e plotë! Faljen e plotë të mëkateve, sipas kushteve të paracaktuara.

Kandidaturë e Unesco-s

Ndjesa e Shën Çelestinit, me gjithë atë të Shën Françeskut në Porciunkola,  vlerësohet si paraprijëse e Jubileut të parë në historinë e Kishës katolike, atij të vitit 1300, shpallur nga Papa Bonifaci VIII. Unesko  konfirmoi, për vitin 2019, kandidaturën e Ndjesës Çelestiniane si dhe asaj françeskane, si “pasuri jo materiale e njerëzimit”. Edhe kjo, një e re tjetër e Ndjesës së sivjetme, që meriton plotësisht të mbetet gjallë, sa për vlerën e faljes, që i pastron shpirtrat nga mëkatet, aq për atë të vendit ku kremtohet e ku ruhen reliket e Papës së Ndjesës së dytë të plotë, Çelestinit.

16 gusht 2018, 13:52