Versioni Beta

Cerca

Vatican News
2018.08.17 Gesu pane di vita, Eucaristia, discepoli di Emmaus 2018.08.17 Gesu pane di vita, Eucaristia, discepoli di Emmaus 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës 22-të gjatë vitit kishtar “B"

Në pjesën Ungjillore të kësaj së diele, shën Marku Ungjilltar, na sjell mësimin e Jezu Krishtit mbi kultin e vërtetë ndaj Zotit. Pra, me pak fjalë, Jezusi na tregon se cili është kulti i vërtetë ndaj Zotit, kulti i brendshëm, kulti i zemrës.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të Meshës Shenjte të së dielës, kësaj herët dëgjojmë e meditojmë së bashku Liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së 22-të të vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik.

 

Pas pesë të dielave, gjatë të cilave dëgjuam fjalimin e Jezusit mbi Bukën e Jetës, mbi Eukaristinë Shenjte, nga kreu i 6-të i Ungjillit të shën Gjonit, me këtë të diele të 22-të gjatë vitit liturgjik, i kthehemi përsëri Ungjillit të shën Markut, i cili, gjatë këtij viti të dytë (‘B’) kishtar, është udhërrëfyesi ynë, ai që përmes tregimit dhe shpjegimit na njeh me veprat dhe mësimet e Jezu Krishtit, Zot e Shpëtimtar.

Kështu, në këtë të diele rifillojmë me kapitullin e shtatë të Ungjillit të Makut, në të cilin e gjejmë Jezusin që ballafaqohet me skribët dhe farisenjtë mbi temën e traditave të shpikura nga njerëzit që besojnë se janё pranë Hyjit, tradita që janë maska për të mbuluar falsitetin e zemrës. Traditat funksionojnë në atë masë që ndihmojnë për të jetuar një marrëdhënie autentike me Zotin dhe me njerëzit në jetën e përditshme. Feja e vërtetë është marrëdhënia me Zotin, i cili është afër nesh.

Në Ungjillin e të kësaj së diele, Marku Ungjilltar, na sjell mësimin e Jezu Krishtit mbi kultin e vërtetë ndaj Zotit. Pra, me pak fjalë, Jezusi na tregon se cili është kulti i vërtetë ndaj Zotit, kulti i brendshëm, kulti i zemrës e këndej na fton të larohemi nga formalizmi fetar, nga rreziku i kultit të formës, të kultit të imazhit, të kultit ritual e të jashtëm. Jezusi na tërheq vëmendjen tonë e na fton të ruhemi nga feja ritualiste, prej formave të jashtme fetare që nuk e prekin zemrën por vetëm kënaqin zërin. Kulti ynë i vërtetë ndaj Zotit është ai i zemrës, ai shpirtëror.

Po kështu, kujtojmë se sipas etimologjisë, fjala “kult” vjen nga “kultivimi. Sikur bujku që e kultivon (mbjellë) tokën: që kujdeset për të, e lëvron, e mbjellë sipas kritereve te sakta. Po kështu kulti ndaj Zotit do të thotë pikërisht të mendosh, të përkujdesesh, ta kultivosh marrëdhënien personale me Zotin duke iu përmbajtur mësimeve e orientimeve të vlefshme ungjillore.

Në pjesën ungjillore të kësaj së diele, Jezusi ndalet tek dy ”rregullore” që e karakterizojnë kultin e vërtetë ndaj Zotit: në rend të parë kulti duhet të bëhet me zemër e jo me gojë; pastaj duhet të jetë në përkim apo në përputhje me vullnetin e me “urdhërimet” e Zotit dhe jo me mentalitetin njerëzor e shoqëror. Kulti ynë ndaj Zotit, pra, duhet ta shpreh realitetin tonë të brendshëm, atë çka kemi e çka ndjejmë në zemër, sepse Zoti e shikon dhe vlerëson zemrën tonë, prej së cilës buron adhurimi i vërtetë, respekti dhe dashuria e vërtetë ndaj Zotit e ndaj mësimeve të tij hyjnore. Në mendimin e Jezusit, feja në Hyjin, nuk është e vërtetë e nuk e shpëton njeriun, atëherë kur reduktohet vetëm në formë të jashtme, kur reduktohet në fe magjike, joshëse e nuk depërton në brendësi të zemrës e nuk prek shpirtin.

Mbi këtë argument, Mateu na referon edhe këto fjalë të Jezusit që sqarojnë edhe më mirë mendimin e Tij mbi kultin e vërtetë. Thotë Jezusi: “ Vaj për ju, o skribë e farisenj, hipokritë!, që i kushtoni Hyjit një të dhjetën e mendrës, të koprës dhe të kumnit, por lini pas dore atë që është më e rëndësishme në Ligj: drejtësinë, mëshirën e besnikërinë! Këto ju duhet të zbatoni, pa lënë pas dore të tjera! (Mt 23,23-24). Fjalë të qarta e të rëndësishme edhe për ne sot.

                    Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë (Lp 4, 1-2.6-8) Izraeli ka jetuar ngjarjet e jashtëzakonshme të daljes nga Egjipti. Por nuk mund të jetohet vetëm me kujtime. Populli nuk mund të jetojë me të vërtetë besëlidhjen me Hyjin nëse nuk angazhohet konkretisht, në besnikëri me kohën e tanishme. Besëlidhja nuk duhet vetëm të kujtohet, por edhe të jetohet. Kështu është edhe për Kishën sot: Ungjilli dhe ringjallja duhet të jetohen.

Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë
Moisiu foli dhe tha: “E tani, o Izrael, dëgjo urdhërimet dhe rregulloret që po jua mësoj që, duke i kryer ato, të jetoni dhe të hyni e ta bëni pronë tokën që Zoti, Hyji i etërve tuaj, do t’jua japë. Mos u shtoni asgjë urdhrave që po ju jap dhe mos u mungoni asgjë!
Mbani urdhërimet e Zotit, Hyjit tuaj, që po jua jap unë, që t’i mbani e t’i vini në zbatim. Kjo do t’ju bëjë të dijshëm e të urtë në sytë e popujve. Kur t’i kenë dëgjuar të gjitha këto urdhërime, do të thonë: ‘Ja, një popull i dijshëm e i kuptueshëm! Ky qenka popull madhështor!’
E njëmend, ku gjendet një popull tjetër aq i madhërueshëm, që t’i ketë hynitë e veta kaq afër vetes, sikurse është pranë nesh në të gjitha kërkesat tona Zoti, Hyji ynë?! Dhe, ku ka një popull tjetër kaq të përmendur që të ketë urdhërime e rregullore të drejta, siç është i tërë ky Ligj, që unë sot po e shtroj para syve tuaj?!” Fjala e Zotit.

Psalmi 15
Ata që e kanë zemrën e pastër do të banojnë në shtëpinë e Zotit

----------
O Zot, e kush do të guxojë
të hyjë në tendën tënde?
Vetëm ai që jeton me nder,
që vepron me drejtësi,
e prej zemrës flet të vërtetën.
----------
Që s’i shpifet kujt me fjalë,
që të afërmin s’e dëmton,
që shokun nuk e çnderon:
ai që bakeqin e mban për asgjë,
e i çmon ata që e druajnë Zotin.
----------
Nuk jep të holla me kamatë,
e nuk merr ryshfet kundër të pafajshmit.
Kush vepron kështu
kurrë e për këtë jetë nuk do të luhatet.
----------

Leximi i dytë (Jak 1, 17-18.21-22.27) Fjala duhet pranuar ashtu si toka pranon farën që do ta pllenojë. Është e nevojshme ta mbajmë me vete dhe të ndjejmë jehonën e saj gjatë orëve të ditës. Fjala do të na mësojë të kryejmë drejt Hyjit Atë kultin e vërtetë, atë që kremtohet në shtëpitë, në rrugët, spitalet, ofiçinat, zyrat.

Lexim prej Letrës së shën Jakobit apostull
Vëllezër, çdo dhuratë e mirë dhe çdo dhunti e përsosur është prej së larti, zbret nga Ati i dritës, në të cilin nuk ka ndërrim as hije ndryshimi. Ai na lindi në saje të vullnetit të vet nëpër fjalën e së vërtetës, që ne të jemi një farë fryti të parë të krijesave të tija.
Prandaj, flakni tej çdo ndyrësi dhe çdo të keqe tjetër e me plot butësi pranoni fjalën e mbjellë në ju, e cila është e aftë t’i shpëtojë shpirtrat tuaj. Bëhu zbatues të fjalës, e jo vetëm dëgjues që gënjejnë vetveten. Besimi i pastër dhe i patëmetë para Hyjit Atë është ky: kujdesi për bonjakë dhe për gra të veja në vështirësitë e tyre dhe ruajtja e pastër e vetvetes nga kjo botë. Fjala e Zotit.

Aleluia. Aleluia

Na e trego, o Zot, udhën tënde, dhe na udhëheq udhës së drejtë.
Aleluja.

Ungjilli (Mk 7, 1-8.14-15.21-23)Akoma sot formalizmi është në bazën e shumë gjykimeve dhe vendimeve në fushën fetare. Duket me të vërtetë se njeriu fetar është një qenie që jeton duke kryer vetëm rite, norma, veprime dhe praktika të jashtme formale. Kështu e mendonin farisenjtë. Jezusi shqetësohet të shpjegojë se korrupsioni nuk vjen nga jashtë, por nga zemra e njeriut. Ajo që e bën njeriun të papastër nuk është as ushqimi, as veshja, por ligësia që vjen nga zemra e tij.

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
Në atë kohë, rreth Jezusit u bashkuan farisenjtë dhe disa skribë që kishin ardhur nga Jerusalemi. Ata vunë re se disa prej nxënësve të tij po hanin bukë me duar të papastra, domethënë të palara.
Tashti farisenjtë dhe mbarë hebrenjtë nuk hanë bukë pa i larë duart deri në bërryl për arsye të dokeve të të parëve. As kur kthehen nga tregu nuk hanë gjë pa u larë më parë. Janë edhe shumë gjëra tjera që i mbajnë për shkak të traditës: larje gotash, katrovash e enësh tryezash.
Prandaj farisenjtë dhe skribët e pyetën Jezusin: “Pse nxënësit e tu nuk i mbajnë traditat e të parëve, por hanë bukë me duar të papastra?” Ai u përgjigj: “Mirë parafoli për ju, o shtiracakë, Isaia, kur shkroi: ‘Ky popull më nderon me buzë, kurse zemra e tyre është larg meje. I kotë është kulti që më bëjnë, kur mësojnë kinse mësim të Hyjit – rregulloret që i qitën njerëzit.’ Ju lini pas dore urdhërimin e Hyjit e mbani traditat e njerëzve.”
Atëherë e thirri përsëri popullin rreth vetës dhe i tha: “Më dëgjoni të gjithë dhe mbani mend! S’ka asgjë përjashta njeriut që mund ta bëjë atë të papastër duke hyrë në të, por çka del prej njeriut – ajo e bën të papastër. Sepse prej brendisë – prej zemrës së njeriut rrjedhin: mendimet e këqija, llojet e ndryshme të fëlligështisë, vjedhjet, vrasjet, kurorëthyerjet, dëshira e tepruar e pasurisë, mashtrimet, shfrenia, smira, blasfemitë, krenia, marrëzia. Të gjitha këto të këqija dalin nga brenda dhe e bëjnë njeriun të papastër.”  Fjala e Zotit.

31 gusht 2018, 15:11