Kërko

 Protesta kundër ligjit mbi “Shtetin-Komb” Protesta kundër ligjit mbi “Shtetin-Komb”  

Patriarkati i Jeruzalemit: ligji i Izraelit mbi “Shtetin-Komb” diskriminon bashkësitë hebraike

Për Patriarkatin, ligji i ri diskriminon 20% të popullsisë, përbërë nga arabë e pakica të tjera të pranishme në Izrael; i kundërvihet drejtpërdrejt Rezolutës 181 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe Deklaratës për Pavarësinë e Izraelit, u mohon palestinezëve të drejtat e barabarta me izraelitët.

R. SH. - Vatikan

Një ligj, “që nuk jep asnjë garanci kushtetuese për të drejtat e popullsive  dhe të pakicave të tjera vendase”; “injoron një shtresë të tërë të popullsisë”, “i kundërvihet drejtpërdrejt Rezolutës 181 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe Deklaratës për Pavarësinë e Izraelit dhe pohon se arabët nuk kanë të drejta të barabarta me hebrenjtë, duke arritur deri atje, sa të mos e pranojë fare ekzistencën e tyre”.

I ashpër dhe i vendosur, dënimi i Patriarkatit latin të Jeruzalemit për ligjin    “Izraeli, Shteti kombëtar i popullit hebraik”, miratuar kohët e fundit nga Knesset, me shumicë të kufizuar votash. Në një notë, përhapur në Jeruzalem, marrë nga agjencia Sir, Patriakati latin pohon se ky ligj themelor e quan Izraelin “shtet kombëtar të popullit hebraik” dhe “nuk jep asnjë garanci kushtetuese për të drejtat e popullsive dhe pakicave të tjera, që jetojnë në vend. Qytetarët palestinezë të Izraelit, 20% e popullsisë, përjashtohen dukshëm nga ligji. Ai - lexohet akoma në komunikatë - nuk e njeh një shtresë të tërë të popullsisë, sikur anëtarët e saj të mos kishin ekzistuar kurrë. Ligji mund të mos ketë pasoja praktike, por gjithsesi është sinjal i qartë për qytetarët palestinezë të Izraelit: këtu nuk janë në shtëpi të vet! Gjuha arabe, nga gjuhë e dytë kombëtare, konsiderohet “gjuhë e veçantë”, me angazhimin që “të punohet për zhvillimin e vendbanimeve hebraike në këtë tokë, pa kujtuar fare zhvillimin e vendit për banorët e tjerë”. Ligj ky, që përjashton, nuk përfshin, objekt diskutimi - jo pranimi, i politizuar, në vend që të ishte i rrënjosur në normat bazë, të përbashkëta e të pranueshme nga të gjitha shtresat e popullsisë.

Për Patriarkatin latin, ligji i ri “është diskriminues, i kundërvihet drejtpërdrejt Rezolutës 181 të Asamblesë  së Përgjithshme  të Kombeve të Bashkuara dhe Deklaratës së Pavarësisë së Izraelit. Në të parën lejohet themelimi i një shteti hebraik, duke u garantuar njëkohësisht të drejtat e plota civile arabëve banues në këto treva e, në të dytën, themeluesit e vendit angazhohen qartë e pa asnjë mëdyshje “të promovojnë zhvillimin e tij në dobi të tërë banorëve, duke garantuar barazinë e plotë të të drejtave shoqërore e politike për të gjithë, pavarësisht nga feja, raca e seksi”. E si të mos mjaftonte kjo - vë në dukje komunikata -  ky ligj i kundërvihet  Ligjit themelor mbi “Dinjitetin  dhe lirinë e njeriut” të 1995-sës, që garanton respektimin e dinjitetit të çdo njeriu. Atje ku ka diskriminim, nuk ka dinjitet”. Prej këndej, dënimi pa asnjë lëkundje: ky ligj nuk u njeh arabëve të drejta të barabarta me hebrenjtë, madje ua mohon edhe ekzistencën”. Cilido shtet me pakica të mëdha - vëren Patriarkati latin - duhet t’i njohë  të drejtat e kolektive  të këtyre pakicave  e të garantojë ruajtjen e identitetit të tyre kolektiv, duke përfshirë edhe traditat fetare, etnike e shoqërore. E ky ligj shqetëson edhe qytetarët e krishterë të Izraelit, që trajtohen njëlloj si çdo bashkësi tjetër jo hebraike. Patriarkati latin i nxit banorët e Shtetit të Izraelit, që besojnë akoma në konceptin e barazisë ndërmjet të gjithë qytetarëve të të njëjtit komb, t’i shprehin haptazi vërejtjet e tyre për ligjin dhe rreziqet, që rrjedhin prej tij për ardhmërinë e këtij Vendi”.

31 korrik 2018, 12:48