Kërko

Kardinali gjerman Reinhard Marx Kardinali gjerman Reinhard Marx 

Kard. Marx: “Nuk mund të jemi nacionalistë e katolikë”

Kardinali Reinhard Marx: nacionalizmi “nuk është opcion për të krishterët”.

R.SH. - Vatikan

Djalli është populist e si të gjithë populistët, fillimisht të frikëson e pastaj, sjell përçarje dhe urrejtje. Kështu pohon në një intervistë për gazetën gjermane “Die Zeit”, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Gjermane, kardinali Reinhard Marx, kryeipeshkëv i Mynihut dhe Frisingës. Sipas tij, nacionalizmi nuk është “opcion për të krishterët”. “Njeriu është, për natyrën e vet, solidar dhe i gatshëm të ndihmojë. Por, kur frika ia errëson ndjesitë, bëhet i brishtë”, thekson prelati, për të cilin, në Evropë po afirmohet një radikalizëm në rritje, së pari, në gjuhën e përdorur. “E shoh me shqetësim – pohon. – Kjo bën që refugjatët të paraqiten si kërcënim kundër mirëqënies sonë”. Shpesh, flitet vetëm për numra e për një lloj kërcënimi anonim, që u përhapka me shpejtësi.

Populizmi është tundim

         Gjermania, thekson më tej kardinali Marx, ka nevojë për një debat mbi temën e emigracionit. Nuk është e mundur të zgjidhet ky fenomen përmes lëvizjes të së djathtës politike, pasi realiteti është tepër i ndërlikuar. Populizmi është tundim, shpjegon kardinali. “Armiku i natyrës njerëzore është djalli, siç pohon Shën Injaci i Lojolës, sepse na bën ta shohim tjetrin si armik. Kjo është edhe pasoja e populizmit. Së pari, përpiqet të na frikësojë, pastaj, arrijnë mosbesimi, zilia, armiqësia dhe urrejtja e, së fundi, dhuna dhe lufta”.

Evropa të mos kthehet në fortesë

         Të jesh nacionalist e katolik njëkohësisht, është e pamundur, nënvizon kardinali gjerman. “Si të krishterë, jemi si patriotë, ashtu edhe qytetarë të botës. Në politikë, prirja aktuale sheh vetëm kuadrin kombëtar, orientohet drejt afirmimit të vetvetes. Kjo është një mënyrë për t’i parë gjërat, që nuk na përket: duam të ruajmë mirëqënien tonë, por ajo mendohet se po kërcënohet nga jashtë. Evropa nuk duhet të kthehet në fortesë: kjo është bindja jonë e përhershme… Jam dakord me politikanin Jean Monnet: Evropa në vetvete, duhet të jetë kontribut për një botë më të mirë: krijuese, me dyer të hapura e kureshtare”.

20 korrik 2018, 14:32