Cerca

Vatican News
 Kardinali Reinhard  Marx Kardinali Reinhard Marx 

Ipeshkvijtë gjermanë i shkruajnë drejtpërdrejt presidentit Ortega

“Bota mbarë i ka sytë të ngulur mbi Nikaraguan. Ju lutemi, dëshmojini botës se jeni në shërbim të popullit tuaj e se e respektoni lirinë e tij”. Ipeshkvijtë gjermanë i shkruajnë drejtpërdrejt Ortegës. Dokumenti datohet 26 korrik.

R. SH. - Vatikan

Letër drejtuar presidentit të Nikaraguas, Daniel Ortega: kjo, nisma e ipeshkvijve gjermanë, rimarrë nga agjencia Sir. Dokumenti, datuar 26 korrik, nënshkruhet nga kardinali Reinhard Marx, kryetar i Konferencës ipeshkvnore dhe kryeipeshkëv i Munih-Frisingës.

Dhunim i parimeve demokratike

“Pothuajse çdo ditë marrim lajme mbi dhunën, në vijim, në Nikaragua - lexohet në letrën e ipeshkvijve - sipas agjencisë Sir - Ata, që manifestojnë paqësisht, arrestohen, keqtrajtohen e edhe vriten. Në të gjithë vendin po dhunohen parimet  demokratike si dhe të drejtat themelore të njeriut. E i gjithë ky shpërdorim i pushtetit shtetëror përligjet si masë parandaluese për luftën kundër terrorizmit. Ligji i ri kundër terrorizmit e bën edhe më të rëndë krizën politike”.

Në paqe e liri!

Vijojnë ipeshkvijtë: “39 vjet më parë Ju patët marrë pjesë në revolucionin  kundër regjimit të Somozës për t’i dhënë fund shtypjes mbi popullin nikaraguan. Ky popull dëshiron të vijojë të jetojë në paqe e në liri, i shoqëruar nga Kisha katolike, që ka qenë e është gjithnjë përkrah tij”.

Kërkesa: mjaft më dhunë, të respektohet liria e opinionit

“Ju kërkojmë t’i jepni fund dhunës shtypëse e të respektoni lirinë e takimit e të opinionit - nënvizon akoma agjencia - Ju nxisim të bëni gjithë ç’është e mundur  për t’i dhënë fund vrasjeve, që lënë pas të vdekur gjatë rrugëve, e t’i lironi të burgosurit politikë, të vënë padrejtësisht në pranga. Ju lutemi të jepni një sinjal  paqeje e të riktheheni në udhën e dialogut kombëtar. Bota e tërë ia ka ngulur sytë Nikaraguas. Ju lutemi, tregojini botës se jeni në shërbim të popullit tuaj e se e respektoni lirinë e tij!”.

 

31 korrik 2018, 12:42