Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 Ipeshkvijtë e Bosnjë-Hercegovinës, mbledhur në Banja Luka Ipeshkvijtë e Bosnjë-Hercegovinës, mbledhur në Banja Luka 

Ipeshkvijtë e Bosnjë-Hercegovinës: votë e ligjshme, nëse respekton të gjitha kombësitë e vendit

Mesazh i Konferencës Ipeshkvnore të Bosnjë-Hercegovinës, me rastin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, në program më 7 tetor 2018, botuar në përfundim të seancës së 73-të plenare të ipeshkvijve, që përfundoi më 14 korrik, në Banja Luka

R. SH. - Vatikan

Thirrja, që u drejtohet katolikëve dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë, është para gjithash “për t’u regjistruar, që të mund ta ushtrojnë të drejtën e votës”, parë “si detyrim moral përballë shoqërisë, në gjirin e së cilës jetohet”.

Zgjedhjet - çast i rëndësishëm për çdo shoqëri demokratike

“Zgjedhjet politike në çdo shoqëri demokratike janë ngjarje shumë e rëndësishme, rast për një fillim të ri” - shkruajnë ipeshkvijtë e vendit ballkanik,  duke nënvizuar - njofton Agjencia Sir - se “në një shoqëri të ndërlikuar, siç është kjo e Bosnjë-Hercegovinës, është e nevojshme të respektohen të drejtat e çdo njeriu, duke përfshirë edhe të drejtën për t’u kthyer në atdhe, në një atmosferë dialogu të vazhdueshëm e duke respektuar ndryshimet ndërmjet popujve, kulturave, gjuhëve e konfesioneve të ndryshme fetare”. Sipas ipeshkvijve, “për ta realizuar këtë, duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë logjika e shumicës dhe e vetos”. “Njëlloj e pakuptueshme  - pohohet në vijim në notë -  është të merren, nga ana e parlamentit, vendime shumë të rëndësishme për banorët e njërës nga kombësitë, në dëm të të tjerave, pa përfillur vullnetin e të gjithë përfaqësuesve.

E papranueshme që në Parlament të merren vendime për llogari të kombësive të tjera

“Gjatë luftës - kujtojnë ipeshkvijtë - pohuam se lumturia e një njeriu, nuk mund të ndërtohet mbi fatkeqësinë e një njeriu a të një grupi tjetër etnik”. Prandaj  bëjnë thirrje për zbatimin e vendimeve të gjykatave kombëtare e të huaja lidhur me ligjshmërinë dhe organizimin e zgjedhjeve. Zgjedhjet do të jenë të ligjshme - mendojnë ipeshkvijtë - vetëm nëse ndër to do të përfaqësohen të gjitha kombësitë  që jetojnë në vend. Mesazhi përfundon me vërejtjen se “në Bosnjë-Hercegovinë ka shumë arsye, që nxisin lindjen e pakënaqësisë. Në radhë të parë, gjendja e vështirë, që vijon prej një kohe tepër të gjatë”.  Prandaj ipeshkvijtë katolikë i nxisin  të gjithë “të votojnë në përkim me ndërgjegjen e tyre, për njerëz që besohet se do t’i respektojnë vlerat e doktrinës shoqërore të Kishës katolike”.

17 korrik 2018, 14:10