Kërko

Zbarkimi i emigrantëve në Itali Zbarkimi i emigrantëve në Itali 

CCEE mblidhet që sot e deri më 15 korrik për emigrantët

Që sot e deri më 15 korrik, në Stokholm të Suedisë, Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE) reflekton mbi fluksin e emigrantëve dhe mënyrën e perceptimit të tij nga ana e opinionit publik.

R.SH. - Vatikan

I kushtohet temës “Një lëvizje humaniteti: fluksi i emigrantëve dhe lajmet. Dialogu dhe komunikimi për kulturën e takimit”, mbledhja vjetore e ipeshkvijve dhe e delegatëve përgjegjës për baritorinë e emigrantëve të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE), e cila po zhvillohet në Stokholm të Suedisë deri më 15 korrik.

Emigracioni dhe perceptimi i tij nga opinioni publik

         Është rasti, lexohet në një notë për shtyp, “për t’u thelluar në marrëdhëniet ndërmjet fluksit të emigracionit dhe perceptimit nga ana e opinionit publik, që ndikohet nga një lloj komunikimi, i cili nuk promovon gjithnjë dialogun dhe kulturën e takimit”. “Kisha Katolike në Suedi është Kishë emigrantësh. Shumë prej nesh – shpjegon ipeshkvi i qytetit, kardinali Anders Arborelius – vijnë nga vende të tjera e, disa prej nesh, nga denominacione të tjera”. Kardinali, i cili është edhe përgjegjës për emigracionin në Komisionin për Baritorinë Shoqërore të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (CCEE), nënvizon se “si të krishterë, jemi të gjithë shtegtarë për udhë drejt mbretërisë qiellore të Zotit e, nëse jemi të vetëdijshëm për këtë hir, do të jemi në gjendje edhe t’i mirëpresim të gjithë ata emigrantë, që na ka çuar Hyu”.

Rezultatet paraqiten nga imzot Duarte da Cunha

         Punimet e takimit të Stokholmit nisën sot në katedralen e Shën Erikut, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bashkësive të emigrantëve, të pranishëm në kryeqytetin suedez. Do të diskutojnë ekspertë të emigracionit, të mediave dhe të dinamikave në ndryshimin e opinionit publik, si nga Vatikani e nga Kisha, ashtu edhe nga shoqëria civile. Rezultatet do t’i paraqesë sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane, imzot Duarte da Cunha. Takimi do të përfundojë më 15 korrik me një meshë në praninë e emigrantëve, në kishën e Shën Eugjenies, si edhe me një vizitë në Abacinë e shën Brigjidës në Vadstena.

13 korrik 2018, 14:55