Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Vijojnë protestat në Nikaragua Vijojnë protestat në Nikaragua  (AFP or licensors)

Amerika Latine lutet për paqen në Nikaragua

Mbetet dramatike situata në Nikaragua, ndërsa në Kishat e Amerikës Latine i lartohet Zotit lutja për paqe e dialog. Në vijim, greva kombëtare.

R. SH. Vatikan

“Për ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët dhe bashkësitë rregulltare të Nikaraguas, që pa u lodhur kurrë të jenë nxitës të dialogut, mbrojtës të drejtësisë e ndërtimtarë të paqes”. Ky, ndjeti i lutjes së besimtarëve, lexuar sot në Kishat e Nikaraguas, në vende të ndryshme latinoamerikane, ashtu si edhe në Kongresin Misionar Amerikan, në Bolivi.

Nikaragua, akoma e mbytyr në gjak

Në vendin e Amerikës Qëndrore, tensioni mbetet i lartë e nuk pushojnë episodet  gjakatare të dhunës, kryer nga forcat proqeveritare, për t’u dhënë fund manifestimeve antiqeveritare të presidentit Daniel Ortega. Vetëm dje dy studentë  humbën jetën në një sulm të armatosur kundër Kishës së Mëshirës Hyjnore, në Managua, ku qenë strehuar 200 manifestues, të ndjekur nga policia. Veprim, që u quajt “i dënueshëm” nga Bashkimi Evropian. Në një komunikatë, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit për punët e jashtme dhe politikën e sigurisë, Federica Mogherini, kërkon rrugëzgjidhje “paqësore dhe demokratike”, që garanton sigurinë e popullsisë dhe respektimin e  të drejtave themelore të njeriut.

Grevë kombëtare anti-Ortega

Në Nikaragua, ndërkaq, vijon greva kombëtare prej 24 orësh, kundër qeverisë, e dyta, shpallur në më pak se një muaj nga “Alianza Cibica”, në të cilën bëjnë pjesë sipërmarrësit, studentët, fshatarët e shoqëria civile. Nisma kërkon kryesisht zgjedhje të parakohshme dhe fundin e shtypjes së protestave në sheshe, të cilat në më pak se tre muaj, shkaktuan më se 350 të vdekur. Edhe Spanja e kritikon fuqimisht sjelljen e qeverisë, duke uruar, përmes një komunikate të Ministrisë së Jashtme, t’i jepet fund dhunës dhe të respektohet liria e shprehjes.

15 korrik 2018, 15:03