Cerca

Vatican News
Kardinali Leonardo Sandri Kardinali Leonardo Sandri 

Sandri: emigrantët, përparësi e ipeshkvijve katolikë lindorë

Fillon nesër në Ungër të Kalabrisë, takimi vjetor i ipeshkvijtë katolikë lindorë të Evropës, që do të përfundojë më 17 korrik. Intervista jonë me prefektin e Kongregatës për Kishat Lindore, kardinali Leonardo Sandri.

R.SH. - Vatikan

Të vlerësohen “objektivat baritore të misionit në Evropë”, ndër të cilët ai – sot “dramatik” – në ndihmë të emigrantëve. Prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore, e paraqet kështu, në mikrofonin tonë, Takimin XXI të ipeshkvijve katolikë lindorë të Evropës, që fillon nesër në Ungër, në provincën e Kozencës, në Itali. Në fjalët e tij, impenjimet dhe shpresat për këtë takim, organizuar nga Heparkia arbëreshe e Ungrës (Lungro) deri më 17 qershor. Tema: “Fytyra e një Kishe lindore. Teologjia, e drejta e veçantë, liturgjia”. Kjo ngjarje është përgatitore për 100-vjetorin e Kishës së Ungrës, që do të kremtohet në vitin 2019, me pjesëmarrjen e ipeshkvijve, të cilët do të vijnë nga e gjithë Lindja e krishterë.

Programi i Takimit

         Punimet e Takimit do të hapen nesër, në praninë e prefektit të Kongregatës vatikanase për Kishat Lindore, kardinalit Leonardo Sandri, të kreut të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, kardinalit Angelo Bagnasco, si edhe të nuncit apostolik në Itali, imzot Emil Paul Tscherrig. Do të marrin pjesë edhe ipeshkvijtë e kryeipeshkvijtë të Kishës së Kalabrisë, përveç prelatëve nga 12 Kisha të Lindjes së krishterë. Më 15 qershor, do të mbajnë relacione ish-hekzarku i Kishës Katolike greko-bizantine, Demetrios Salachas dhe liturgjisti, imzot Antonio Donghi. Më 16 qershor, do të flasë sekretari i Kongregatës vatikanase për Kishat Lindore, imzot Cyril Vasil. Arbëreshët, me mikpritjen e tyre proverbiale, do t’i shëtisin miqtë në vendet më të rëndësishme të përshpirtërisë kalabreze, gjatë gjithë periudhës së Takimit. E rëndësishme vizita në Rossano për të parë Codex Purpureus, dorëshkrim i lashtë grek i shekullit VI.

Kujdes për ata, që ikin nga luftrat dhe varfëria

         Ipeshkvijtë do të reflektojnë mbi “përshpirtërinë, liturgjinë, formimin e meshtarëve, përzgjedhjen e klerit, në mënyrë, që ai t’i ndihmojë besimtarët në formën më të mirë të mundshme, sidomos ata, që vijnë nga lufta, persekutimi e vuajtja”, shpjegon, në mikrofonin tonë, kardinali Leonardo Sandri, duke iu referuar Sirisë, Irakut, Egjiptit, Ukrainës, por jo vetëm atyre. Do t’i kushtohet vëmendje “dramës humanitare të emigracionit të gjithë popullsive, por edhe të të krishterëve e të katolikëve, në veçanti”. Ka rrezik, shton prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore, që këta njerëz të mbërrijnë në vendet evropiane e të ndjehen vetëm “nga pikpamja  shpirtërore, nga pikpamja fetare dhe ajo e përkatësisë në Kishën e tyre”, pra, “të përzihen me këtë botën perëndimore plot me këndvështrime të tjera” pa ndihmën e një Kishe, që i njeh e i kupton.

Identitet, edhe misionar

         Prandaj, ipeshkvijtë “duhet të impenjohen për t’u dhënë këtyre besimtarëve identitetin e tyre”, pa harruar frymën misionare: “me fenë e marrë si dhuratë prej Zotit e ruajtur prej tyre, qëndrojnë në një botë të re e të ndryshme, ku duhet të jenë edhe mjet shëlbimi” për të tjerët, saktëson prelati. Nga ana tjetër, nënvizon ai, Papa Françesku “nuk mungon ta konsiderojë përparësi të Kishës, takimin me të tjerët”, edhe me fetë e denominacionet fetare të ndryshme. Kohët e fundit, Ati i Shenjtë u takua me Patrikun Ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeu I, dhe me delegacionin e Patrikanës ortodokse të Moskës: është çasti, komenton kardinali Sandri, “të bëhemi thellësisht të vetëdijshëm se asnjë i krishterë latin apo lindor nuk jeton vetëm për vete, por për të realizuar atë ‘Ut unum sint’ (që të gjithë të jenë një) të Krishtit”, për të qenë mjete “bashkimi në Kishë”.

13 qershor 2018, 14:31