Versioni Beta

Cerca

VaticanNews
Protestat në Nikaragua Protestat në Nikaragua  (AFP or licensors)

Nunci në Nikaragua: Papa lutet për zgjidhje paqësore

Nuk është kurrë vonë për pajtim: në fjalët e nuncit të Nikaraguas, imzot Waldemar Stanisław Sommertag, shpresa dhe guximi për të përfaqësuar Papën në një vend, që kalon një fazë politike tepër delikate.

R. SH. - Vatikan

Paqe e lutje për Nikaraguan: pak orë pas thirrjes së Papës në Engjëllin e Tënzot të së dielës së kaluar, nunci i vendit, imzot Waldemar Stanisław Sommertag, i cili e takoi Françeskun, para se të nisej në krye të detyrës, flet, në mikrofonin tonë, për frymën me të cilën përgatitet të shkojë në Managua e si e mbështet Kisha vendore popullsinë.

Papa lutet vazhdimisht

         Dialog i rëndësishëm, ai me Atin e Shenjtë, të shtunën e kaluar, na shpjegon nunci. Gjatë tij u theksua jo vetëm afërsia dhe lutja e Papës për popullin e Nikaraguas, por edhe urimi që të fillojë sa më shpejt dialogu kombëtar, në një situatë tejet delikate. “Kisha – pohon imzot Sommertag – nuk tërhiqet kurrë nga përgjegjësitë e saj e nuk është hera e parë që merr përsipër një rol të rëndësishëm në procesin e pajtimit”.

Kisha punon për mospërdorimin e dhunës

         Nunci nënvizon se zëri i Papës dëgjohet me vëmendje nga Kisha e Nikaraguas. Ipeshkvijtë janë shprehur kundër çdo forme të dhunës e nënvizojnë se edhe gjuha e përdorur nuk duhet të lërë dyshime për këtë. Vdekja e kryeipeshkvit të nderit të Managuas, kardinalit Miguel Obando Bravo, i cili ishte figurë shumë e rëndësishme në procesin e pajtimit dhe konsiderohej garant për të, pohon nunci, natyrisht, ka lënë një boshllëk të ndjeshëm në jetën e Kishës. E megjithatë, përmes lutjes, kujdesit dhe dëshirës për dialog, që e karkaterizon, Kisha do të bëjë ç’është e mundur për ta ndihmuar e për ta inkurajuar popullin e Nikaraguas të gjejë udhën e zgjidhjet e drejta.

Gjendja në vend

         Tashmë prej një muaji e gjysëm, në vendin latinoamerikan, ka ndeshje të vazhdueshme ndërmjet policisë dhe manifestuesve, që protestojnë kundër presidentit Ortega. Revolta, e cila nisi si reagim ndaj shkurtimit të fondeve në fushën shoqërore, ka shkaktuar më se njëqind viktima.

06 qershor 2018, 14:30