Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Takimi vjetor i Ipeshkvijve katoliko-lindorë të Evropës në Ungër Takimi vjetor i Ipeshkvijve katoliko-lindorë të Evropës në Ungër 

Në Ungër, Lindja dhe Perëndimi katolik plotësojnë njëri-tjetrin

Vijon deri të dielën, 17 qershor, në Ungrën arbëreshe të Kalabrisë, takimi vjetor i ipeshkvijve katoliko-lindorë të Evropës. Punimet u hapën nga kardinajtë Angelo Bagnasco dhe Leonardo Sandri, së bashku me ipeshkvin e Eparkisë arbëreshe, imzot Donato Oliverio.

R.SH. - Vatikan

Vijon në Ungër të Kalabrisë, Takimi XXI i Ipeshkvijve katoliko-lindorë të Evropës mbi temën “Fytyra e një Kishë lindore”, ngjarje me “rëndësi të padiskutueshme”, siç nënvizoi ipeshkvi arbëresh i Eparkisë, imzot Donato Oliverio, në fjalën e tij. Këto ditë, kur në Ungër janë mbledhur ipeshkvij nga të gjitha zonat e ritit lindor, sidomos nga Lindja e Mesme, do të shërbejnë për të kuptuar “gjithnjë e më mirë ç’pret Kisha Universale nga lindorët e bashkuar plotësisht me Selinë Apostolike”. Pra, kontributi i veçantë i Lindjes katolike, dëshmia dhe paraqitja e traditës, që plotëson atë të Perëndimit, janë në qendër të Takimit, karakterizuar, deri të dielën, nga lutje, diskutime dhe shkëmbime mendimesh për baritorinë kishtare.

Më shumë shpresë e fe në ipeshkvijtë katolikë evropianë

         Dje, gjatë Mbrëmësores Solemne Papnore në ritin bizantin, në katedralen eparkiale të Shën Nikollës së Mirës, kreu i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, kardinali Angelo Bagnasco, theksoi se ipeshkvijtë katolikë e kanë për detyrë “ta përqafojnë kontinentin evropian me një dashuri plot shpresë e me një vështrim të shndritur e të gjithanshëm mbi njeriun, familjen e shoqërinë”, në një çast historik vendimtar.

Kisha Katolike të marrë frymë me “dy mushkëri”

         Kardinali nënvizoi edhe nevojën e njohjes së traditave lindore, në mënyrë që Kisha Katolike të marrë frymë “me dy mushkëri”. “Ndjeshmëria kishtare për misterin e Zotit, që plazmon shpirtin e Lindjes”, nënvizoi kardinali Angelo Bagnasco, “është për Perëndimin dhuratë, që e ndihmon ta shohë e ta jetojë më gjerësisht realitetin”.

Emigracioni, sfidë për Kishën

         Ndër sfidat e sotme të Kishës, folësi tjetër, kardinali Leonardo Sandri, vuri në dukje edhe temën e emigracionit të detyruar. Prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore përmendi besimtarët e martirizuar të Lindjes së Mesme, për të cilët do të lutet Papa Françesku, më 7 korrik, në Bari të Italisë, së bashku me patriarkët katolikë e ortodoksë. E kujtoi edhe Evropën Lindore, sidomos Ukrainën. “Vuajtjet e shumë prej besimtarëve tanë na nxisin të mendojmë – si Kishë Latine e si Kisha Lindore – mënyrat më të mira e më reale për të garantuar mikpritje solidare e konkrete”, theksoi kardinali Sandri, “duke vepruar si kripë e tokës e si tharm në shoqëritë tona shpesh të shekullarizuara dhe individualiste, që të gjejmë rrugët e mundshme për zhdukjen e fenomeneve, të cilat i detyrojnë njerëzit të emigrojnë”. Kisha, uroi kardinali, të vazhdojë kërkimin e “ëndrrës së Zotit për njerëzimit” dhe të bashkëpunojë me Hyun “që të vijë Mbretëria e Tij e drejtësisë dhe e paqes për çdo popull”.

15 qershor 2018, 14:36