Versioni Beta

Cerca

VaticanNews
Shpellat e Kumranit, ku janë gjetur rrotullat e Isaisë profet Shpellat e Kumranit, ku janë gjetur rrotullat e Isaisë profet 

Çelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Isaisë I

Njeriu, që e mban fjalën: kështu mund të përvijohet Isaia profet, për Librin e të cilit do t’ju flasim në emisionin e sotëm. Si përherë, i referohemi vëllimit “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Libri i Isaisë është më i gjati dhe më i rëndësishmi ndër librat profetikë të Biblës. Tradicionalisht, janë katër “profetë të mëdhenj”, siç quhen Isaia, Jeremia, Ezekieli dhe Danieli, si edhe 12 “profetë të vegjël”: Ozea, Joeli, Amosi, Abdia, Jona, Mikea, Nahumi, Habakuku, Sofonia, Hagai, Zakaria dhe Malakia. Kuptimi i fjalës “profet” nuk ka të bëjë me parashikimin e fatit, siç mendon dikush. Profet është ai, që flet në emër të Zotit.

Pjesët e Librit të Isaisë

         Për ta lexuar si duhet Librin e Isaisë, duhen pasur parasysh ngjarjet historike, në të cilat merr pjesë profeti, që ndokush e quan Dante i Biblës. Studiuesit i ndajnë 66 kapitujt e librit në 3 pjesë:

-         Kapitujt 1-39, që i referohen drejtpërdrejt veprimtarisë së profetit, i cili jeton në Jeruzalem, ndërmjet viteve 740 e 700 para Krishtit, siç tregohet në Librin e dytë të Mbretërve;

-         Kapitujt 40-55, të cilat duhen vendosur në periudhën pas mërgimit të hebrenjve në Babiloni, rreth viteve 550-530 para Krishtit. Në to përshkruhen fjalët e një orakulli, tjetër profet, të cilit nuk ia dimë emrin. Ai i referohet Isaisë.

-         Kapitujt 56-66, që janë një përmbledhje me profeci pas përfundimit të mërgimit, në vitin 537. Autori shpreh gëzimin e kthimit dhe shpresën për paqe universale me të gjitha kombet pagane.

Duhet kuptuar përvoja shpirtërore, që e ka frymëzuar tregimin

Janë, pra, dy shekuj historie hebraike, që mund të lexohen vetëm duke u përpjekur për të kuptuar përvojën shpirtërore, që e ka frymëzuar tregimin. Profetët ishin të zakonshëm në Lindjen e Lashtë, sidomos, si këshilltarë të dinastive të ndryshme mbretërore. Por Isaia e, para tij, edhe Samueli, Elia, Elizeu e të tjerë, e shndërruan rolin e tyre në thirrje! Profecitë e tyre nuk lindin nga përbrendcat e kafshëve, por nga misteri i zërit të Zotit.

Profeti është njeri i Fjalës së Hyut. Ai nuk ka forcë tjetër, përveç së vërtetës dhe ndershmërisë së fjalëve të veta. E pikërisht fjalët e Isaisë do të tingëllojnë me një forcë të paparë, në mesin e luftrave kundër mbretërve asirë e babilonezë, pasi profeti u del ballë për ballë mbretërve, krerëve të popullit të vet, kombeve të huaja, pa frikë, duke pohuar fjalët vendimtare: “Kështu thotë Zoti…”. Shtangemi para këtij lumi fjalësh të zjarrta, që denoncojnë mëkatin, kërkojnë me ngulm pendesë e shprehin shpresën në të ardhmen me një elegancë letrare të jashtëzakonshme e me aftësi të dukshme lirike. Prandaj, para se t’i kuptojmë ngjarjet, teksti duhet lexuar emotivisht.

“Kështu thotë Zoti…”

Vetë Isaia na tregon çastin kur e kaplon vala e misionit. Jemi në kapitullin 6. Isaia sheh lavdinë e Zotit në tempull e dëgjon serafinët të shpallin: “Shenjt, shenjt, shenjt”. Është himni, që e përsërisim edhe sot në liturgji. Profeti e ndjen se ka një mision, atë të purifikimit të tempullit e të popullit të çnderuar nga një fe e papastër, që fshihet pas flijimeve e holokausteve, por është larg nga besëlidhja e etërve me Zotin. E kapitujt në të cilët profeti dënon hipokrizinë e kultit kanë në vetvete një forcë të pavdekshme.

         Isaia denoncon sjelljen e bashkëkombasve dhe paralajmëron ç’do të bëjë Zoti me ta: Hyu do ta dënojë Izraelin për tradhtinë e tij e hija e shkatërrimit të Jeruzalemit dhe e mërgimit në Babiloni ndehet vazhdimisht mbi libër e, megjithatë, libri i Isaisë konsiderohet, me të drejtë, libër mesianik. Isaia profet është më i cituari në Besëlidhjen e Re, pikërisht sepse me fjalët e tij paralajmëron ardhjen e Mesisë e shpreh etjen e popullit të vet për të. Por për këtë do t’ju flasim në emisionin e ardhshëm.

14 qershor 2018, 12:41