Kërko

Zoja e Monte Marios Zoja e Monte Marios 

65 vjetori i Zojës së Monte Marios, në Romë

Histori e një fytyre dhe e një premtimi të mbajtur. Të inkurajuar nga Papa Piu XII, romakët luten dhe i bëjnë një premtim Zojës Salus Populi Romani, që qyteti të kursehet nga ndeshja përfundimtare ndërmjet gjermanëve dhe aleatëve.

R.SH. - Vatikan

Itali, 1944. Aleatët zbarkojnë në Anzio në janar, Linja Gustav thyhet, gjermanët tërhiqen, amerikanët përparojnë drejt Romës. Kryeqyteti italian është akoma në duart e gjermanëve e të gjithë kanë frikë nga një ndeshje e mundshme ballë për ballë, vendimtare, që do ta pështjellonte Romën e realitetin e saj njerëzor, historik, arkeologjik e fetar. Frika është e madhe.

Thirrja e Papës Piu XII

         Atë vit, festa e shenjtërores së Dashurisë Hyjnore bie më 28 maj e, Papa Piu XII i fton të gjithë romakët t’i luten Zojës e t’ia besojnë fatet e Romës asaj, që ta shpëtojë nga lufta vëllavrasëse. Ndër miqtë dhe ish-nxënësit e orioninëve, që e dëgjojnë thirrjen e Papës, ndodhej edhe Giovanni Battista Montini, Papa i ardhshëm Pali VI. “Po premtimin – pyet e sugjeron – doni ta bëni ju apo doni ta bëjë i gjithë qyteti?” Njëzëri u përgjigjën se do të përfshihej gjithë Roma.  

Premtimi i gjithë qytetit

         Kështu, nëpër rrugët e sheshet e Romës, të rinjtë e Kongregatës së themeluar nga don Orione - shenjt i kanonizuar nga Gjon Pali II në maj 2004 – arrijnë të mbledhin një milion e 100 mijë firma. Papa i ardhshëm Pali VI, si promovues e ndërmjetësues, u kujdes që lista të mbërrinte në Vatikan e, në pak ditë, Selia e Shenjtë e miraton atë. Më 4 qershor 1944, në kishën e Shën Injacit të Lojolës, u shqiptua solemnisht premtimi i trifishtë i romakëve: kthimi i zemrave kah Zoti, një vepër bamirësie dhe një shenjë kulti.

Roma shpëton: fjalët e Papës

Zoja e shpëtoi qytetin nga lufta e hapur, rrugë më rrugë, siç dëshmojnë edhe fjalët e Papës Piu XII, i cili të dielën e mëpasme, më 11 qershor, shkoi në kishën e shën Injacit për ta falenderuar:

“Zoja jonë e Papërlyer, edhe një herë, e shpëtoi Romën nga rreziqe të mëdha e të afërta… jemi dëshmitarë të kësaj sigurie, që duhet të na e mbushë shpirtin me mirënjohje të thellë ndaj Zotit e ndaj Nënës së Tij të kulluar”.

Plotësimi i premtimeve

         Pikërisht në ato ditë i telefonoi Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit gjenerali Mark Clark, i cili vuri në dukje gjendjen e të miturve, që endeshin rrugëve. Kongregata e don Orionit i mori kështu përsipër, në dy strukturat, që edhe sot, përbëjnë qendrën e Veprës së orioninëve në favor të jetimëve dhe të të gjymtuarve. Shtatorja kushtuar Virgjërës iu besua skulptorit hebre Arrigo Minerbi, i cili i çoi të rinjtë të mblidhnin bakër nëpër qytet. Po ç’fytyrë t’i jepte Nënës së Krishtit? Kjo, pyetja që e mundonte. Atëherë, mendoi për fjalën e popullit, që thotë se djali i parë i ngjan së ëmës e, kështu, modeli për fytyrën e Zojës u bë Sindona e vulosur me fytyrën e Krishtit. Shtatorja e punuar me bakër, hekur dhe bronz, është 9 metra e lartë, me një dorë që tregon qiellin e me tjetrën të shtrirë përpara. Më 4 qershor 1953 u vendos në kodrinën e Monte Marios. Është shenja e kultit e premtimit të romakëve; është tejet e bukur dhe e ndritshme që të shihet nga larg, ndërsa vijon të vigjëlojë mbi Qytetin e Amshuar dhe mbi banorët e tij, sot, pas 65 vjetësh e, edhe në të ardhmen.

04 qershor 2018, 14:29