Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Mitropoliti Rastislav, Primat i Kishës ortodokse në Tokat Ҫeke dhe në Sllovaki Mitropoliti Rastislav, Primat i Kishës ortodokse në Tokat Ҫeke dhe në Sllovaki 

Papa pret Primatin ortodoks të Tokave Ҫeke dhe të Sllovakisë

Do të jetë vizita e tij e parë tek Ati i Shenjtë. Primati Ratislav ndodhet në Romë që sot e deri më 12 maj. Kryeson Kishën më të vogël e më të re ortodokse autoqefale.

Klaudia Bumçi/Sergio Centofanti - Vatikan

Më 11 maj, Papa Françesku do të presë në audiencë Fortlumturinë e Tij, mitropolitin Rastislav, kryepeshkop i Preshovës, Primat i Kishës ortodokse në Tokat Ҫeke dhe në Sllovaki. Është hera e parë, që ai e takon Atin e Shenjtë, pas zgjedhjes në krye të ortodoksëve çekë e sllovakë, në janar 2014. Njoftimin e jep Këshilli Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve. Takimi ndjek vizitën e kreut të Dikasterit, kardinalit Kurt Koch, në tetorin e kaluar, në Bratislavë dhe në Preshov.

Programi i vizitës

         Primati ortodoks ka mbërritur tashmë në Romë e qëndron si mik në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Nesër, më 10 maj, do të kremtojë Liturgjinë Hyjnore pranë varrit të Shën Cirilit në Bazilikën e Shën Klementit; pastaj, do të vizitojë Bazilikat e Shën Pjetrit, të Shën Marisë së Madhe dhe të Shën Palit jashtë Mureve. Më 11 maj do të takohet fillimisht me kardinalin Kurt Koch, pastaj me Papën Françesku. Pasdite, do të vizitojë katakombet e Shën Sebastianit. Më 12 maj, nisja nga Roma. Mitropoliti Rastislav do të shoqërohet edhe kryepeshkopi i Mihalovces dhe Koshices, Juraj, si edhe nga kryepeshkopi i Pragës dhe i Tokave Ҫeke, Mihal.

Kisha më e re ortodokse autoqefale

         Kisha ortodokse e Tokave Ҫeke dhe e Sllovakisë është një nga 14 Kishat ortodokse autoqefale të traditës bizantine. Është themeluar e fundit ndër Kishat vendore e është më e vogla për nga numri i besimtarëve, me rreth 71 mijë ndjekës (21 mijë në Republikën Ҫeke e 50 mijë në Sllovaki), por të drejtat e saj në bashkësinë ortodokse janë të njëjta me ato të Patrikanave apo të Kishave të tjera autoqefale. Ungjillëzimi i tokave çeke e sllovake ka si protagonistë Shën Cirilin e shën Metodin, Pajtorë të Evropës. Kisha ortodokse e këtyre zonave është deklaruar e pavarur nga Moska në vitin 1946, është njohur si autoqefale nga Patrikana e Moskës në vitin 1951 e më 1998, edhe nga Patrikana e Kostandinopojës. Vizita e primatit të kësaj Kishe në Romë bëhet në vazhdën e dialogut ekumenik e të përpjekjeve për bashkimin e gjithë të krishterëve. Një kuriozitet: emri Rastislav, marrë nga mitropoliti kur u bë murg, është i princit të Moravisë së madhe, që ftoi shenjtorët Cirili e Metodi të ungjillëzonin popullin e tij.

09 maj 2018, 14:29