Kërko

Zoja Lurdë Zoja Lurdë 

Maria u vu për udhë… shqiptarët, për në Gjenacan

Më 27 maj, shqiptarët do të mblidhen përsëri në Gjenacan, te Zoja e Këshillit të Mirë

R. SH. - Vatikan

Me Marinë, që në faqet e Ungjillit shtegton drejt Galilesë, këtë të dielë  të fundit të majit u vunë për udhë edhe shtegtarët në mbarë botën e krishterë. Qindra shtegtime në shenjtëroret më të njohura mariane të botës, nga ekuadori i përvëluar, në viset e  ngrira të poleve. E në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, ku Papa kremtoi si zakonisht lutjen mariane, duke kujtuar ditët e fundit të majit të Zojës. E sot edhe shqiptarët u mblodhën përsëri në Gjenacan. Kthim simbolik në atdhe, ky, te Shenjtërorja rrëzë Kështjellës, ku sot gjunjëzohen shumë nga të afërmit e tyre. Krijohet kështu një zinxhir i artë, i pakëputur urate, një lidhje shpirtërore e thellë, në Eukaristi, në kujtime, në bisedat në gjuhën amë.

U mblodhën, si përvit, nga të katër anët e Italisë e të botës, për të përsëritur një devocion, që lidhet me ikjen e figures së Zojës nga Shkodra, në Gjencan e me rikthimin e saj në Shkodër, në duart e një Shenjti, Papës Gjon Pali II, më 23 prill 1993. E jo më pak, me rrënimin e rindërtimin e Kishës rrëzë Kështjellës Rozafa, ku gjatë gjithë majit të Zojës e gjatë gjithë vitit, mblidhen qindra shtegtarë, aq sa kisha e vogël nuk i nxe.

Pajtorja e shqiptarëve deshi përsëri ta përfundojë muajin, që i është kushtuar, e rrethuar nga bijtë e vet, të cilët mblidhen për vit për t’u çmallur me Të e me njëri-tjetrin. Sivjet Mesha Shenjte filloi në orën 11.00, e kryesuar nga imzot Gjergj Frendo, kryeipeshkëv metropolit i Tiranë-Durrësit dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë. Pas Meshës pikniku i zakonshëm, me biseda në gjuhën amë ndërmjet miqve e dashamirëve, të cilët takohen e çmallen rrallë me njëri-tjetrin. Çmallje mërgimtarësh që, në shtëpinë e Zojës, ndjehen si në shtëpi të vet.  

 

 

 

27 maj 2018, 18:18