Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Kthimi i martirëve të Libisë në Egjipt Kthimi i martirëve të Libisë në Egjipt  (AFP or licensors)

Kthehen në Egjipt kufomat e “martirëve koptë të Libisë”

Të hënën mbrëma, këmbanat e kishave e të manastireve të krishtera ranë për mort në gjithë Egjiptin, për të kremtuar kthimin në tokën e tyre të kufomave të 21 të krishterëve koptë, “martirë të fesë e të atdheut”, të cilëve iu pre koka në Libi, në vitin 2015, nga terroristët e Shtetit Islamik.

R.SH. - Vatikan

Pas tre vjetësh e tre muajsh nga masakra barbare, ç’ka mbetur nga trupi i viktimave u transportua me avion nga Libia në Kajro, ku i prisin me nderim Patriku kopto-ortodoks Tawadros, si edhe ministrja egjiptiane për emigracionin, Nabila Makram.

Pas masakrës, 21 koptët shkruhen në librin e martirëve të Kishës

         Koptët – martirë të Libisë – u çuan në fshatin Our, në provincën e Minya-s, nga e kishin origjinën 13 prej 21 të martirizuarve. U vendosën në kishën-shenjtërore, ngritur enkas për të ruajtur kujtimin e tyre, përuruar solemnisht më 15 shkurt. 21 koptët egjiptianë u rrëmbyen në Libi në fillim të janarit 2015. Videoja, ku shihen xhihadistët, që u presin atyre kokën, njihet tashmë në të gjithë botën, pasi qarkulloi në internet, duke filluar nga 15 shkurti i po atij viti. Vetëm një javë pas masakrimit, Patriku kopto-ortodoks Tawadros vendosi t’i shkruajë të 21-tët në librin e martirëve të Kishës kopte, duke caktuar 15 shkurtin si ditën e përkujtimit të tyre liturgjik.

21 koptët u identifikuan përmes ADN-së

         Kufomat e koptëve, vrarë kaq barbarisht, u identifikuan shtatorin e kaluar në një varr të përbashkët në bregdetin e Libisë, pranë qytetit të Sirtes. Ishin hedhur në këtë gropë makabër me duar të lidhura pas shpine, veshur me tutën ngjyrë portokalli, që e kishin në trup gjatë ekzekutimit, ndërsa kokat e prera u gjetën aty pranë. Analiza e ADN-së i dha emrin çdo kufome.

Vula e martirizimit: emri i Jezusi pëshpëritur para vdekjes

         “Video, ku tregohet ekzekutimi i tyre – shpjegon për agjensinë Fides, ipeshkvi kopto-katolik i Guizeh, imzot Anba Antonios Aziz Mina – është montuar si skenë ngjethëse kinematografike, me qëllim përhapjen e terrorit. E megjithatë, në atë produkt djallëzor filmik, në atë tmerr gjakatar, shihet qartë se disa nga martirët, në çastin e ekzekutimit të tyre barbar, përsërisin ‘O Zot Jezu Krisht’. Emri i Krishtit ka qenë fjala e fundit, që shqiptuan buzët e tyre. Ashtu si martirët e parë, ia besuan veten Atij, që pas pak, do t’i priste në qiell. E kështu, kremtuan fitoren e tyre, fitoren, që asnjë gjakpirës nuk mund t’ua mohojë. Ai emër, pëshpëritur në çastin e fundit, i vuri vulën martirizimit të tyre”.

Egjipti jetoi një ditë të rëndësishme

         Siç thotë në intervistën me Radio Vatikanin, zëdhënësi i Kishës Katolike, atë Hani Bakoun, me riatdhesimin e 21 martirëve koptë, trupat e të cilëve janë tashmë relike për besimtarët, Egjipti jetoi një ditë të rëndësishme, si në nivelin kishtar, ashtu edhe në atë politik. Duke filluar nga presidenti Al Sisi e deri tek i krishteri i fundit, të gjithë u mblodhën në lutje para 21 kufomave, ardhur nga Libia. Kisha Katolike i dërgoi një mesazh Patrikut kopto-ortodoks Tawadros. “Me vdekjen e tyre, duke dhuruar gjakun – pohon atë Bakoun – 21 koptët fituan mbi të keqen e, martirizimi i tyre, sigurisht, do të sjellë fryte”.

16 maj 2018, 14:35