Versioni Beta

Cerca

VaticanNews
Imzot Romero, nga altari i martirizimit, në të shenjtërimit Imzot Romero, nga altari i martirizimit, në të shenjtërimit 

Imzot Romero, nga altari i martirizimit, në të shenjtërimit

Imzot Romero, shenjt më 14 tetor 2018, mbetet në kujtesën e Kishës e të popullit si kundërshtar i papajtueshëm me dhunën dhe padrejtësitë, që rëndojnë mbi kurrizin e popujve.

R. SH. - Vatikan

Óscar Arnulfo Romero y Galdámez (Ciudad Barrios, 15 gusht 1917- San Salvador, 24 mars 1980) ishte ipeshkëv katolik salvadorian. Kryeipeshkëv i San Salvador, kryeqytet i El Salvador, u vra nga një snajper i skuadrave të vdekjes, për shkak të denoncimit të hapur të dhunës, ushtruar mbi popullin e  thjeshtë nga diktatura ushtarake e vendit të tij. Ishte në altar, kur e vranë. Po kremtonte Meshën në kapelën e një spitali. E gjatë dhe e ndërlikuar, udha e lumnimit të tij, përfunduar më 23 maj 2015. Më e shkurtër, ajo e lartimit në altar, që pritet më 14 tetor 2018. Imzot Romero mbetet në kujtesën e Kishës e të popullit si kundërshtar i papajtueshëm me dhunën dhe padrejtësitë, që rëndojnë mbi kurrizin e popujve.

Refuzim i dhunës e respekt për jetën

Imzot Romero - ka shkruar Papa Françesku në një letër me rastin e  lumnimit të kryeipeshkvit salvadorian - na fton të reflektojmë për jetën, ta respektojmë, atë e harmoninë ndërmjet njerëzve. Na kujton se duhet hequr dorë nga shpata e urrejtjes, për të jetuar dhunën e dashurisë, atë dhunë, që e la Krishtin të gozhduar mbi një kryq; pikërisht atë, që përpiqet të bëjë secili për ta mundur egoizmin e për ta zhdukur pabarazinë e pamëshirshme ndërmjet njerëzve.

Dashuria për të varfërit

“Ai diti ta shikojë dhe ta provojë mbi korpin e vet - lexohet akoma në letrën e Papës - egoizimin e fshehur në zemrat e atyre, që  pasuritë i duan vetëm për vete, pa menduar fare se ka edhe të tjerë. E, me zemër ati, thellësisht i shqetësuar për shumicën e varfër, u kërkoi të pushtetshëmve të heqin dorë nga armët e t’i kthejnë “pallat në parmenda”.

Imzot Romero, zë që nuk shuhet

Zëri i imzot Romeros - vijon letra e Papës Françesku - vijon të jehojë, për të na kujtuar se Kisha, mbledhje e vëllezërve rreth Krishtit, është familje e Zotit, ku nuk mund të ketë pabarazi e përçarje.  Feja në Krishtin, e kuptuar besnikërisht dhe e pranuar deri në pasojat e mbrame, lind bashkësi, që dinë të krijojnë paqe e solidaritet. Për këtë është e thirrur Kisha në El Salvador, në Amerikë e në mbarë botën: “Të jetë e pasur me mëshirë e të bëhet tharm pajtimi për mbarë shoqërinë”.

19 maj 2018, 16:36