Cerca

Vatican News
Vergine Maria, Madre di Dio, Madre della Chiesa Vergine Maria, Madre di Dio, Madre della Chiesa 

Festa e Zojës së Këshillit të Mirë, pajtores së popullit shqiptarë

Më 26 prill, kalendari kishtar, përkujton një nga të kremtet më të dashura për besimtarët katolikë shqiptarë: festën e Zojës së Këshillit të Mirë, të njohur edhe si Zoja e Shkodrës. Në këtë festë të shenjtë të Zojës së Këshillit të Mirë, pajtores së popullit shqiptarë, i lutem Hyjit që paqa, bekimi dhe dashuria e Zotit të mbretëroj në popullin dhe familjet tona!

R-SH. - Vatikan

Festa e Zojës së Këshillit të Mirë, pajtores së popullit shqiptarë

Më 26 prill, kalendari kishtar, përkujton një nga të kremtet më të dashura për besimtarët katolikë shqiptarë: festën e Zojës së Këshillit të Mirë, të njohur edhe si  Zoja e Shkodrës. Në këtë festë të shenjtë të Zojës së Këshillit të Mirë, pajtores së popullit shqiptarë, i lutem Hyjit që paqa, bekimi dhe dashuria e Zotit të mbretëroj në popullin dhe familjet tona! 

Në Qytetin e Veriut të Shqipërisë, Shkodër që prej kohëve të lashta nderohej me përkushtim të veçantë, një figure e mrekullueshme e Zojës. Është ajo figure që sot ndodhet në Gjenacan të Italisë. Historia e saj, është vetë historia e katolicizmit ndër shqiptarë, katolicizëm i cili, me vdekjen e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, më 1468, nisi udhën e vet të kryqit. Në sa një pjesë e madhe e banorëve, gjatë pesë shekujve të robërisë, do të shtrëngohej të ndërronte fe e një pjesë tjetër do të merrte rrugët e mërgimit, vetëm një pakicë do të mbetej besnike, duke vuajtur porsi gjarpri nën gur për shekuj e shekuj.

E pikërisht në këtë kohë, rreth vitit 1467, kur një ushtri e re e madhe e sulltanit u dynd mbi Shkodër, sipas gojëdhënës, figurja e Zojës u shkëput nga muri i Shenjtërores rrëzë Kështjellës së Rozafës, për të mos u dhunuar nga hordhitë anadollake. E mbartur nga engjëjt, mbështjellë prej një reje – vijon gojëdhëna- u ndalua në Gjenacan, afër Romës.

Gojëdhëna tregon edhe se Figurën e mrekullueshme e përcollën dy shkodranë, rojtarë të shenjtërores, e ndërsa ecnin me sytë lart, pa u kujtuar as ata vetë, e kaluan në këmbë detin Adriatik. Si arritën në Romë, figurja u zhduk nga sytë e tyre. Por nuk vonoi e në të gjithë Italinë u hap zëri se një figure e mrekullueshme kishte zënë vend në muret e Shenjtërores së Gjenacanit, ku me ndërmjetësinë e saj po kryheshin mrekulli të panumërta. Ishte data 25 prill 1467.

Që asokohe nisën shtegtimet e besimtarëve drejt Gjenacanit, e Zoja jonë e Këshillit të Mirë, Pajtorja qiellore e shqiptarëve, nisi të nderohej edhe në Itali, Gjermani, Austri e më vonë edhe në kontinente të tjera, me të njëjtën figure, që vijon të nderohet në Gjenacan.

Figurja e Zojës është e pikturuar me teknikën e afreskut. Është e lartë 45 centimetra dhe e gjerë 40 centimetra. Duket sikur qëndron e varur në ajër, duke u mbështetur vetëm paksa në pjesën e djathtë të bazamentit. Koka e Krishtit Fëmijë është pikturuar krejt pa flokë. Dikush ka thënë se është pikturuar kështu sepse në Shqipëri aso kohe ishte zakon që fëmijëve t’u qetheshin krejtësisht flokët. Koha kur u krijua kjo vepër arti dhe autori i saj nuk dihen me siguri. Në se nisemi nga stili i punimit, do të përcaktonim shekullin XIV si periudhë kur u krijua vepra. Sipas mendimeve, e më shumë dëshirave të shprehura deri më sot nga studiuesit shqiptarë, piktura mund të jetë vepër e ndonjërit nga 80 piktorët e shquar vendas, që përmenden në veprën e Gelçiçit.

Kjo figure, pra, nderohej në kishën e vogël dy herë të rrënuar të Zojës rrëzë Kështjellës Rozafa, një nga më të vjetrat në Shqipëri. Në këmbë apo gërmadhë, Kisha mbeti gjithnjë cak shtegtimi. Nuk ka besimtar që duke kaluar andej, edhe pas vitit 1967, kur kisha u rrënua për herë të dytë nga diktatura enveriane, të mos jetë lutur në heshtje për ditë më të mira me një lutje tradicionale, që i qëndroi kohës, më shumë se muret:

“O Zoja e Bekueme, Nana e Këshillit të Mirë, po të thërrasim ty, që je Bija e zgjedhuna e Zotit Atë, Nana e Jezu Krishtit, Nusja e Shpirtit Shenjt, Tempull i së Shenjtnueshmes Trini: ndërmjetëso për ne në qiell!”.

E kur Kisha u rindërtua, Lutja u pasurua me fjalët:

Ndër duert tua të fuqishme, o Nanë e Mëshirës, po e lëshojmë të dashtunin kombin tonë, megjithsè jemi mëkatnorë të mjerë e të padenjë. Po të falënderojmë se na je gjetë e na ke ndihmue me kujdesin e një Nane të vërtetë në dimnin e gjatë e të vështirë të persekutimit, i cili na shkaktoi viktima të panjehuna, martirë që tash ndërmjetësojnë për ne në qiell. Po të falënderojmë që na e nxore nga Zoti hirin e rikthimit të pranverës së lirisë fetare e qytetare, e cila i hapë rrugën ndërtimit të një shoqnie ma të drejtë e ma vëllaznore”.

E ndërsa besimtarët luteshin e luten në Kishën rrëzë Kështjellës, mendja nuk mund të mos u fluturojë në Gjenacan, afër Romës, atje ku Zoja Mërgimtare, si qindra mijëra shqiptarë në kohë të lashta e të reja, ndërmjetëson përsëri për fatet e Kombit shqiptar. Duam të shtojmë se festa e Zojës së Këshillit të Mirë, kremtohet solemnisht edhe në Kosovë, ku në qytetin e vogël të Klinës ka një Kishë të bukur.

Ndër kambë tua, Zoja Mërí

Ndër kambë tua, Zoja Mërí,
Janë tue ardhë, qe, tanë bijt t’tú;
Merr dhantinë, që me dashtëní
Zêmra e jonë, o Nanë, t’kushton.

Por n’mos kjoshin zêmrat tona
Aq të bardha, porsi lili:
Ti jé Nana gjithë e jona,
Tjeter shpirti s’na kerkon.

Nanë e dashtun, Nanë e lume,
Nanë e Zotit n’ty mishnue,
Ti e din mirë se n’jetë t’shkretnueme,
Zêmra e eme, o Zojë, ankon.

Ty, o e Qiellve bukuria,
Ty, që ndrite prosi diell,
T’falet, Zojë, t’falet, Maria,
Zani i em, kah lavde t’kndon.

Sheklli e ferri, ah! sa mundohen 
Me m’vû prita, n’mëkat me m’ rrxue;
As un’ s’kam se kuj i ankohem,
Veç Ty, o Nanë, që t’mirën m’don. 

Kur kah Ti un’ sytë i priri,
Njallem n’zêmër plot uzdajë,
Zojë, prej Teje na rrjedh hiri,
Nper Ty shpirti, o Nanë shêjtnon.

Due me t’ dashtë, me t’ dashtë gjithhera,
M’u ndezë flakë n’dashtëní për Ty ;
Me t’avitë due zêmra tjera
Me t’kndue ‘ i lavd që Ty t’madhnon.

Ardhët, po, ardhët, ah! shpejt ardhët dita,
Qi i shkatërruem prej shekllit t’mjerë,
Fluturim, si gjithherë prita,
Ardhsha atje, ku Ti lumnon.

E atje n’qiellë, po para fronit
Shpirti em tue u permbysë,
Ka me u gëzue pergjithmonit:
Tjeter zemra, O Nanë s’m’ dishron. 

 

Si shkambi n’per rrymë të shekujve
Muret qendrojnë jetike,
Ngulun për rranzë themeleve
t’Rozafës sonë Kreshnike.

Dhe sot, qe feja nipave
Shpresat prap ua gjallnoi,
Le të shkruhet mbi ballë të mureve:
“Nanës që na vorfnoi!”

Njasajë që i ditë prej sulmeve
T’kulshedrës me shtatë krena,
Na u ba mburojë, e të nemuna
S’ duroi t’i shohë kto dhena.

Njasajë… por vaj, na fajeve
Në verbim s’u vume cak,
E Nanës iu randue zemra,
Iku, e la ket prak!

O ju, që parzme hekuri 
Luftuet për besë e fe,
Idhtë tue valvitun flamurin, 
Shenjtnue me gjak e be,

Zgjoniu nën rrasa t’heshtuna,
Çoniu me pa mjerim!
Ndihma e Arbnisë s’pamposhtun
Ç’u ba?… Si drita u shkim!

Po a kurrë thue, ma kurrë Virgjina,
- me gjamë ka e thrret Shqipnia,-
S’do të ndrisë, si ndriti moteve
Përbrî Rozafës… Maria?!

Tepër lënguem kso shtigjesh,
Si fmija mbetë pa nanë,
Per ne ma dritë nuk lëshuene
As yj, as diell, as hanë!

Po a kurrë, ma kurrë s’do të ngrohemi?!
Pa shpresë do të rrimë të presim?
Po a e heshtun gjithmonë vallja
Do të mbesë në terr kah dënesim?!

Jo, jo! Pse qiellëve të epëra 
Zoti me dorë të vet
Ka shkrue: “E Zojës asht Shkodra,
e Zoja e Shkodrës së vet!”.

Qe te ato mure të ndrituna,
- zemra m’a ndien - ’i zani
Një popull në hov të galdimeve
tue brohoritë: “O ngani!”

Ktheu NANË! O ditë ma e bukura
Që Arbnia pret, ago!
Nanë ktheju e epnae hirin:
“N’ Fè Shenjte na vllazno!

Atë Pjetër Meshkalla S.J.
Shkodër, 1927

14 maj 2018, 14:35