Të rinj të krishterë, hebrenj dhe myslimanë në dialog
R.SH. / Vatikan
Të rinjtë nga Izraeli, Palestina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të takohen në Romë nga 2 deri më 5 shkurt të ardhshëm për të jetuar një përvojë ndërfetare me rastin e “Meaning Meets Us”, organizuar nga Scholas Occurrentes, Middle Meets dhe tre Universitete: ai i Senso, ai Hebraik i Jeruzalemit dhe ai i Notre Dame. Në një botë të karakterizuar nga polarizimi dhe fragmentimi — njofton Shoqata Ndërkombëtare Private e Besimtarëve —, nisma synon t'i përgjigjet krizës së kuptimit, duke promovuar edukimin dhe takimin si mjete themelore për mirëkuptim dhe paqe.
Takimi mbahet në Vatikan dhe në vende të ndryshme të Romës, ku pjesëmarrësit, që i përkasin traditave myslimane, hebraike dhe të krishtera, do të gjallërojnë aktivitetet edukative dhe artistike të krijuara nga Scholas dhe seancat speciale të Middle Meets, të lindura pas sulmeve të Hamasit kundër Izraeli në tetor 2023.
Në përgjigje të nevojës për të krijuar hapësira për dëgjim dhe mirëkuptim, studentët e Universitetit Hebraik kanë krijuar një program që propozohet si model i dialogut të hapur dhe konstruktiv. «Ky takim është një dëshmi se dialogu ndërfetar është i mundur dhe i nevojshëm. Është një ftesë drejtuar botës për të parë që të rinjtë mund të udhëheqin ndryshimet» dhe «është domethënëse ta bësh këtë gjatë këtij viti jubilar, që ka si qendër faljen dhe shpresën», tha José María del Corral, presidenti botëror i Scholas Occurrentes.
Profesor Elitzur Bar-Asher Siegal i Universitetit Hebraik, kreu i projektit Middle Meets, thekson: «Ndërsa akademia sot lufton për të vendosur një ekuilibër midis lirisë së shprehjes dhe dialogut të respektueshëm, midis censurës dhe mbrojtjes së të drejtave, ky projekt dëshiron të na kujton se universiteti duhet të jetë një hapësirë për debat të ndershëm dhe analitik të bazuar në njohuri. Nëpërmjet bashkëpunimit midis Scholas Occurrentes dhe Middle Meets, ne gërshetojmë intelektin dhe emocionin për të promovuar dialogun autentik dhe të guximshëm. E kur kjo ndodh në mes të një konflikti midis kombeve ndërluftuese, hapet një fije shprese. «Kur mbizotëron dhimbja dhe frika, ne zgjedhim dialogun. Pas 7 tetorit, kuptova se sa jetike është të dëgjosh, bashkëndajmë dhe njohim njerëzimin tek tjetri. Nuk është e lehtë, por është hapi i parë drejt shërimit të vërtetë», i bën jehonë Khitam Bader, lehtësues i grupeve të dialogut ndërfetar dhe ndëretnik, i cili drejton komponentin emocional të aktivitetit Middle Meets. Që nga themelimi, Scholas Occurrentes ka promovuar dialogun ndërfetar përmes përvojave arsimore.
Iniciativa të tilla si murali 4 km i krijuar me rastin e Ditës Botërore të Rinisë në Lisbonë 2023, i njohur si Kapela Sistine e gjeneratave të reja, dhe poliedri i fundit i ndërtuar në Indonezi me pjesëmarrjen e mbi një mijë vajzave dhe djemve katolikë dhe myslimanë (në foto takimi me Papën në Xhakartë më 4 shtatorin e kaluar), janë shembuj konkretë të kësaj metodologjie. Për më tepër, që nga viti 2017 çdo vit Scholas Occurrentes ka organizuar një takim global të të rinjve që i përkasin feve të ndryshme me World ORT.