Siria, shpresë dhe liri për një vend, që dëshiron të rimëkëmbet
R.SH. – Vatikan
Siria, ku sapo ka rënë regjimi i ish-presidentit Bashar Al Asad, po kalon kohë të ndërlikuara, me popullin sirian, që me pasione, shpresa dhe emocione, të cilat i bien ndesh njëra-tjetrës, po përjeton këtë agim me rrezatime vërtet shumëngjyrëshe, por tejet të pasigurta.
Përgjithmonë
Al-Abad, përgjithmonë. Për 53 vjet, “Assad përgjithmonë” ka qenë lajtmotivi i diktaturës së Hefezit në fillim dhe më pas, i Basharit. Turmat që, nga veriu në jug, festuan rënien e saj të papritur, vetëm në njëmbëdhjetë ditë marshim rebel, e shndërruan atë në thirrjen: "Mafi li al-abad", ose "asgjë nuk zgjat përgjithmonë". Nënat e përsëritën këtë ndërsa mbështillnin të porsalindurit me flamurin e Sirisë së re – me jeshilen që zëvendësonte të kuqen e Partisë Ba'ath dhe tre yjet e provincave kryesore të vendit në qendër. Bërtisnin edhe ata, që kanë dyshime për kursin e ri të kombit, nën hijen e një formacioni xhihadist, i cili përmbysi klanin Asad, anëtar i pakicës alavite, pak më shumë se dy milionë njerëz nga 23 milionë, 70 për qind e të cilëve sunitë. Prej kësaj pakice vinin edhe krerët, gradat më të ulëta të forcave të sigurisë dhe milicia e egër “Shabbiha”, që bënte “punën më të ndyrë” të regjimit. Nëse ka një vend bashkëkohor ku koha ka treguar natyrën e saj të dyfishtë të përjetësisë dhe të lëvizshmërisë së skajshme, ai është Siria. Pranvera e vitit 2011 i dha fill një lufte civile pa fund, larg mediave dhe përparësive ndërkombëtare. Falë mbështetjes së Rusisë dhe Iranit, regjimi i Asadit u rezistoi trazirave revolucionare kundër të gjitha parashikimeve. Opozita laike dhe e paarmatosur u masakrua, ose u detyrua të ikte. Fraksionet islamike dhe kurde vazhduan të vepronin në periferi të kombit. Situata dukej e destinuar të zvarritej kështu përgjithmonë.
Atë Paolo Dall’Oglio
Pastaj, befas, diktatura u shemb nga brenda: në fakt, trupat e rebelëve nuk hasën asnjë pengesë në marshimin e tyre drejt kryeqytetit. Ishte i dobët, sepse populli sirian e kishte nxjerrë nga zemra Bashar al-Asadin shumë vite më parë, deklaron "abuna" Jihad Youssef, epror i Mar Musa, bashkësisë murgare themeluar nga jezuiti italian Paolo Dall'Oglio, për të cilin nuk dihet më asgjë që nga korriku i vitit 2013, kur u rrëmbye e u zhduk. Por fotografia e tij mbahej lart nga turmat e Sirisë së re, pasi sirianët nuk e harrojnë atë, që bëri ç’është e mundur për të shmangur gjakderdhjen e luftës civile, duke u përpjekur të hapte një linjë dialogu ndërmjet palëve. Fatkeqësisht, nuk u dëgjua, siç shpjegon Jacques Murad, bashkëpunëtori i parë i Dall'Oglio në Mar Musa në vitet ‘90 dhe ipeshkvi aktual i Homsit, që konsiderohet "kryeqyteti i revolucionit". Protestat e vitit 2011 filluan në sheshin e tij të Sahatit të Ri dhe në Daraa. Masakra e qindra demonstruesve më 19 prill 2011 shënoi pikën e kthesës nga pranverë arabe në luftë civile, me më se gjysmë milioni të vdekur – 100.000 prej të cilëve në burgje — 13 milionë të zhvendosur dhe refugjatë, më se 150.000 të zhdukur sipas organizatave humanitare, megjithëse lista zyrtare e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar ndalet në 35.000 vetë. Shumë prej të vdekurve përfunduan në varrezat masive. Thuhet se kur deshën të zhvendosnin njërën prej tyre, ndërmjet viteve 2021 e 2022, mbushën katër kamionë në ditë për një muaj të tërë. Varreza nën kontrollin e njerëzve më të ngushtë të Asadit, si i vëllai, për shembull, që tani po dalin në dritë në gjithë vendin.
Liri e shpresë
“Hyriya”, liri, është fjala që dëgjohet më shpesh kudo në Siri, në një shpërthim gëzimi kolektiv, që përpiqet të shtyjë për më vonë pyetjet mbi të ardhmen e pasigurtë, mbi zhvillimet politike të këtij revolucioni, pavarësisht nga fjalët qetësuese të atyre, që e bënë. I premtuan gjithë botës respektimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, hoqën shërbimin ushtarak të detyrueshëm, që mund të zgjaste edhe 10 vjet, por bërthama xhihadiste e grupit kryesor rebel ngjall jo pak shqetësime. Në Idlib – provincë, të cilën rebelët e kontrollojnë që nga viti 2017 - zbatohet sharia, por jo me shumë rreptësi e me tolerancë ndaj të krishterëve. Përsëritja e këtij modeli në shkallë kombëtare nuk është gjë e lehtë, pasi lufta dhe sanksionet ndërkombëtare e kanë shkatërruar ekonominë e Sirisë, duke e çuar drejt varfërisë 90% të popullsisë.
Pa nisur nga kjo e fundit nuk mund të ketë rindërtim material dhe politik të vendit. Autoritetet kombëtare – pavarësisht nga ngjyra politike dhe ideologjia – nuk mund t’ia arrijnë pa ndihmë. Kjo i jep bashkësisë ndërkombëtare mundësinë për të ndikuar në kursin e ri. Por jo si në të kaluarën, për të fituar kontrata fitimprurëse dhe për të mbrojtur interesat vetjake. Heqja e sanksioneve – themelore për ringjalljen e ekonomisë – mund të përdoret për t’u siguruar që pushtetarët e rinj të mbajnë premtimet për hapje dhe pluralizëm. Sirianët, me rezistencën e tyre të jashtëzakonshme, e kanë fituar me gjak të drejtën që shpresat të mos u shuhen sërish.