Shenjtorët e javës 12 – 19 janar
R.SH. - Vatikan
E diel, 12 janar, Kisha katolike romake kremton Pagëzimin e Jezu Krishtit në lumin Jordan. Gjithnjë më 12 janar, kalendari përkujton edhe shën shën Arkadin, martir, shën Cezarin, shën Ernestin dhe shën Andon Maria Puçinin.
Pagëzimi i Krishtit është dëftimi i misionit të tij në botë. Ati Qiellor shpall dashurinë e Tij për Të. Shpirti i Shenjtë e shndrit me dritën e vet. Jezusi “i zhytur” në ujë nga shën Gjon Pagëzuesi, me vdekjen dhe ngjalljen e tij, do të na “zhysë” edhe ne në jetën e amshuar. Festa e Pagëzimit të Zotit Jezu Krisht na ndihmon ta kërkojmë fytyrën e Hyjit jo në vështrimin e kupës së qiellit, as në studimet e filozofëve, mirëpo në vetë personin e Zotit që ka fytyrën e Jezusit.
Tё hёnёn më 13 janar, kalendari kishtar përkujton shën Hilarin nga Puatje e shën Gofridin.
Tё martёn më 14 janar, kalendari kishtar përkujton shën Feliksin nga Nola, shën Ninon dhe shenjtërit martirë të Malit Sinai e të Egjiptit, vranë për shkak të fesë në Jezu Krishtin.
Tё mёrkurёn më 15 janar, kalendari kishtar përkujton shën Mauron, Probon, Arnoldin Janssen, meshtar dhe mësues gjerman.
Tё enjten më 16 janar, kalendari kishtar përkujton shën Marcelin I Papë dhe shën Oktonin, Pjetrin, Akursin e Adiutin, misionarët e parë të dërguar nga Shën Françesku i Asizit në trojet saracene.
Të premten mё 17 janar, kalendari kishtar përkujton shën Antonin, abat, njërin ndër heremitët më të ndritur të historisë së Kishës.
Të shtunёn mё 18 janar, kalendari kishtar përkujton shën Priskën dhe shën Margeritën e Hungarisë.
Tё dielёn e ardhshme më 19 janar, Kisha katolike do tё kremtojё tё Dielёn e Dytё gjatё vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik. Gjithnjё mё 19 janar, kalendari pёrkujton shёn Gjermanikun, martir i Filadelfies, shën Gjonin, ipeshkëv i Ravenës, shenjtorët Mario, Marta, Audifaci e Abaku martirë.