Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
MBRËMËSORET NË LATINISHT
Programe Podcast
Imzot Ernest Çoba, kryeipeshkëv i Shkodrës Imzot Ernest Çoba, kryeipeshkëv i Shkodrës

Imzot Ernest Çoba në 45-vjetorin e vdekjes në burg

Imzot Ernest Çoba, në 45 vjetorin e vdekjes. Ipeshkëv i butë, i ëmbël, simbol i gjallë i dashurisë së krishterë. Në periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri e dëshmoi me heroizëm të pashoq Krishtin ndër tortura mizore, që ia shkurtuan edhe jetën. U bë kështu model për të krishterët e grigjës që i qe besuar. Vuajti me durim të pashoq, me shqetësimin e vetëm që t'i ngjante sa më shumë Krishtit në Kalvar, derisa vdiq në spitalin e burgut në Tiranës më 8 janar 1980.

R.SH. - Vatikan

Si sot, më 8 janar 1980, vdiq në burg dëshmitari i fesë së krishterë, imzot Ernest Çoba, kryeipeshkëv i Shkodrës, pasi, në kundërshtim me natyrën e tij të butë e të brishtë, e dëshmoi me heroizëm të pashoq Jezu Krishtin ndër tortura mizore, që ia shkurtuan edhe jetën. U bë kështu model për të krishterët e grigjës që i qe besuar.

Imzot Ernest Çoba, miku i skamnorëve, meshtari që nuk u thye kurrë, lindi më 16 shkurt 1912 në një familje të vjetër qytetare shkodrane. Mësimet e para dhe ato të mesme i kreu në Seminarin Papnor. U shugurua meshtar më 9 shkurt 1936. Kreu detyra të ndryshme pranë seminarit papnor, ku ishte përgatitur. Shërbeu edhe si mësues i besimit ndër shkollat e qytetit. Pas vdekjes së imzot Gaspër Thaçit dhe arrestimit të dom Mikel Koliqit, kreu njëherësh detyrën e zëvendës-famullitarit dhe të famullitarit të Shkodrës. Ishte një nga ipeshkvijtë që u shugurua në kohën më kritike për Kishën, kur bëheshin përpjekjet për ta shkëputur nga Selia e Shenjtë. I vetmi ipeshkëv që ishte ende gjallë e jo në pranga, imzot Bernardin Shllaku, e shuguroi imzot Ernest Çobën, së bashku me ipeshkvin e Durrësit, imzot Pjetër Demën më 20 prill të vitit 1952.

Vishte petkat (paramentet) liturgjike me ngjyrë të kuqe, në kohën kur kjo ngjyrë simbolizonte gjakun e sivëllezërve të tij, që derdhej pa kursim ndër zaje të shkreta për Fé e Atdhé. Ai merrte në duar një mision, që i ngjiste shumë misionit të ipeshkvijve të parë të krishterimit, të cilët shumë shpesh e bënë më të theksuar të kuqen e petkut të tyre, duke e ngjyrosur me gjakun e derdhur amfiteatrove për t'i qëndruar besnikë Krishtit dhe Zëvendësit të tij mbi tokë, Papës së Romës. Pak kohë pas shugurimit të tij, imzot Shllaku vdiq. Dioqeza e Shkodrës, që mbas shkëputjes nga dioqeza e Tivarit, kishte pasur pesë ipeshkvij të mëdhenj: Imzot Karl Pooten, Pashko Guerinin, Jak Serreqin, Lazër Mjedën e Gaspër Thaçin, mbeti ndër duart e ipeshkvit të butë, të ëmbël, simbol i gjallë i dashurisë së krishterë, imzot Ernest Çobës.

Ja si e përshkruan, ipeshkvi ndihmës i Shkodrës, pas rënies së diktaturës komuniste, imzot Zef Simoni në librin e tij "Portrete klerikësh katolikë":

Imzot Ernest Çoba "kishte trup të shkurtë, sy të shkathët, gjysmë të mshehun mbas syzeve të errëta kur shërbente në kishë apo në zyrë. Kishte cilësi të mira: ishte i përvujtë, kryeulun, i qetë, i matun, i palodhun në shërbime, deri ndër ato që nuk i përkitshin si ipeshkëv. Monsinjori do të gjindej çdo ditë, mbasi kremtonte Meshën e orës 6, mbi krye të sëmurëve të qytetit, ndër koliba, tue çue sakramendet shenjte, ndërmjet fëmijëve në orë katekizmi masiv, kur Kisha e madhe gumëzhinte nga zanet fëminore. Kjo bani të fitonte popullaritet të madh e simpati, sidomos ndërmjet të vorfënve.

Qe drejtues i shoqnisë së Kryqtarëve të vegjël pranë etërve jezuitë, njohës i tri gjuhëve të huaja, specialist i teologjisë morale dhe i lëndëve të besimit, e jo ma pak, meshtar praktik në punët e fesë e të liturgjisë. Nuk mujti të marrë pjesë në Koncilin II të Vatikanit por, me largpamësinë e tij, bani të depërtojë fryma e Koncilit në gjithë jetën e Kishës. Pati guximin të mblidhte një grup dëshirtarësh për rrugën e meshtarisë dhe të shuguronte shatë prej tyne, ashtu si dhe guximin të mbante lidhje të ngushta me Selinë e Shenjtë, duke shfrytëzue të gjitha mjetet dhe rrugët e mundëshme".

Në prag të mbylljes së Kishave nga regjimi komunist në Shqipëri, në një të diel të hidhur, në sa ishte thirrur që të akuzohej nga regjimi komunist, imzot Ernest Çoba u kthye në akuzues, duke mbajtur një fjalim të zjarrtë, që i ngjiste predikimii, për të mbrojtur Zotin e sulmuar, Kishat në prag të rrënimit të madh. Megjithatë, jo shumë kohë më vonë dyert e Kishave e të Tempujve tjerë të Zotit, do të mbylleshin. Atëherë imzot Ernest Çoba u detyrua të kthehej pranë familjes. Prej derës atërore doli me pranga ndër duar. Ishte viti 1976. Gjyqi komunist e dënoi me 25 vjet burgim, si të ishte më i madhi kriminel. Akuzohej se kishte mbajtur lidhje me Selinë e Shenjtë me anën e legatës italiane.

Vuajti me durim të pashoq, me shqetësimin e vetëm që t'i ngjante sa më shumë Krishtit në Kalvar, derisa vdiq në spitalin e burgut në Tiranës më 8 janar 1980. Ishte një vdekje misterioze, - siç dëshmon në librin e lartpërmendur Imzot Simoni. Mbyllte sytë pas një injeksioni që iu bë në ditët e para të janarit 1980, pak ditë para përkujtimit të Shën Ernestit. Për figurën e tij është shkruar disa herë, por nuk janë bërë ende përpjekje serioze për të mbledhur dëshmitë mbi qëndrimin heroik dhe fundin e tij.

08 janar 2025, 11:42
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031