Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
Soixante quatre durèes - Livre d'orgue
Programe Podcast
Shën Françesku Sales Shën Françesku Sales

Me 24 janar kalendari kishtar kujton shën Françeskun e Sales

Shën Françesku i Sales është dëshmitar shembullor i humanizmit të krishterë: me stilin e tij familjar, me shëmbëlltyrat, që nganjëherë fluturojnë me flatrat e poezisë, vijon të na kujtojë se njeriu e ka të shkruar në thellësitë e shpirtit të vet mallin për Zotin e se vetëm në Të mund të gjejë gëzimin dhe realizimin e tij të plotë

R.SH. - Vatikan

Me 24 janar kalendari kishtar përkujton Shën Françeskun e Sales, dijetar i Kishës e ipeshkëv i Gjenevës, një ndër mësuesit e mëdhenj të spiritualitetit të shekujve të fundit. Lindi në Thorens të Savojës më 21 gusht të vitit 1567. Si u doktorua në Padovë, u shugurua meshtar e më pas u emërua ipeshkëv i Gjenevës.

Shën Françesku Sales është një ndër mësuesit e mëdhenj të jetës shpirtërore. Iu përkushtua me sukses të madh predikimit dhe formimit shpirtëror të besimtarëve, duke u mësuar se thirrja për shenjtëri është për të gjithë dhe se secili – siç thotë Shën Pali në krahasimin me trupin – ka vendin e tij në Kishë”. 

Shkroi shumë vepra asketike e qe ndër të parët që jetën shpirtërore dhe shenjtërinë i paraqiti si udhë të mundshme për të gjithë besimtarët e njerëzit vullnet mirë në të gjitha situatat e gjendjet e jetës: në familje, në shoqëri, në zyrë, në punë, në ushtrí, në katedra universitetesh e edhe në parmendë e në kosë. Theksoi se vetëm dashuria e Zotit formon e bën Shenjtorë. Në bashkëpunim me Gjovanë Françeskën Fremiët de Shantal themeloi Urdhrin e murgeshave klaustrale të Vizitacionit. U shqua për dituri të thellë e butësi të jashtëzakonshme, aq sa u quajt Shenjti i butësisë. 

Shën Françesku i Sales është dëshmitar shembullor i humanizmit të krishterë: me stilin e tij familjar, me shëmbëlltyrat, që nganjëherë fluturojnë me flatrat e poezisë, vijon të na kujtojë se njeriu e ka të shkruar në thellësitë e shpirtit të vet mallin për Zotin e se vetëm në Të mund të gjejë gëzimin dhe realizimin e tij të plotë. Me urtinë e tij baritore e ëmbëlsinë proverbiale, tërhoqi shumë kalvinistë të krishterë në radhët e Kishës katolike. Vdiq në Lion me 28 dhjetor 1622. Kujtojmë se Shën Françesku i Sales është pajtor i gazetarëve dhe i shtypit katolik.

Kisha e nderon Shën Françeskun e Sales si shenjt e doktor, ndër më të mëdhenjtë, ndonëse jetoi në shekujt XVI-XVII, 400 vjet larg nesh në kohë, e, megjithatë, tejet pranë në mendime. I pamatshëm, ndikimi i jetës së tij e i mësimit të tij mbi Evropën e epokës e të shekujve të mëpasshëm. Është apostull, predikatar, shkrimtar, njeri i veprimit e i lutjes, i impenjuar për të vënë në jetë idealet e Koncilit të Trentit; i angazhuar në grindjet e në dialogun me protestantët, duke provuar gjithnjë më shumë, përtej ballafaqimit të nevojshëm teologjik, frytin e marrëdhënieve personale e të dashurisë së krishterë; i ngarkuar me misione diplomatike në nivel evropian e me detyra shoqërore ndërmjetësimi e pajtimi.

Françesku i Sales, njeri tejet i pasur me humanitet, me kulturë, mirësjellje, fisnikëri, solidaritet. Ai dinte të pasurohej e të pasuronte me dije e me dashuri të krishterë, dije e dashuri që i derdhte në zemrat e njerëzve, me të cilët takohej e në veprat e shkruara, që mbeten gjithnjë të famshme. Në një prej tyre “Hyrje në jetën e devotshme”, Shenjti francez formuloi një ftesë revolucionare, sipas së cilës “njeriu duhet t’i përkasë krejtësisht Zotit, duke jetuar në zemër të botës e duke kryer detyrat, në përkim me mënyrën e tij të jetesës”. Zinte fill kështu, thirrja e laikëve, kujdesi për kushtimin e sendeve të përkohshme e për shenjtërimin e së përditshmes, thirrje mbi të cilën do të këmbëngulnin Koncili II i Vatikanit e përshpirtëria e kohëve tona. Dukej në horizont ideali i njerëzimit të pajtuar, përkimi ndërmjet veprimtarisë në botë e lutjes, ndërmjet jetës shekullare e kërkimit të përsosurisë, me ndihmën e Hirin e Hyjit, që e përshkon njerëzoren e, pa e shkatërruar, e pastron, duke e ngritur në lartësi hyjnore.

Françesku i Sales arrin ta përshkruajë arsyen njerëzore si tempull me shumë hapësira, që ka në qendër “fundin e shpirtit”, pikë, në të cilën arsyeja – siç u shpreh një ditë – i mbyll të dy sytë e dija bëhet një gjë e vetme me dashurinë. Mendimin se dashuria, në përmasën e vet teologale, duhet të jetë arsyeja e të qenit të të gjitha sendeve, në një shkallë ngjitëse, që nuk njeh plasa as hone, Shën Françesku i Sales e përmblodhi në një nga frazat e tij të famshme: ‘Njeriu është përsosuria e universit; shpirti, përsosuria e njeriut; dashuria, përsosuria e shpirtit e bamirësia, përsosuria e dashurisë”.

24 janar 2025, 09:36
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031