Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
La Passione di Gesù, oratorio a 4 voci su testo di Pietro Metastasio
Programe Podcast
Gëzuar Vitin e Ri Gëzuar Vitin e Ri

Viti i Ri: histori, data, zakone, urime

R.SH. / Vatikan

Viti i Ri a Kryeviti, është dita e parë e Vitit. Në botën moderne kremtohet më 1 janar, sipas Kalendarit gregorian, në përdorim për qëllime civile në mbarë botën. Në shumicën e shteteve, është ditë feste. Për popullsitë, që ndjekin Kalendarin julian, për shembull disa Kisha ortodokse, me synime ngushtësisht fetare, fundi i vitit  liturgjik kremtohet në ditën, që përkon me 14 janarin e Kalendarit gregorian.

Historia

Zakoni për ta kremtuar Vitin e Ri vjen në kohët tona nga thellësia e shekujve e, pikërisht, nga festa pagane e hyjnisë romake Giano. Në shekullin VII paganët e Fiandreve, ndjekës të druidëve, e kishin zakon ta kremtonin me festa të bujshme, kalimin në vitin e ri; ky kult pagan u dënua nga Shën Eligji (vdekur rreth vitit 660), që  e qortoi ashpër popullin e Fiandrës, duke e porositur: “Në kryevit, askush nuk duhet të bëjë mbrapshti..., e as të bëjë dhurata të kota e t’i japë liri të tepruara vetes...”. 

Në Mesjetë, shumë vende evropiane përdornin Kalendarin julian, por kishte ende një mori datash të ndryshme, që shënonin fillimin e një viti të ri. Për shembull, nga shekulli XII  e deri në vitin 1752, në Angli e në Irlandë, kryeviti kremtohej më 25 mars (dita e Mishërimit të Zotit, ndjekur edhe nga Pisa e Firence), ndërsa në Spanjë, deri në fillimet e gjashtëqindës, vitet shndërroheshin më 25 dhjetor, Ditë e Lindjes së Krishtit. Në Francë, deri më 1564, Viti i Ri festohej ditën e Ngjalljes së Zotit; në Venedik (deri në rënien e Republikës detare, më 1797), më 1 mars, ndërsa në viset, që ndiqnin stilin bizantin, kremtohej më 1 shtator dhe  quhej latinisht Caput anni-Kryeviti.

Në  viset e perandorisë romake datat e fillimit të vitit ndryshonin nga vendi në vend, deri në vitin 1691, kur Papa Inoçenci XII e ndryshoi Kalendarin e paraardhësit, duke vendosur që viti të niste më 1 janar, sipas stilit modern. Përdorimi universal i Kalendarit gregorian ndikoi që data 1 janar, si datë e fillimit të vitit, të bëhej e përgjithshme. Të gjitha përpjekjet për ta ndryshuar përsëri këtë datë, që u vërejtën në disa vende, si në Francë, gjatë Republikës I, me Kalendarin republikan, apo në Itali, me Kalendarin e Vitit I të epokës fashiste, ranë, bashkë me ata, që i caktuan. Mbeti gjithnjë në këmbë Kalendari që ia dhuroi njerëzimit, më 1582, një Papë, Gregori XIII prej këndej, me emrin e tij, gregorian.

Tradita moderne

Në shumë vende të botës, dita e parë e vitit quhet edhe Kryeviti! 1 janari shënon fillimin e një periudhe të re, që zakonisht nis një javë pas Krishtlindjes. E gjatë kësaj jave, rikujtohet përmbledhtas gjithë ç’ka ndodhur gjatë vitit të kaluar. Rikujtohen ngjarjet më të rëndësishme, të bukura a tronditëse, kujtohen njerëzit më të shquar të vitit, ndryshimet në jetën e njerëzimit, parashikimet për vitin e ri, ligjet e reja në fuqi e shumë e shumë hollësira, sipas vendit e kuvendit.

Kjo ditë, në shumë vise, 1 janari është edhe festë fetare. Kisha Katolike më 1 janar kremton solemnitetin e Nënës së Zotit, për ata, që ndjekin formën e zakonshme të riti romak; Rrethprerja e Jezusit, për ata, që ndjekin ritin ambrozian ose formën e jashtëzakonshme të ritit romak.

Nata ndërmjet 31 dhjetorit e 1 janarit festohet nga shumica e viseve të botës si natë e shndërrimit të viteve. Është natë e pagjumë. Një pjesë e mirë e botës rri zgjuar e përgjon zhdukjen e ngadalshme të një viti, e dukjen e nji tjetri.

Në Itali vërehen një mori zakonesh bestyte, për të mos marrë mësysh. Ndërmjet tyre,   veshja me të linjta të kuqe, ose flakja nga dritaret e sendeve të vjetëruara. Natën e festës hahen lentikie, si urim për një vit të pasur.

Në Spanjë e kanë zakon të hanë 12 kokrra rrushi pikërisht në mesnatë, një për çdo tingëllimë të sahatit, që kumton pikërisht orën 12-të.

Në Rusi, pas tingëllimit të 12-tës, hapet porta, që të hyjë viti i ri e nis shkëmbimi i dhuratave.

Në Ekuador, njerëzit dalin nga banesat e organizojnë një lloj karnavali me maska, që përfundon me djegien e figurës kryesore, si tek ne në kremtimin e karnevalit.

Në Japoni, familjet shkojnë në tempuj për të pirë sakè e për të dëgjuar 108 goditje   gongu, kumt për arritjen e vitit të ri. Goditjet janë simbol i 108 mëkateve, që bën çdo njeri gjatë vitit, mëkate, të cilat pastrohen nën goditjet e gongut.

Në shumë vende, që ndjekin Kalendarin gregorian, ndërmjet të cilëve SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Italia e vende të tjera, Viti i Ri kremtohet edhe si festë civile. Izraeli është i vetmi vend që, ndonëse e  përdor Kalendarin gregorian, nuk e kremton Vitin e  Ri si festë publike. E kjo, sepse Viti i Ri lindi si festë e krishterë e edhe pse shumica e vendeve, që e kremtojnë, janë të krishtera. Nuk mungojnë, megjithatë, izraelitët, që e kremtojnë privatisht.

Kur akrepat e orës shënojnë mesnatën, zakonisht shpërthejnë fishekzjarret, që mbushin me dritë qiellin, gjurmë të ndritshme të ditës së parë të vitit të ri, ende në fasha. Njëherësh, edhe tapat e shisheve të verës e nisin edhe ëndrra e reja për vitin e ri. Shoqëruar me një mori urimesh:

Për shumë mot! Pritsh të mirë mot! Gëzuar Vitin e Ri! Mot më mirë!

31 dhjetor 2024, 10:28
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031