Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
Allegro
Programe Podcast
Shën Shtjefni, martiri Parë i krishterë Shën Shtjefni, martiri Parë i krishterë

Më 26 dhjetor Kisha kujton Shën Shtjefnin, martirin e Parë të krishterë

Rrëfimin mbi martirizimin e Shën Shtjefnit e gjejmë në ‘Veprat e Apostujve’, ku mësojmë se ai ishte thirrur për t’u shërbyer nxënësve të Krishtit e se u mbyt me gurë, në praninë e Palit të Tarsit (Saulit), para se të kthehej në fe të Krishtit

R.SH. - Vatikan

Kremtimi liturgjik i Shën Shtjefnit është caktuar gjithmonë më 26 dhjetor, menjëherë pas Krishtlindjes, sepse në ditët pas manifestimit të Birit të Zotit, u vendosën " comites Christi ", d.m.th. ata që ishin më afër udhëtimit tokësor të Jezu Krishtit dhe të parët që do ta dëshmoni atë me martirizim. 

Martir i parë, njeri plot me hir, diakoni Shtjefën punoi, foli e vdiq i frymëzuar nga Shpirti Shenjt, duke e dëshmuar dashurinë e Krishtit deri në flijimin e jetës. Realizoi, kështu, plotësisht premtimin e Jezusit, sipas të cilit besimtarët e thirrur për ta dëshmuar në rrethana të vështira e të rrezikshme, nuk do të jenë kurrë të braktisur e as të pambrojtur. Shpirti i Zotit do të flasë me ta.

Ditën kur Kisha kremton festën liturgjike të Shën Shtjefnit, martir i parë, kujton edhe numrin shumë të madh të njerëzve, që vijojnë të persekutohen në të katër anët e botës për shkak të fesë së tyre të krishterë. Kështu më 26 dhjetor është Shën Shtjefni, martiri i parë i krishterimit, i pasuar më 27  dhjetor nga Shën Gjon Ungjilltar, i preferuari i Jezusit, autori i Ungjillit të dashurisë, më pas më 28 nga Shenjtët e Pafajshëm, fëmijët e vrarë nga Herodi me shpresën për të eliminuar edhe Foshnjën e Betlehemit; shekuj më parë, kremtimi i apostujve Shën Pjetrit e Palit, binte gjithashtu në javën pas Krishtlindjes, dhe më vonë u transferua më 29 qershor.

Shtjefni, i nderuar si nga Kisha katolike, ashtu edhe ajo ortodokse, është martiri i parë i krishterimit, i pari që dha jetën për të dëshmuar fenë në Krishtin dhe për përhapjen e Ungjillit. Rrëfimin mbi martirizimin e tij e gjejmë në ‘Veprat e Apostujve’, ku mësojmë se ai ishte thirrur për t’u shërbyer nxënësve të Krishtit e se u mbyt me gurë, në praninë e Palit të Tarsit (Saulit), para se të kthehej në fe të Krishtit.

Sipas një gojëdhëne, në vitin 415 një meshtar me emrin Luçian, deklaroi se kishte gjetur trupin e shenjtit pranë Jerusalemit, pasi i qe treguar në ëndërr vendi i varrosjes. Tradita u përhap me shpejtësi në botën latine e greke, ashtu si edhe reliket e Shenjti të parë martir, shumë nga të cilat nuk kishin të bënin fare me të. Gjithsesi kjo ndikoi shumë mbi përhapjen e kultit. Historitë e ndryshme, që kanë të bëjnë me gjetjen e trupit të tij, rivarrosjen në Kostandinopojë e më pas në Romë, tregohen me hollësi në ‘Legenda Aurea (kap. CXII).

Shën Shtjefni, me shembullin e tij të jashtëzakonshëm, i kujton secilit nga ne se martirizimi i krishterë është thjeshtë akt dashurie për Hyjin e për njeriun.
U mbyt me gurë në portat e qytetit e vdiq, si Jezusi, duke iu lutur Zotit t’i falte vrasësit e tij, duke dëshmuar se është dashuria hyjnore ajo që e lidh Krishtin me martirin e tij të parë. Po ajo dashuri që e shtyu Birin e Hyjit të bëhej njeri e të bindej derisa vdiq në kryq. Po ajo dashuri – që i shtyu më pas edhe Apostujt e martirët të japin jetën për Ungjillin.

Duhet vënë gjithnjë në dukje kjo karakteristikë dalluese e martirizimit të krishterë, si akt dashurie për Hyjin e për njerëzit, duke përfshirë edhe persekutorët. Prandaj të krishterët i luten Zotit t’i mësojë për t’i dashur edhe armiqtë, sipas shembullit të Shën Shtjefnit që, duke vdekur, u lut për persekutorët e tij. Sa bij e bija të Kishës, në rrjedhë shekujsh e ndoqën hap pas hapi këtë shembull. Është një dëshmi që nis gjatë persekutimit të parë në Jerusalem e vijon me radhët e gjata të martirëve, deri në ditët tona.

Shpesh herë edhe sot nga vise të ndryshme të botës vijnë lajme që flasin për misionarë, meshtarë, ipeshkvij, rregulltarë, rregulltare e besimtarë laikë të persekutuar, të burgosur, të torturuar, të privuar nga liria ose të penguar në ushtrimin e saj, vetëm e vetëm pse janë nxënës të Krishtit e apostuj të Ungjillit; nganjëherë njerëzit vuajnë e vdesin edhe për shkak të bashkimit me Kishën universale e të besnikërisë ndaj Papës, duke aktualizuar fitoren e dashurisë mbi urrejtjen e mbi vdekjen.

Festa e Martirit të parë të krishterimit kremtohet më 26 dhjetor, do të thotë menjëherë pas Krishtlindjes. Shën Shtjefni është Pajtor i shumë qyteteve, katedraleve e kishave nëpër botë. Vetëm në Shkodër i kushtohen dy katedrale: katedralja e Qytetit të Veriut e katedralja historike në Kështjellën Rozafa, ku çdo vit më 26 dhjetor, Mesha përkujtimore, në praninë e një numri të madh besimtarësh, kremtohet mbi rrënojat e lashta. Këto rrënoja na kujtojnë se shqiptarët luftonin nga këto ledhe kreshnike, duke shpalosur flamujt me figurën e Shenjtit Pajtor, Shtjefnit martir, në sa edhe ata vetë ishin shumë pranë martirizimit për mbrojtjen e Shqipërisë e të Evropës së krishterë. Shën Shtjefnit i kushtohen edhe një mori veprash arti, që e paraqesin duke pësuar martirizimin aq dramatik. Ndërmjet tyre njihet botërisht një nga kryeveprat e Gjotos kushtuar pikërisht Shën Shtjefinit.

26 dhjetor 2024, 11:20
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031