Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
Presto
Programe Podcast
Hagia Sophia, Santa Irene, Ioannes II, Bisanzio, mosaico Hagia Sophia, Santa Irene, Ioannes II, Bisanzio, mosaico

Më 20 tetor kalendari kujton Shën Irenën, martire

Shën Irena e Portugalisë, martire, lindur aty nga gjysma e shekullit VI, qe rregulltare në një kuvend virgjërash kushtuar Zotit. U dallua pёr virtytet ungjillore të pastërtisë e të besnikërisë deri në vdekje ndaj premtimit të bërë para Zotit në elter e pёr kujdesin e pakursyer ndaj tё afёrmit.

R.SH. - Vatikan

Më 20 tetor kalendari kishtar përkujton Shën Irenën e Portugalisë, martire. 

Irena e Portugalisë, e njohur gjithashtu si Iria de Tomar (Tomar, 635 - Escálabis, 653), ishte një grua motër rregulltare portugeze, e nderuar si martire dhe shenjtore nga Kisha Katolike. Në kalendarin e Kishës katolike shënohen disa shenjtore me emrin Irena, emër që tingëllon bukur e ka edhe kuptim të bukur. Vjen nga greqishtja e do të thotë ‘paqe’. Shën Irena, që kremton më 20 tetor Kisha katolike, është një nga më të njohurat, falë sidomos një gojëdhëne shumë prekëse e shumë popullore në vende të ndryshme të botës, ndonëse tingëllon si e pabesueshme.

Gojëdhëna tregon se Irena, e lindur në Portugali aty nga gjysma e shekullit VI, qe rregulltare në një kuvend virgjërash kushtuar Zotit. Ndonëse e thjeshtë e kokulur, ajo spikaste ndërmjet simotrave për bukurinë e rrallë të fytyrës e të trupit. Duke e soditur në Kishë, një i ri fisnik i vendit u dashurua çmendurisht me vajzën dhe bëri çmos të martohej me të. Irena i la të kuptojë se kjo ishte e pamundur, e jo pse e përbuzte, as pse nuk i pëlqente, por sepse kishe bërë një betim shumë më të lartë, të cilit duhet t’i qëndronte besnike. Si mori këtë përgjigje, djaloshi, sinqerisht i dashuruar, u dëshpërua aq, sa u sëmur rëndë. E prekur thellë nga ndjenja e dashurisë së krishterë, Irena shkoi ta vizitojë e i foli fjalë aq të frymëzuara, sa t’ia lehtësonte sëmundjen. E ai më pas u shërua plotësisht.

Por historia nuk mbaron me kaq. Një meshtar, rrëfyes i padenjë, i turbulluar nga bukuria e murgeshës së re, deshi ta bënte për vete pendestaren e tij. Si nuk ia doli mbanësh, sendërgjoi një hakmarrje të tmerrshme. I dha vajzës një pije misterioze. Pak ditë më pas, të gjithë nisën të shohin në trupin e saj të bukur, shenjat e shtatzënisë. Shkandulli mori dhen. I ra në vesh edhe djaloshit që i kishte kërkuar dorën e ai u zemërua aq, sa dërgoi një vrasës për t’ia marrë jetën, të cilën, sipas tij, nuk e meritonte, si gënjeshtare e pacipë që ishte. Vrasësi ia preu Irenës kokën, ndërsa trupin ia flaku në ujërat e një lumi. Rryma e mbarti trupin e Irenës deri në Tago, pastaj e bëri të ndalohej pranë qytetit Skalabis, ku jetonte xhaxhai i shenjtores, abat. I lajmuar në vegim për ngjarjen, Abati shkoi me procesion për të mbartur trupin e së vrarës.

Nuk qe aspak e vështirë të vërtetohej pafajësia e rregulltares së bukur, fajtore pa faj, martire e pastërtisë shpirtërore e fizike. Fundi i saj preku thellë gjithë qytetin, aq sa banorët vendosën t’ia ndërrojnë emrin, duke e quajtur Santarem, domethënë Shën Irenë. E thamë më sipër se kjo mbetet gojëdhënë pak e besueshme, gjithsesi populli e ruajti nga breznia në brezni për t’i thurë lavde virtytit të pastërtisë e të besnikërisë deri në vdekje ndaj premtimit të bërë para Zotit në elter, që vlen më shumë se jeta.

20 tetor 2024, 14:44
Prev
April 2025
SuMoTuWeThFrSa
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930   
Next
May 2025
SuMoTuWeThFrSa
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031