Më 29 korrik kalendari kujton shenjtorët Marta, Maria dhe Lazri, miq të Jezusit
R.SH. - Vatikan
Marta është grua e gjithanshme që, së bashku me motrën e saj, Marinë pritën Zotin Jezus në shtëpinë e tyre në Betani, pranë Jeruzalemit dhe, pas vdekjes së vëllait, Lazrit, ringjallur nga Krishti, deklaruan: «Ti je Krishti, Biri i Perëndisë, ai që vjen në botë”. Emri Martë do të thotë "zonjë". E Marta është pajtore e amvisave, shërbëtoreve, hotelierëve, bujtinarëve dhe kuzhinierëve. Të parët, që i kushtuan festën liturgjike, ishin françeskanët në vitin e largët 1262.
"Zot, thuaji motrës sime të më ndihmojë"
Marta është motra e Marisë dhe e Lazrit nga Betania, fshat rreth tri kilometra larg Jeruzalemit. Jezusit i pëlqente të strehohej në shtëpinë e tyre mikpritëse, ndërsa predikonte në Jude. Marta duket për herë të parë pikërisht me rastin e njërës prej këtyre vizitave. Ungjilli na e paraqet atë si shtëpijake e mirë, e vëmendshme, gjithnjë e zënë në pritje të denjë të mysafirit, ndërsa motrës së saj Marisë, i kënda të rrijë në heshtje duke dëgjuar fjalët e Mjeshtrit. Prandaj nuk habitemi nga qortimi që Marta i bën Marisë, në sy të Krishtit: «Zotëri, a nuk të vjen keq që motra ime më lë të shërbej vetëm? Thuaji, të lutem, të më ndihmojë”.
Përgjigja e Jezusit mund të tingëllojë si qortim për amvisen aktive: «Martë, Martë, ti je e shqetësuar për shumë gjëra; por vetëm një është e nevojshme: Maria zgjodhi pjesën më të mirë, e cila nuk do t'i hiqet kurrë." Por ky nuk është qortim - komenton Shën Agustini - «Martë, ti nuk ke zgjedhur të keqen; Megjithatë, Maria zgjodhi më mirë se ti”. Megjithatë, Maria, e konsideruar si model ungjillor i shpirtrave soditës nga Shën Vasili dhe Shën Gregori i Madh, duket se nuk figuron në kalendarin liturgjik: po shenjtëria e kësaj figure të ëmbël gruaje është e padiskutueshme, pasi vërtetohet me fjalët e Krishtit; por është vetëm Marta, dhe jo Maria apo Lazri, që duket në kalendar, si për ta shpërblyer për vëmendjen ndaj Shëlbuesit dhe për t'ua propozuar grave të krishtera si model veprimtarie.
Besojma
Marta rishfaqet në Ungjill në episodin dramatik të ringjalljes së Lazrit, ku kërkon mrekullinë me një pohim të thjeshtë dhe mahnitës të besimit në gjithëpushtetin e Shëlbuesit, në ringjalljen e të vdekurve dhe në hyjninë e Krishtit, e edhe gjatë një gostie, në të cilën merr pjesë vetë Lazri, i ringjallur pak më parë, e edhe këtë herë paraqitet si zonjë shtëpie, që di të bëjë gjithçka.
Mësimi që i dha asaj nga Mjeshtri Jezus, me sa duket nuk kishte të bënte me punën e saj të lavdërueshme, por me shqetësimin e saj të tepruar për gjërat materiale, në dëm të jetës së saj shpirtërore. Nuk kemi asnjë informacion të njohur historikisht për vitet e mëvonshme të Shenjtores, megjithëse rrëfimet legjendare rreth saj janë të shumta. Të parët që i kushtuan një festë liturgjike Shën Martës, ishin françeskanët, në vitin 1262, më 29 korrik, pra tetë ditë pas festës së Shën Marisë Magdalenë, e ngatërruar gabimisht me motrën e saj, Marinë.
Më 29 korrik kujtohen të tre: Marta, Maria dhe Lazri
Që nga viti 2021, më 29 korrik në Kalendarin e Përgjithshëm Romak gjejmë edhe kujtimin e shenjtorëve Marta, Maria dhe Lazri. Vendimin e mori Papa Françesku, duke pranuar propozimin e Kongregatës së Selisë së Shenjtë për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, e cila publikoi dekretin përkatës. Deri tani, në Kalendarin e Përgjithshëm Romak kujtohej vetëm Marta. Duke përligjur vendimin, dekreti, i nënshkruar nga prefekti i atëhershëm i Dikasterit, kardinali Robert Sarah, dhe sekretari, kryeipeshkvi Arthur Roche, nënvizon "dëshminë e rëndësishme ungjillore" ofruar nga tre bijtë e asaj dere "në pritjen e Zotit Jezus, duke e dëgjuar atë përzemërsisht e duke besuar se ai është ringjallja dhe jeta”.
“Në shtëpinë e Betanisë - pohohet - Zoti Jezus jetoi shpirtin familjar dhe miqësinë e Martës, Marisë e Lazrit ndaj, për këtë arsye, Ungjilli i Gjonit kujton sa i donte. Marta i ofroi bujarisht mikpritjen, Maria ia dëgjoi përvujtërisht fjalët, ndërsa Lazri doli pa vonesë nga varri, me urdhër të Atij, që e poshtëroi vdekjen”.
Dekreti shpjegon se "pasiguria tradicionale e Kishës latine lidhur me identitetin e Marisë - Magdalenë, së cilës iu shfaq Krishti pas ringjalljes së tij, motrës së Martës, mëkatares së cilës Zoti ia fali mëkatet – Kisha, pra, e cila vendosi ta shkruajë emrin e Martës vetëm më 29 korrik në Kalendarin Romak, gjeti zgjidhje ndër studimet dhe ndër kohët e fundit, siç dëshmohet nga Martirologu Romak që i përkujton në të njëjtën ditë Marinë dhe Lazrin. Veç kësaj, në disa kalendarë të veçantë, të tre festohen së bashku në këtë ditë. Me këtë emërtim - përfundon dekreti - kujtimi i tyre duhet të duket, pra, në të gjithë Kalendarët dhe librat liturgjikë për kremtimin e Meshës e të Liturgjisë së Orëve; ndryshimet dhe shtesat që do të miratohen në tekstet liturgjike, bashkëngjitur këtij dekreti, duhet të përkthehen, duhet të miratohen dhe, pas konfirmimit nga ky Dikaster, të botohen nga Konferencat Ipeshkvnore”.