Kërko

 L'Ascensione del Signore di Gesù - solennità L'Ascensione del Signore di Gesù - solennità

Sot në Vatikan kremtohet Festa e të Shëlbuemit, të Ngjiturit të Krishtit në Qiell

Sot në Vatikan kremtohet solemniteti i të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, që në disa vende, ndërmjet të cilave edhe trevat shqiptare, do të kremtohet të dielën e ardhshme. Kjo festë kremtohet dyzet ditë pas Pashkëve dhe përmbyll praninë e dukshme të Krishtit Zot midis njerëzve. Është një prelud i Rrëshajëve, ardhjes së Shpirtit Shenjt dhe shënon fillimin e historisë së Kishës. Episodi i Ngjiturit të Krishtit në Qiell, përshkruhet nga Ungjijtë e Markut dhe Lukës dhe në Veprat e Apostujve.

R.SH. / Vatikan


Sot në Vatikan kremtohet Festa e të Ngjiturit të Jezu Krishtit në Qiell - festa e të Shëlbuemit, solemnitet që kujton se çdo njeri është i thirrur për Jetën e Pasosur. Pra, në Vatikan kremtohet solemniteti i të Ngjiturit të Krishtit në qiell, festë e cila që në disa vende, ndërmjet të cilave edhe Shqipëria, Kosova, Mali Zi etj, do të kremtohet të dielën e ardhshme.

Misteri i Ngjitjes së Krishtit në Qiell, që Kisha katolike romake kremton sot është një solemnitet i madh, i cili, sipas dëshmive të shkrimeve të shenjta, zhvillohet dyzet ditë pas Ngjalljes së Zotit Jezu Krisht, është në qendër të liturgjisë së sotme: Leximi i Parë (Veprat Apostujve 1,1-11) dhe Ungjilli ( Marku 16,15-20 ) na tregojnë për ngjarjen historike që po kremtojmë sot dhe, së bashku me Psalmin (Psalmi 46/47) dhe Leximin e Dytë (Efesianëve 4,1-13), na ofrojnë horizontin teologjik të kësaj feste.

Me festën e të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, kujtohet përfundimi i qëndrimit fizik të dukshëm të Zotit Jezu Krisht ndërmjet njerëzve, që u pasua me përhapjen e krishterimit në mbarë botën.  Ishte një ‘mirupafshim’ e nevojshme ngjitja e Krishtit në qiell, rikthimi tek Ati Hyjnor, që përmbushi shëlbimin: “Në se unë nuk shkoj, nuk do të vijë tek ju Ngushëlluesi, por në se shkoj, do t’jua dërgoj” - kështu u tha Jezusi Apostujve, siç na e rrëfen Shën Gjoni.

Festa e të Ngjiturit të Krishtit Zot në Qiell është mister i fesë që i referohet vokacionit të lartë të njeriut, i lartuar te Zoti nga Krishti, pasi pagoi me Kryq mëkatet e secilit prej nesh. Kuptimi i të Ngjiturit të Krishtit në Qiell është i dyfishtë. Së pari, duke u lartuar, zbulon pa dyshim hyjninë e tij: kthehet nga erdhi, te Zoti. Përveç kësaj, Krishti ngjitet në qiell së bashku me humanitetin që ka marrë mbi vete dhe e ka ngjallur së vdekurish: ai humanitet është i yni, i shndërruar, hyjnizuar, i amshuar. Prandaj, të Shëlbuemit zbulon vokacionin e lartë të çdo njeriu, që është i thirrur për jetën e amshuar në Mbretërinë e Zotit, Mbretërinë e dashurisë, të dritës e të paqes.

Jezusi realizon misionin e tij duke hyrë në mjerimin e njeriut e duke marrë mbi vete mëkatet e ne të gjithëve: vetëm kështu mund të lartojë njeriun te Zoti. Jezu Krishti Zot në fakt erdhi në botë për ta çuar njeriun të Hyji Atë, jo në planin ideal – si një filozof apo si një mjeshtër urtie – por me të vërtetë, si bari që dëshiron t’i çojë delet në vath. Këtë “eksod” drejt atdheut qiellor, Jezusi e ka përjetuar vetë, por e ka bërë vetëm e krejtësisht për ne. Është për ne, që zbriti nga Qielli dhe është për ne që u ngjit, pasi u bë krejtësisht i ngjashëm me njerëzit, i përbuzur deri në vdekjen në kryq, e pasi preku humnerën e largimit më të madh nga Zoti.

Duke kremtuar festën e të Shëlbuemit, ne duhet të jemi të sigurt se Zoti nuk është larg nesh, nuk ndodhet në ndonjë vend të universit, ku nuk mund të arrijë askush. Ai e ka ngritur çadrën (tendën) e vet ndërmjet nesh: në Jezusin, është bërë një prej nesh, me mish e gjak, si ne. Ai vetë, me Korpin e vet, mbetet mes nesh si një prej nesh. Mund ta thërrasim me emër e të flasim me Të. Ai na dëgjon, e në se ia vëmë veshin, edhe ne do ta dëgjojmë kur na përgjigjet. Në Jezusin është Zoti që na pret!

09 maj 2024, 10:58