Kërko

PALESTINIAN-ISRAEL-CONFLICT PALESTINIAN-ISRAEL-CONFLICT  (AFP or licensors)

Sabrina e vogël vdiq: tani është martire me familjen

Vogëlushja doli në dritë me një operacion urgjent çezarian, ndërsa nëna e saj, në muajin e shtatë të shtatzënisë, u shua nga plagët e shkaktuara prej bombave izraelite. Rreth 15,000 fëmijë vdiqën, pasojë e sulmeve të Izraelit në Rrip

R. SH. - Vatikan

Vetëm pesë ditë, aq gjatë mbijetoi Sabreen Jouda. U shua, sepse sistemi i saj imunitar ishte tejet i dobët. Me gjithë përpjekjet e mjekëve, vogëlushja vdiq dhe tani prehet në varr pranë nënës së saj, vrarë së bashku me bashkëshortin dhe vajzën tjetër trevjeçare nga bombardimet izraelite. "Ajo u bashkua me familjen si martire" - u përsëriti Mohammad Salama, kreu i njësisë së urgjencës neonatale të spitalit, atyre që e morën në pyetje. Mjeku u përpoq me të gjitha mënyrat për ta shpëtuar vogëlushen, por nuk pati sukses. Vdekja e saj qe për të “shumë e vështirë dhe e dhimbshme”.

Vdekja dhe jeta në Rafah. Lindja e Sabrinës, shpresë në tmerrin e luftës  

Vajza e vogël doli në dritë në jug të Rripit të Gazës, ndërsa e ëma, i ati dhe motra e vogël dhanë shpirt nën bombat izraelite. Mjekët arritën tepër vonë!

Dashuria e punonjësve të shëndetësisë

Historia dhe fotot e Sabrinës së vogël, me emrin e sëmës, bënë xhiron e botës, që shpresonte deri në fund se vogëlushja do të mbijetonte. Edhe pse doli në dritë me urgjencën çezariane të mjekëve të spitalit kuvajtian në Rafah, ndërsa nëna e saj, shtatzënë 30 javëshe, shuhej ngadalë, pa e parë. Vogëlushja u vendos në një inkubator në repartin intensiv neonatal të një spitali tjetër, menjëherë pas lindjes. Por, për fat të keq, dashuria me të cilën të gjithë mjekët kishin pompuar ajrin në atë trup të vogël, nuk mjaftoi për ta shpëtuar.

Viktimat e vogla

Ndërkaq Izraeli mohon se po vë qëllimisht në shënjestër civilët në Rripin e Gazës e, ndërsa vijon luftën kundër Hamasit, numri i viktimave shtohet. Sipas burimeve në Rrip, deri tani kanë vdekur rreth 15,000 fëmijë, nga të cilët rreth 30 u shuan ndër spitale për shkak të urisë dhe dehidratimit akut.

26 prill 2024, 17:19