Kërko

Më 4 prill kalendari kujton Shën Izidorin, ipeshkëv

Mençuria e krishterë përbëhet nga studimi, kërkimi i Zotit dhe dashuria për të tjerët, posaçërisht të varfërit. Izidori në jetën e tij personale eksperimentoi një konflikt të vazhdueshëm të brendshëm, ndërmjet dëshirës për vetmi, për t’iu kushtuar tërësisht meditimit të Fjalës së Zotit, dhe kërkesës së bamirësisë e shërbimit ndaj vëllezërve, shpëtimin e të cilëve ndjente se e kishte për detyrë, edhe si Ipeshkëv. Shën Izidori kultivoi marrëdhëniet ndërmjet jetës kundruese dhe asaj aktive.

R.SH. - Vatikan

Shën Izidori, ipeshkëv i Seviljes e doktor i Kishës, njeri i kundrimit dhe të veprimit që jetoi ndërmjet shekullit VI dhe VII. Dija e urtësia e krishterë përbëhet nga lutja, studimi, soditja dhe veprimi, është rrugë që ushqehet nga dashuria e Zotit e cila shprehet në dashurinë për të tjerët. I fundit nga Etërit latinë të Kishës katolike romake, Shën Isidori i Seviljes, ipeshkëv dhe doktor i Kishës, na kujton se jeta e çdo njeriu të pagëzuar është e tillë, në ekuilibër ndërmjet kërkimit të pareshtur të Tjetrit (Zotit) dhe angazhimit përkrah motrave dhe vëllezërve, mbi të gjitha ndaj atyre që kanë më shumë nevojë.

Izidori i Seviljes (560 – 636) është Ati i fundit i Kishës katolike latine. Ishte vëllai i shën Fulgencit e Leandrit, që e edukuan Izidorin dhe motrën e tyre, Fiorentinen. Shën Leandri qe kryeipeshkëv i Seviljes, të cilin e zëvendësoi Izidori, ipeshkëv i Seviljes që jetoi ndërmjet shekullit VI dhe VII. Në vitin 633 drejtoi koncilin e katërt të rëndësishëm të Toledos.

Shkrimtar enciklopedik, Izidori qe lexuar e studiuar shumë në mesjetë, sidomos për Etimologjitë e tij, një vepër jashtëzakonisht e dobishme e shkencës së lashtë. Është autor i shumë librave që trajtojnë të gjitha fushat e dijes nga agronomia te medicina, nga teologjia deri te ekonomia shtëpiake apo familjare. Autorët e tij të preferuar qenë shën Agostini e shën Gregori i Madh. Izidori konsiderohet mësues i Evropës mesjetare e organizuesi i parë i kulturës së krishterë.

“Të krishterët të jenë njerëz të kundrimit dhe të veprimit”, këtë karakteristikë të shën Izidorit e vënë në dukje kalendari i sotëm kishtar. Të krishterët rrezikojnë të jenë njerëz me një përmasë të vetme. Një rrezik ky që e kishte mirë parasysh shën Izidori, njeri i kulturuar e mik i mirë i Papës Gregori i Madh, i fundmi i Etërve të krishterë të lashtësisë. I rritur mes librash, qe detyra e tij si ipeshkëv, përballë rrezikut të dyndjes së Vizigotëve dhe të përhapjes së herezisë ariane, ajo që e bëri të reflektonte mbi jetën e krishterë dhe të përshkruante se si duhet të jetë ajo, për të qenë e plotë dhe e vërtetë.

Sipas Izidorit të krishterët të jenë njerëz të kundrimit dhe të veprimit. Por, ipeshkvit seviljan iu desh të linte mënjanë preferencat për një jetë në lutje e meditim. Madje, tregoi një entuziazëm të qartë apostolik dhe u gëzua kur mbreti vizigot Ermenexhildo u kthye në fenë e krishterë, duke sjellë kështu bashkimin politik dhe fetar në tokat e tij. Gjithsesi, nuk duhet nënvlerësuar vështirësia e jashtëzakonshme për të përballuar si duhet problemet mjaft të rënda si marrëdhëniet me heretikët dhe me hebrenjtë. Reflektimet e Shën Izidorit, që përmbledhin dhe shprehin jetën e plotë të krishterë, kanë qenë dhe janë edhe sot të çmueshme për të sqaruar marrëdhëniet ndërmjet jetës kundruese dhe asaj aktive.

Duke imituar Jezu Krishtin, i cili rrinte me turmat, por tërhiqej në vetmi kur lutej, edhe ai që i shërben Zotit, shkruante shën Izidori, duhet t’i kushtohet kundrimit të Fjalës së Hyjit pa hequr dorë nga jeta aktive e përditshme. Të sillemi ndryshe nuk do të ishte e drejtë.  Si duhet ta duam Zotin përmes kundrimit, si duhet ta duam të afërmin përmes veprimit… Kjo është sinteza e një jete, që kërkon kundrimin e Zotit, dialogun me Zotin në lutje e në leximin e Shkrimeve të Shenjta të Biblës, por edhe veprimin në shërbim të bashkësisë njerëzore e të të afërmit. Ky mësimi, që ipeshkvi i madh i Seviljes shën Izidori na lë neve, të krishterëve të sotëm, të thirrur ta dëshmojmë Krishtin në jetën e përditshme personale e shoqërore.

04 prill 2024, 09:56