Kërko

 Vendi i sulmit, në sfond shkrimi "Crocus City Hall" (EPA/Vasily Prudnikov) Vendi i sulmit, në sfond shkrimi "Crocus City Hall" (EPA/Vasily Prudnikov)  (ANSA)

Sulm terrorist në Moskë, mbi 140 të vdekur dhe qindra të plagosur

Një numër i papërcaktuar burrash, të armatosur me kallashnikovë, granata dhe shishe ndezëse masakruan publikun e një teatri të madh në periferi të Moskës. Isis-K mori përgjegjësinë, Shtetet e Bashkuara lëshuan alarmin vetëm dy javë më parë. Ukraina pohon se nuk ka të bëjë me ngjarjen.

R. SH. - Vatikan

Në Moskë rikthehet terrori, pak ditë pas zgjedhjeve presidenciale, me rizgjedhjen e Presidentit Putin. Një numër i panjohur burrash me kostume kamuflazhi - disa thonë se ishin katër, të tjerët pesë - të armatosur me kallashnikovë, granata dhe shishe ndezëse, pak para fillimit të shfaqjes në teatrin më të madh të kryeqytetit rus, masakruan burra, gra e fëmijë. Të paktën 143 të vdekur dhe qindra të plagosur, duke përfshirë edhe fëmijët, por numri mund të rritet me kalimin e orëve.

Faktet

Në disa video, që qarkullojnë në internet, shihen njerëz të armatosur, të cilët qëllojnë mbi turmën, madje disa metra larg, brenda dhe jashtë sallës kryesore të teatrit. Më pas terroristët duhet të kenë ikur me një Renault të bardhë - shkruan Ria Novosti - që tregon një fotogramë ku duket makina, me të cilën sulmuesit mbërritën në sallën e koncerteve. Fotoja tregon një makinë Renault Symbol me karroceri të bardhë dhe mbulesë të zezë. Sulmi, i cili zgjati të paktën dhjetë minuta, i kalli flakën edhe çatisë së strukturës, që u shemb pjesërisht. Qindra burra ndërhynë, duke përfshirë edhe policinë.

Pretendimi

Pohimi erdhi rreth disa orë pas sulmit. "Milicitë e Shtetit Islamik - lexojmë në një mesazh në kanalin Telegram të grupit xhihadist - sulmuan një tubim të madh në periferi të Moskës" dhe më pas "u tërhoqën të sigurt në bazat e tyre". Sipas disa zyrtarëve amerikanë të informuar nga inteligjenca, sulmi u krye nga ISIS-K, një grup terrorist i lidhur me ISIS dhe aktiv kryesisht në Afganistan. Shtetet e Bashkuara e përjashtuan përfshirjen e Ukrainës, në luftë me Rusinë për më shumë se dy vjet pas pushtimit të Moskës. Kremlini

Presidenti rus Vladimir Putin tani për tani është kufizuar duke i uruar shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve të sulmit terrorist - raporton agjencia e lajmeve Tass. Për më tepër, Putin u informua për ecurinë e hetimeve nga krerët e Shërbimeve të Sigurisë së Brendshme Ruse (FSB), Ministrisë së Brendshme, Komisionit Hetimor dhe Gardës Kombëtare Ruse. Rreth dy javë më parë FSB pohoi se kishte eliminuar një celulë të degës afgane të ISIS që po planifikonte një sulm të armatosur në kryeqytet.

Alarmi në SHBA

Më 7 mars, ambasada amerikane në Moskë dha ​​alarmin për qytetarët amerikanë në qytet, mbasi “ishte njoftuar” se ekstremistët "kishin plane të afërta për të sulmuar grumbullime të mëdha njerëzish në Moskë, duke përfshirë edhe koncertet". Sipas ambasadës, ky alarm ishte i vlefshëm për 48 orë, pra deri më 9 mars. Pak ditë më parë presidenti rus Putin i minimizoi këto alarme, duke i quajtur "provokime" nga perëndimi, që kishin për qëllim "të frikësonin dhe destabilizonin shoqërinë ruse".

Vendi i atentatit

 Crocus City Hall është teatri më i madh i Moskës, pjesë e një kompleksi të gjerë në periferinë veriperëndimore të Moskës. Sulmi u krye pak para fillimit të një koncerti nga Picnic, një grup rock. Struktura mund të strehojë deri në 9 mijë persona, ndërsa biletat e shitura për ngjarjen e djeshëm ishin afërsisht dy të tretat e kapacitetit maksimal, por në çastin e sulmit terrorist jo të gjithë spektatorët kishin hyrë në sallë. Qindra njerëz shpëtuan në bodrumin e ndërtesës, ku u strehuan pasi dëgjuan të shtënat dhe shpërthimet.  

23 mars 2024, 15:00