Kërko

Mosca: manifestanti lasciano fiori in memoria di Navalny Mosca: manifestanti lasciano fiori in memoria di Navalny

Navalny, trupi ndoshta, në një spital!

Mbetet ende mister se ku e kanë çuar autoritetet ruse trupin e kundërshtarit të vdekur dy ditë më parë. Novaya Gazeta Europe kujton një gjurmë të mundshme, falë disa informatorëve. Mbi 400 protestues janë arrestuar në Rusi deri tani. Biden pohon: "Putini është përgjegjës për rrethanat" dhe hamendëson se vdekja ndodhi "përpara shkëmbimit të mundshëm të të burgosurve"

R.SH. / Vatikan

Përndjekjet dhe paralajmërimet nuk ndalohen për ata që në Rusi, pas vdekjes së Alexei Navalny-t, po vazhdojnë të dalin në rrugë për të nderuar kujtimin e disidentit, i cili vdiq më 16 shkurt në koloninë penale IK-3, i njohur më mirë si Rrethi Polar Arktik. Në dy ditët e fundit të demonstratave, policia, sipas disa OJQ-ve të të drejtave të njeriut, arrestoi 401 persona në 36 qytete të ndryshme. Ndërkohë, mbetet ende misteri i vendit ku ndodhet trupi i Navalny-t, vdekja e të cilit - sipas variantit të Moskës - mund të ketë qenë krejt e papritur.

Trupi i Navalny në Siberi

Trupi i Navalny, i cili nuk është në morgun e treguar nga autoritetet, mund të gjendet - sipas informacioneve të zbuluara nga Novaya Gazeta Europe - në një spital në Salekhard, në veriun e largët të Siberisë. Sërish sipas periodikut të pavarur, nuk u krye autopsia në trupin pa jetë, plot me mavijosje të cilat, lexojmë, ishin shkaktuar nga punonjësit e kampit të burgut, që e ndoqën Navalny-n gjatë një episodi konvulsionesh. Një mavijosje në gjoks do të tregonte gjithashtu përpjekjen për ta rikthyer në jetë, pas një ndalimi të hamendësuar kardiak. Të gjitha deklaratat, tani për tani të pakonfirmuara nga dëshmitarët okularë, u raportuan nga një punonjës-informator i Novaya Gazeta, i cili nga ana e tij qe informuar nga disa kolegë. “Ata do të bëjnë gjithçka që është e mundur për të shmangur dorëzimin e trupit, në mënyrë që të mos zbulohet metoda e përdorur për ta mbytur Aleksein” - deklaron Kira Iarmysh, zëdhënësja dhe asistentja e Navalny-t. Veprimi i vetëm i autoriteteve, deri tani, ka qenë dërgimi i një “dokumenti zyrtar”, nënës së tij Ludmila, që vërteton vdekjen e djalit të saj.

Heshtja e Putinit dhe akuzat e Bidenit

Deri tani, siç është vërejtur nga komentuesit ndërkombëtarë, Presidenti Vladimir Putin nuk ka bërë asnjë deklaratë për zhdukjen e Navalny-t, pavarësisht nga një sërë reagimesh globale të liderve perëndimorë, që pohojnë përgjegjësinë e Moskës. Presidenti amerikan Joe Biden flet haptazi për "çmimin që duhet paguar", duke përcaktuar si "thelb të çështjes" faktin se "Putini është përgjegjës për rrethanat, pavarësisht nëse e ka urdhëruar apo jo këtë fund tragjik".

18 shkurt 2024, 16:33