Kërko

Pamje nga Gaza Pamje nga Gaza 

Izraeli urdhëron evakuimin e Rafahut: planifikohet sulmi kundër Hamasit

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, synon një ofensivë të re e të ashpër tokësore. OKB-ja dhe Shtetet e Bashkuara shqetësohen për fatin e më shumë se një milion civilëve palestinezë. Ndërkohë vazhdojnë bombardimet dhe viktimat e reja, të shumta, në Rrip.

R. SH. - Vatikan

Objektivi është shkatërrimi i Hamasit në Rafah. Kryeministri izraelit Netanyahu e ka planifikuar që nga e mërkura e kaluar ofensivën tokësore, duke urdhëruar evakuimin e plotë të civilëve nga zona. “Është e pamundur të arrihet objektivi i luftës, pa e zhdukur Hamasin - deklaroi Netanyahu -   duke lënë katër batalione të tija në Rafah”. Një operacion i pazbatueshëm, sipas Human Rights Watch: “Të detyrosh më shumë se një milion palestinezë të zhvendosur të evakuohen përsëri pa gjetur një vend të sigurt për të shkuar - saktëson organizata - do të ishte veprim i paligjshëm, me pasoja katastrofike. Edhe pse nuk ka vend të sigurt në Gaza". Plani i Izraelit duket se shqetëson edhe OKB-në e Shtetet e Bashkuara. Departamenti amerikan i Shtetit ka paralajmëruar se "një operacioni i tillë, tani pa planifikim dhe pa mendim për një zonë të përshtatshme, që mund të strehojë një milion njerëzit, do të ishin fatkeqësi".

Në Gazë armëpushimi dështoi, vazhdojnë luftimet

Ndërkohë, Izraeli po e gjuan zonën nga ajri: bombardimet kanë shkaktuar të paktën 25 të vdekur. Nuk kursehen as spitalet: një viktimë dhe disa të plagosur u regjistruan gjatë sulmit në një spital të Gazës jugore. Sipas mediave palestineze, tanket dhe predhat e artilerisë gjuajtën katet e sipërme të kompleksit mjekësor Nasser, në Khan Yunis. Dje, e premte, 9 shkurt, u sulmua edhe spitali tjetër kryesor i qytetit, al-Amal.

Negocimi i pengjeve

Ndërkohë,  vijon të ndiqet rruga diplomatike për çështjen e personave të rrëmbyer nga Hamasi. Shefi i CIA-s, William Burn, njofton se do të udhëtojë në Kajro të Egjiptit javën e ardhshme për takime me zyrtarët egjiptianë lidhur me përpjekjet për një marrëveshje të re, që siguron lirimin e pengjeve. Shumëkush mendon se Burns është njeriu-kyç i presidentit amerikan, Joe Biden, në rrugën drejt zgjidhjes së rrëmbimeve dhe të  pushimit të luftimeve. Mendohet se dërgimi i Burns në Kajro synon të ushtrojë presion mbi ndërmjetësit në Katar dhe Egjipt, për ta nxitur Hamasin të pranojë një marrëveshjeje të arsyeshme.

10 shkurt 2024, 17:10