Kërko

 Beato don Luigj Prendushi, martire albanese Beato don Luigj Prendushi, martire albanese

I Lumi dom Luigj Prendushi, në përvjetorin e martirizimit

I Lumi dom Luigj Prendushi, e flijoi jetën për Krishtin dhe për Atdheun, gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Dom Luigji kishte një zemër të mirë e bujare. Gjithçka, ishte lutje, pendesë e flijim dhe gjithçka shkonte kah Eukaristia e Shenjtë, që kremtonte, përditë dhe nga e cila pambarimisht merrte energji gjithnjë të freskëta dhe frytdhënëse. Jetoi në varfi, e kujdesej për të gjithë.

R.SH. - Vatikan

Më 24 janar kujtojmë përvjetorin e vdekjes të të Lumit dom Luigj Prendushi, njëri nga martirët e Kishës katolike në Shqipëri të periudhës së diktaturës komuniste që u shpallën të Lumë, në Shkodër, më 5 nëntor 2016, të cilët flijuan jetën e tyre për Krishtin dhe për Atdheun, gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. I Lumi dom Luigj Prendushi (Shkodër, 24. 01. 1896 – Shelqet, 24. 01. 1947) u arrestua, u torturua dhe u pushkatua nga regjimi komunist si spiun i Vatikanit më 24 janar 1947.  

Dom Luigj Prendushi lindi në Shkodër, më 24 janar 1896. Sipas dëshmisë së mbeses së tij Marije Kri, më 16.03.2044, vajza e së motrës Luçe, dom Luigji “nga karakteri ishte i përvuajtur, i dashur, i ëmbël dhe i shoqërueshëm. E donin shumë sidomos të rriturit. Ishte i përvuajtur dhe dinte të flijohej, ishte gjithnjë i gatshëm”. Ndërsa mbesa tjetër e tij Angjelina Gegaj pohon: ”Nuk donte që njerëzit t’i puthnin dorën apo që t’i preknin petkun, sepse dëshironte që besimtarët të mos lidheshin me personin e tij, por me atë të Krishtit. Nipi tij Kol Marashi, shton: “Kishte shumë zell,  veçanërisht ishte aktiv me të rinjtë, që përpiqej t’i afronte nga Krishti. Këtë ma kanë konfirmuar, pos nënës sime, edhe besimtarët e fshatrave ky dom Luigji kishte vepruar. Ndoshta edhe për këtë veprimtari dhe për ndikimin që kishte mbi të rinjtë, u arrestua”.

Predikonte në mënyrë shumë të qartë, konkrete dhe me një zë të ëmbël. Fjala e tij qëndronte e ngulitur në shpirt dhe të folurit të tij të tërhiqte në dëgjim. Kudo, pati një përkujdesje të veçantë për formimin njerëzor dhe të krishterë të të rinjve. Ku nuk kishte mësues, apo më mirë shkolla, dhe faktikisht në të gjitha fshatrat nuk kishte, dom Luigji zëvendësonte mësuesit duke u mësuar fëmijëve të lexonin dhe të shkruanin. Ditën e natën shkonte pranë të sëmurëve me Sakramente të Shenjta. Shoqëronte me të gjitha ritet liturgjike të vdekurit në varreza, edhe kur komunistët morën pushtetin, që e vinte në rrezik. Prandaj, gjithçka, ishte lutje, pendesë e flijim dhe gjithçka shkonte kah Eukaristia e Shenjtë, që dom Luigj Prendushi kremtonte përditë, dhe nga e cila pambarimisht merrte energji shpirtërore gjithnjë të freskëta dhe frytdhënëse. Jetoi në varfi, e kujdesej për të gjithë. 

Për këto krime, komunistët e arrestuan. Akuzat e vetme “prift katolik” e “spiun i Vatikanit”. Dënimi, me vdekje. Pushkatimi, më 24 janar 1947. I vetmi shpërblim i jetës së dom Luigj Prendushit, shkrirë për Ungjillin dhe njerëzit e kombit të vet, gjetja e eshtrave. Që nga maji i vitit 1992 pushon në varrezën e Rrëmajit, në Shkodër, pranë njerëzve të familjes, të cilët i pati lënë ende i njomë, për t’i shërbyer Zotit e shqiptarit! 

Më 5 nëntor 2016, së bashku me 37 martirë tjerë të periudhës së diktaturës komuniste në Shqipëri, dom Luigj Prendushi u shpall i Lum, gjatë Meshës solemne me ritin e lumnimit, në Katedralen e Shën Shtjefnit, në Shkodër, nga i dërguari i Papës Françesku, Kardinali Angelo Amato, asokohe Prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve. Në fjalët e kardinalit Amato gjatë homelisë të 5 nëntorit 2016, shkëlqeu edhe një herë madhështia e flijimit të 38 bijve të Kishës katolike dhe të popullit shqiptar, që dhanë jetën për Krishtin e për Atdheun e lirë. E që nga dita e 5 nëntorit 2016 mund dhe duhet të themi; Martirë shqiptarë, që dhatë jetën për "Fe e Atdhe", na mbroni ne! Amen!

 

24 janar 2024, 08:21