Kërko

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni

UNICEF për marrëveshjen Itali-Shqipëri: e nevojshme të ruhet bashkimi familjar

UNICEF bën thirrje për mosndarjen e familjeve, pas marrëveshjes Itali-Shqipëri për administrimin e flukseve të emigrantëve, që i jep mundësinë qeverisë italiane të zhvendosë emigrantë në qendra të ndërtuara prej saj në vendin ballkanik

R.SH. – Vatikan

UNICEF-i po vlerëson me kujdes pasojat e mundshme mbi të miturit të marrëveshjes së fundit Itali-Shqipëri për emigrantët dhe konfirmon nevojën për të ruajtur gjithmonë unitetin e familjes. Sipas njoftimit zyrtar, marrëveshja për administrimin e flukseve migratore nga vendet e treta synon të mbështesë dhe të lehtësojë transferimin e azilkërkuesve në moshë të rritur, që mbërrijnë në Itali, në qendrat e pritjes në Shqipëri, me pasojë të mundshme ndarjen e familjeve.

Kujtojmë se më 6 nëntor, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, nënshkruan një marrëveshje me 14 pika, në fuqi për 5 vjet e me mundësinë për një rinovim tjetër 5-vjeçar, nëse palët nuk bëjnë kërkesë për ndërprerjen e saj. Sipas marrëveshjes, Italia do të mund të çojë emigrantët, që vijnë në brigjet e saj, në qendra për emigrantë në Shqipëri, me një kapacitet prej 3000 vetësh, ndërtuar prej saj.

“Në kuadrin e këtyre masave të reja, duhet bërë ç’është e mundur për t’i mbajtur familjet të bashkuara – shkruan UNICEF në një notë. - Ndarja e familjeve është me të vërtetë një situatë thellësisht shqetësuese për fëmijët, sepse i ekspozon ata para rrezikut më të madh për dhunë, abuzime dhe shfrytëzim. Në përputhje me nenin 9 të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve dhe të Adoleshentëve, shteteve u kërkohet të kontrollojnë që çdo i mitur të mos ndahet nga prindërit, përveç rastit kur ndarja bëhet në interesin e tij. Prandaj, asnjë marrëveshje për administrimin e migracionit apo të strehimit politik nuk duhet të mbështesë, ose të lehtësojë ndarjen e fëmijëve nga familjet e tyre,” pohon Nicola Dell’Arciprete, koordinator i Përgjigjes së Zyrës së UNICEF-it për Evropën dhe Azinë Qendrore në Itali.

 UNICEF-i është i pranishëm në zonat kufitare me PROTECT, projektin e mbështetur nga Drejtoria e Përgjithshme për Migracionin dhe për Çështjet e Brendshme të Komisionit Evropian, që ka si qëllim garantimin e shërbimeve themelore të mbrojtjes së emigrantëve, përfshirë asistencën për shëndetin mendor dhe mbështetjen psikosociale, informimin dhe orientimin e tyre për shërbime më të specializuara.

Sidomos pas rritjes së flukseve migratore gjatë periudhës së verës, organizata ka përsëritur disa herë nevojën që mekanizmat evropiane të solidaritetit të garantojnë përgjegjësinë e përbashkët dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve - veçanërisht të atyre që udhëtojnë vetëm, të grave, të familjeve dhe të individëve më të pambrojtur.

UNICEF-i do të vazhdojë ta mbikqyrë gjendjen dhe të mbështesë autoritetet në mbrojtjen e fëmijëve, për t’i mbajtur familjet të bashkuara dhe për t’i mbrojtur të drejtat e tyre, në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare.

Edhe organizata të tjera ndërkombëtare kanë shprehur dyshimet për marrëveshjen Shqipëri-Itali. Emergency denoncon se ajo është një sulm tjetër kundër së drejtës për azil politik, sepse përveçse i shtyn kufijtë e Evropës në një vend, që ende s’është pjesë e Bashkimit Evropian, i largon edhe portet nga anijet e Ojq-ve, që i ndihmojnë dhe i shpëtojnë emigrantët në det. I të njëjtit mendim edhe SOS Humanity, një nga ojq-të gjermane, që merret me shpëtimin e emigrantëve në det, e financuar nga qeveria e Berlinit.

Bashkimi Evropian: në Shqipëri, mungesa në procedurën e strehimit politik

Ndërkaq, në raportin për Zgjerimin të Komisionit Evropian, publikuar sot, më 8 nëntor, shkruhet: "Kuadri ligjor (i Shqipërisë) për migracionin është në pjesën më të madhe në linjë me ‘acquis’ të BE-së, por ka nevojë për azhurnim në përputhje me zhvillimet e BE-së. Shqipëria ka kontribuar në administrimin e flukseve të përziera të migracionit drejt BE-së, duke bashkëpunuar në zbatimin e planit të veprimit të BE-së për Ballkani Perëndimor.

Në shtator, ka nënshkruar një marrëveshje të rishikuar për statusin e Frontex. Në vitin 2022, numri i migrantëve të parregullt që hynin në Shqipëri në krahasim me vitin 2021 u reduktua me 34%. Nuk janë bërë hapa përpara në fushën e marrjes në ngarkim dhe mbeten mungesa në procedurat e azilkërkimit e të riatdhesimit”. "Shqipëria – vijon raporti - duhet të marrë masa konkrete për t’iu përgjigjur nevojave të të miturve të pashoqëruar dhe për të harmonizuar politikën e saj të vizave me atë të BE-së. Edhe pse numri i kërkesave për azil të paraqitura nga shtetasit shqiptarë në shtetet anëtare të BE-së dhe në vendet që i bashkangjiten atyre të Shengenit mbetet më i ulët se ai para pandemisë, është rritur sërish në vitin 2022. Për t’i bërë ballë këtij fenomeni duhen përpjekje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme”, nënvizon raporti.

08 nëntor 2023, 16:21