Kërko

Grua shkencëtare në Afganistan Grua shkencëtare në Afganistan  (AFP or licensors)

Gjithnjë e më pak gra ndër kërkimet shkencore në Evropë: studim i Lancet

Në një artikull të revistës prestigjioze shkencore, shkruar nga ekspertë të Universitetit Katolik, përvijohet një pamje dëshpëruese: më shumë se gjysma e të diplomuarve dhe doktorantëve janë gra, por shumë prej tyre e braktisin gradualisht udhën e kërkimit shkencor, edhe për shkak të barrierave dhe pengesave.

R. SH. - Vatikan

Gratë përfaqësojnë afërsisht gjysmën e të diplomuarve dhe të doktoraturës në Evropë, por ato po e braktisin gradualisht karrierën e tyre akademike. Fatkeqësisht sot përbëjnë vetëm 33% të fuqisë punëtore kërkimore dhe vetëm 26% të profesorëve të rregullt, drejtorëve të departamenteve ose drejtorëve të qendrave kërkimore. Situata keqësohet edhe më shumë në fakultetet shkencore (të ashtuquajturat STEM – Shkencë, Teknologji, Inxhinieri, Matematikë); nëse në shkencat humane gratë zënë më shumë se 30% të pozicioneve më të larta në karrierën akademike, kjo shifër bie në 22% për shkencat e natyrës dhe 17.9% për inxhinierinë dhe teknologjinë. Edhe Italia duket se është ende prapa përsa i përket barazisë gjinore në botën e kërkimit, duke u renditur e treta nga fundi në Evropë. Vetëm 17% të grave italiane zënë rolet më të larta në kërkime.

Të dhëna nga The Lancet

Këto janë disa nga të dhënat që dalin nga një studim i publikuar në revistën prestigjioze The Lancet Regional Health - Europe, nënshkruar nga Stefania Boccia, profesoreshë e Higjienës së Përgjithshme dhe të Aplikuar në Fakultetin e Mjekësisë dhe Kirurgjisë të Universitetit Katolik, Kampusi i Romës dhe zv.drejtoreshë Eksperte shkencore e Fondacionit Poliklinik Universitar Gemelli IRCCS, nga Sara Farina, mjeke në formimin specialistik, në Seksionin e Higjienës të Fakultetit të Mjekësisë dhe Kirurgjisë dhe nga Raffaella Iafrate, profesoreshë e Psikologjisë Sociale në Fakultetin e Psikologjisë të Universitetit Katolik, kampusi i Milanos, dhe prorektore, e deleguar e Rektorit për Mundësi të Barabarta.

Muret dhe pengesat

Pengesat që hasin gratë në botën e kërkimit janë të ndryshme, duke nisur nga paragjykimi i rëndë që vazhdon kundër grave të cilat ia kushtojnë jetën shkencës; megjithatë, ka edhe vështirësi që lidhen me mungesën e njohjes së punës së grave, siç dëshmohet nga hendeku i vazhdueshëm i pagave ndërmjet burrave dhe grave, veçanërisht në kontekstin privat. Në këtë kontekst janë të pranishëm vetëm 29.8% emra femrash, si autore të artikujve shkencorë. E ashtu ndodh edhe në arritjen dhe ruajtjen e qëllimeve ambicioze, si mbajtja e roleve drejtuese. Së fundi, pengesa më e vështirë për t'u kapërcyer mbetet amësia, që i ngarkon gratë me dy barrë të rënda njëherësh: me punën e rëndë të studiuesit dhe me përgjegjësitë familjare, siç ndodh edhe në profesionet e tjera, veçanërisht pas amësisë. Atëhere gruaja ndodhet para dilemës: Nënë apo Shkencëtare?

Humbja e talentit

“Kjo çon në humbjen e talentit në akademi, por edhe në humbjen e perspektivës femërore, që mund të shtojë ide të vlefshme, risi dhe kreativitet në ekipet kërkimore.

Prej këndej, me synimin për të krijuar një mjedis akademik të drejtë dhe gjithëpërfshirës, ​​programi i Bashkimit Evropian Horizon Europe ka hartuar një plan për barazinë gjinore, në të cilin kjo barazi përfaqëson shtyllën themelore në botën e kërkimit. Në përputhje me këtë nismë, shumë universitete evropiane janë gjithashtu në një linjë me krijimin e planeve universitare. “Në veçanti – nënvizon profesoresha dhe prorektorja Iafrate – në Universitetin Katolik ka nisur një proces racionalizimi dhe optimizimi i veprimeve në fushën e Shanseve të Barabarta, përmes krijimit të një Task Force të të gjithë akademikëve, administrativë dhe studentë, me kapacitete të ndryshme, të cilët përfshihen në temën e Shanseve të Barabarta. Tashmë janë aktivë Ekipi i GEP dhe Njësia GEP, tabela 7 e Planit Strategjik të Universitetit kushtuar OP-ve si dhe Komiteti për Mundësi të Barabarta (KSHB).

Projektet

Plani i Barazisë Gjinore (PBGJ) është një dokument, i cili synon zbatimin e veprimeve dhe projekteve që favorizojnë reduktimin e asimetrisë gjinore në 5 fushat e ndërhyrjes: 1) Pajtimi punë-familje; 2) Barazia gjinore në pozitat drejtuese dhe vendimmarrëse; 3) Barazia gjinore në rekrutim dhe përparim në karrierë; 4) Integrimi i përmasës gjinore në temat kërkimore dhe mësimore dhe 5) Parandalimi i diskriminimit gjinor. Tabela 7 e Planit Strategjik të Universitetit parashikon një sërë veprimesh që synojnë njohjen e dinjitetit të barabartë të personit në aspektin gjinor, barazi brezash, barazi në kushtet e aftësive të ndryshme, mbështetje për familjen dhe detyrën e prindit, përhapje e  kulturës së barazisë, njohjen e dallimeve. Komiteti i Shanseve të Barabarta, përveç bashkëpunimit në projektet e Planit Strategjik dhe GEP, organizon ngjarje kulturore, mbikëqyr hartimin e udhëzimeve për mbrojtjen e të drejtës për arsim dhe për mbështetjen e prindërve, nxit kontaktet ndëruniversitare dhe me shoqatat që merren me PO dhe marrin pjesë në ngjarje dhe realitete kombëtare dhe ndërkombëtare të cilat promovojnë ndërgjegjësimin dhe formimin mbi këtë temë.

Kujtojmë se….

Ky shkrim, me leksik kryesisht shkencor, mund të mos kuptohet nga të gjithë lexuesit tanë, por do të kuptohet shumë mirë nga studentët – e sidomos “shkencëtaret e ardhshme shqiptare, që tashmë dallohen ndërmjet studentëve të huaj, në univeritetet e huaja! E që e lexojnë “The Lancet”.

Dy fjalë për Lancet

The Lancet është një revistë shkencore mjekësore angleze, që botohet çdo javë nga Lancet Publishing Group, Elsevier. Ajo u themelua më 1823 nga Thomas Wakley. Drejtori aktual është Richard Horton.

Emri i saj lidhet me emrin e instrumentit kryesor kirurgjik “bisturisë” (nga anglishtja lancet, në shqip, bisturi). Kuptimi është gjithashtu metaforik, sugjerues i analizave shkencore në mjekësi.

Përveç The Lancet, ka disa botime të tjera të specializuara të revistës: The Lancet Neurology (neurologji), The Lancet Oncology (onkologji) dhe The Lancet Infectious Diseases (sëmundje infektive).

Lancet konsiderohet ndër pesë revistat më të mira ndërkombëtare mjekësore, së bashku me New England Journal of Medicine, Journal of the American Medical Association, British Medical Journal dhe Canadian Medical Association Journal.

03 nëntor 2023, 17:53