Kërko

25 novembre: Gratë në Sheshin e Plebishitit, në Napoli 25 novembre: Gratë në Sheshin e Plebishitit, në Napoli  (ANSA)

Dhuna kundër grave, Papa: bar helmues, që duhet zhdukur

Në mbarë botën vriten çdo vit rreth 45 mijë gra, 5 në çdo orë. Në Itali, në vitin 2023, u vranë 106 gra, një në çdo tri ditë

R. SH. - Vatikan

 “Dhuna kundër grave është bar helmues, që e prek shoqërinë tonë, ndaj duhet shkulur nga rrënjët”. Kështu e përkujtoi Papa Françesku në faqen e tij të internetit @Pontifex, Ditën ndërkombëtare për zhdukjen e dhunës kundër grave, e cila përkujtohet sot. “Këto rrënjë - shkruan Papa – që rriten në tokën e paragjykimeve dhe të padrejtësive, duhen kundërshtuar me një veprimtari edukative, që e vë në qendër njeriun, me dinjitetin e tij”.

Protesta dhe demonstrata në të gjithë Italinë

Sipas të dhënave të UN Women, një në 3 gra në botë pëson dhunë seksuale ose fizike të paktën një herë në jetë, ndërsa 86% e grave jetojnë në vende ku nuk ka mbrojtje ligjore kundër dhunës. Sipas të dhënave të Istat, në Itali janë pothuajse 7 milionë gra, nga 16 deri në 70 vjeç, që kanë pësuar një nga format e dhunës fizike ose seksuale në jetën e tyre; në vitin 2022, më shumë se 20 mijë janë drejtuar në një qendër kundër dhunës dhe mbi 30 mijë kanë telefonuar në numrin 1522, numri i kundërdhunës dhe përndjekjes. Megjithatë, qeveritë ende investojnë shumë pak në parandalimin dhe në shërimin e kësaj plage. Padia vjen nga Kombet e Bashkuara të cilat, me rastin e ditës së sotme, nisën fushatën “Bashkohuni!”: gjashtëmbëdhjetë ditë nismash për të kërkuar më shumë burime ndihme. Sot pati demonstrata në të gjithë Italinë, për t'i thënë mjaft dhunës kundër grave. Në Romë procesioni kombëtar, që nisi në orën 14:30 nga Circo Massimo, do të përfundojë në Piazza San Giovanni.

Mesazhe nga Kardinajtë Farrell dhe Zuppi

Me rastin e kësaj dite, prefekti i Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën, Kardinali Kevin Farrell, nënvizoi rëndësinë e rolit të Kishës në luftimin dhe parandalimin e fenomenit: “Kisha – kujtoi – e ka për detyrën të jetë pranë grave viktima të dhunës dhe të shfrytëzimit. Kjo afërsi mund të realizohet në shumë mënyra, duke nisur nga sigurimi i strehimit të sigurt për viktimat e dhunës, tek mbështetja psikologjike dhe shpirtërore për t’i ndihmuar vetë viktimat ta kapërcejnë traumën dhe ta denocojnë shpërdorimin. Afërsi tregoi edhe Kardinali Matteo Zuppi, Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, i cili në një mesazh përmes kanaleve sociale, nënvizoi se dashuria dhe dhuna nuk mund të shkojnë bashkë. Dashuria është dhuratë dhe kurrë pushtim i tjetrit. "Të jesh i indinjuar nuk mjafton – shkroi Kardinali - ne duhet të reagojmë ndaj tragjedive si ajo e Giulia Cecchettin, e vrarë ditët e fundit nga ish i dashuri i saj, si dhe e shumë grave të tjera, jeta e të cilave mbaroi brutalisht. Nuk mund të qëndrojmë indiferentë dhe, mbi të gjitha, nuk mund të mësohemi me krime të tilla. E ardhmja e shoqërisë sonë, jeta jonë me një rrjet marrëdhëniesh është në rrezik. Por jo më pak, edhe e tashmja”.

T’i ndihmojmë ato, që pësojnë dhunë

Kujtojmë se ka edhe shumë shoqata, që përpiqen t’i mbështesin gratë, viktima të dhunës. Situata delikate, kur shpesh gratë turpërohen e nuk arrijnë dot ta shprehin nëpërkëmbjen që pësojnë nga burri, bashkëshorti, i dashuri, shoqëruesi e, në rastin më të dhimbshëm, deri nga fëmijët. Ashtu si Shoqata “TraLeDonne” e frymëzuar nga të krishterët, e cila që nga viti 2020 punon aktivisht në Romë, e jo vetëm, për t’i ndihmuar të gjitha ato, që ndihen në rrezik e që kërkojnë ndihmë, por dhe për të rifituar atë dinjitet, që shumë herë humbet nga dhuna fizike dhe psikologjike. “Një ditë të vitit 2019 - thotë themeluesja dhe presidentja Elisabetta Giordano - ndërsa po luteshim me disa miq, më jehuan në shpirt fjalët e para të FalemiMërisë në një mënyrë krejt të re: bekuar qofsh ndërmjet grave. Ishte një zbulim absolut: Maria u vendos nga dashuria e Zotit në një mënyrë të veçantë mes nesh, grave. Atë ditë e ndjeva thellë në shpirt sa i vlerëson Zoti gratë, sa besim ka në to: në duart e tyre, në duart tona, në fitoren mbi të keqen ndër të gjitha format e saj. Më ranë përdhé të gjitha paragjykimet dhe kuptova se shoqata që dalëngadalë po lindte për mbrojtjen e grave, do të quhej: “Ndërmjet grave”.

25 nëntor 2023, 16:36