Kërko

Whoopi Goldberg: “Kam pritur me vite që ta falënderoj Papën Françesku për mesazhin e tij!”

Aktivistja dhe aktorja e mirënjohur e “Sister Act”, Whoopi Goldberg, diskuton mbi rëndësinë e luftimit të betejës së mirë, në ç’do lloj mënyre të mundshme, ndërsa përpiqemi t'i përgjigjemi thirrjes së Papës Françesku për shpresë, dashuri dhe gjithëpërfshirje, që të shërohet kjo bota jonë e shkatërruar

R.SH. - Vatikan

A ka Vatikani bletë?”

“Jo, Vatikani nuk ka bletë.”

“Vatikani duhet të ketë bletë…”

Whoopi Goldberg, aktorja e njohur e “Sister Act”, aktiviste dhe… bletërritëse, thekson se “të kesh bletë tërheq vëmendjen për faktin se bletët po zhduken në të gjithë planetin…”

"Ndoshta," sugjeron ajo, "duhet t'i dërgoj Papës disa bletë."

Whoopi i shqipton këto fjalë ndërsa kundron një fotografi me bletërritës – pjesë e një ekspozite, për të cilën janë kujdesur Lia dhe Marianna Beltrami e që ajo e vizitoi pasi u prit nga Papa të enjten.

E titulluar “Ndryshime” (Changes), ekspozita dëshmon për ndryshimet dramatike të shkaktuara nga ndryshimet klimatike në tokë, kafshë dhe njerëz, duke vënë në dukje se prej tyre preken më shumë të varfrit dhe pakicat.

Dëgjo intervistën me Whoopi Goldberg. në anglisht...

Pothuajse njëmbëdhjetë vjet për një "faleminderit"

Në bisedë me Radio Vatikanin / Vatican News, Whoopi Goldberg pohon se ka pritur gati njëmbëdhjetë vjet për të takuar Papën. Të enjten, më 12 tetor, më në fund, ia arriti të shqiptojë fjalët, që ka dashur t’i thotë prej kohësh. Thjesht, një "faleminderit".

Drama e treguar nga fotografitë e ekspozitës në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë është një nga ato, që Papa Françesku e ka shumë për zemër: "mungesa e dashurisë dhe nevoja për të", rëndësia e luftës për gjithëpërfshirje dhe për ruajtjen e planetit.

Duke theksuar se i pëlqen shumë mesazhi i Papës Françesku, Whoopi nënvizon se të gjithë liderët duhet t’i japin botës një mesazh si i tiji: "Ai thotë se duhet t'i duam të gjithë" dhe duhet të kujtojmë se falja nuk varet nga ne, por nga Zoti, dhe se çdo gjë tjetër, shton ajo, "sinqerisht, nuk është puna jote".

Whoopi Goldberg dhe fotografia me bletërritësit
Whoopi Goldberg dhe fotografia me bletërritësit

Kohë për ndryshime

Është e vërtetë, shton ajo, duke kujtuar rininë e saj, se Papa Gjoni XXIII i nxiti disa ndryshimeve të rëndësishme në Kishë, por ylli i Hollivudit, që e njohin të gjithë për rolet e saj në "Sister Act" dhe "Ghost" – sa për të përmendur vetëm dy filma të suksesshëm – mezi ç’priti të shprehte vlerësimin e saj për mesazhin e gjithëpërfshirjes së Papës Françesku.

“Ai është i pari që e ka thënë këtë. Që ka pohuar: 'mos u thoni njerëzve se Zoti nuk i do. Mos u thoni të mos vijnë në Kishë’”. Duke folur për të divorcuarit e homoseksualët, ajo nënvizon: “Mund të mos jeni dakord, por e dimë se Zoti nuk bën gabime”.

Sipas saj, Papa Françesku jep mesazhin e duhur për të shëruar botën, duke theksuar se “jo të gjithë mund të jenë lajmëtarë dhe jo të gjithë janë të prirur për të luftuar”. Megjithatë, shton Whoopi, “të gjithë mund të flasim dhe kjo, nganjëherë, mund të jetë arma më e mirë për të luftuar padrejtësitë”.

Whoopi Goldber në ekspozitën Changes
Whoopi Goldber në ekspozitën Changes

Probleme për të cilat duhet folur

Duke reflektuar mbi fotografitë e ekspozitës “Changes”, Whoopi Goldberg vë në dukje se mesazhi i Papës Françesku është i ngjashëm me atë të paraqitur në pamjet fotografike.

"Është mesazh për të gjithë," pohon ajo. "Fotografitë na tregojnë se kemi një problem dhe ai është individual në një vend të veçantë, por kur i bashkojmë të gjitha problemet, e gjithë bota përfshihet në to. Duket sikur është pjesë-pjesë, por në të vërtetë, është pjesë e një tabloje shumë më të madhe.”

Një nga fotografitë tregon Marinë, grua braziliane e fotografuar një ditë pasi u zhduk një grup fëmijësh, të rrëmbyer, ndoshta, nga trafikantë organesh.

"Ajo po lufton në 50 nivele të ndryshme" dhe, me çdo mënyrë të mundshme, secili prej nesh "duhet të luftojë me të", vuri në dukje aktorja amerikane. Këtë bën fotografia, e cila u thotë të tjerëve se “ne e kemi parë gjendjen e kësaj gruaje dhe po ia tregojmë të gjithëve”. Prandaj, kërkoi ajo, “bëni fotografi, dërgojini kudo, vendosini kudo…...ndoshta njerëzit nuk e dinë ç’po ndodh. Flisni, flisni, flisni, flisni, flisni…”

Whoopi Goldberg dhe fotografia e Marisë nga Brazili
Whoopi Goldberg dhe fotografia e Marisë nga Brazili

Lajmi vjen në forma të ndryshme

Duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me rolin e saj si murgeshë në filmat e famshëm "Sister Act", Whoopi pranon ndikimin, që ka pasur në shtimin e thirrjeve për jetën rregulltare: "Kam takuar murgesha në mbarë botën, që akoma këndojnë këngët e filmit”.

Një nga murgeshat me ndikim në jetën e Whoopi Goldberg ka qenë motër Jean Fielder, mësuesja dhe mikja më i mirë e saj, tashmë në amshim, që ua njihte njerëzve vështirësitë e jetës së përditshme dhe i ndihmonte vazhdimisht.

"Pikërisht atë përpiqem ta pasqyroj në Sister Act", shpjegon aktorja. "Mendova se kisha thirrje," vazhdon ajo, por "ishte më shumë një pëshpëritje e jo thirrje, megjithëse është ende diku brenda meje!"

Me murgeshat, që e intervistuan
Me murgeshat, që e intervistuan

Ti, e ti, e ti

Së fundi, duke reflektuar mbi faktin se secili prej nesh është i ndryshëm dhe ka të drejtë t'i ndiejë gjërat ndryshe, Whoopi mendon se përfshirja dhe jo përjashtimi, që nxit urrejtjen, është rruga drejt shërimit të shpirtit.

“Të thuash ‘jo, ti jo’… kjo e nxit urrejtjen në botë; përgjigjja e vërtetë është 'Po ata! Dhe ti, e ti, edhe ti…”

13 tetor 2023, 18:12