Kërko

Sulmi kundër Izraelit: “nis racionimi i ujit dhe i ushqimit”

Sulmi kundër Izraelit: Atë Romanelli (Gaza): “Nisi racionimi i ujit dhe i ushqimit. Shqetësimi për fëmijët me aftësi të kufizuara, nën kujdesin e motrave të Nënë Terezës”.

R.SH. / Vatikan

“Situata po degjeneron, bombardimet vazhdojnë natë e ditë, numri i viktimave në Rripin e Gazës rritet orë pas ore. Ndjehet fort mungesa e ujit, e ushqimit dhe e karburantit, ndaj kemi nisur ta racionojmë përdorimin e tyre”. At Gabriel Romanelli, famullitar i Familjes së Shenjtë, famullia e vetme katolike në Gazë, bën kështu për agjencinë e lajmeve SIR, një pasqyrë të situatës në Rrip. Rregulltari, me origjinë argjentinase, që ndodhet në Betlehem, ku ka mbetur i ngujuar dhe i dëshpëruar, pohon: “Nuk shoh asnjë rrugëdalje për t’u kthyer në famullitë e mia, për ku do të nisesha menjëherë”.

Janë vetë besimtarët e famullisë ata, që informojnë për zhvillimet në famulli dhe në Rripin tashmë të rrethuar. Izraeli ka ndërprerë furnizimet me ujë, ushqim, gaz, energji elektrike dhe karburant:

“Kemi ende pak ujë në famulli, por nuk është i pijshëm- vijon meshtari - Famullia mbushet gjithnjë e më shumë me njerëz të zhvendosur çdo ditë, njerëz që kanë lënë pas shtëpitë e shndërruara në gërmadha e që kanë shumë frikë nga një fund i mundshëm edhe më tragjik: nga vdekja, e cila endet për ditë lirisht në këto vise të bekuara! Në shkollën tonë të Familjes  Shenjte - vijon atë Romanelli - ne mirëpresim çdo ditë familje të reja, që kërkojnë strehë, veçanërisht për natën. Aktualisht kemi mbi 150 refugjatë të krishterë në famulli, 30 të tjerë, në qendrën tonë Shën Tomës. Lajmi i telefonatës së Papës Françesku na bëri të vemë buzën në gaz e të vijojmë të shpresojmë.

 Duke pasur parasysh rrethanat, në të cilat jetohet në zonat e konfliktit,  duhet të tmerroheshim vetëm nga e ardhmja e afërt. Po ka një dorë që zgjatet nga qielli, drejt dorës sonë! E dinë se nuk jemi vetëm! Se lutja jonë  për paqe dhe pajtim përpara Sakramentit të Bekuar, arrin te froni i Zotit!

Shumë janë duke agjëruar. Brenda kompleksit të famullisë kishtare ka një shtëpi për djem dhe vajza me aftësi të kufizuara serioze, për jetimë ose të braktisur. Të tjerët janë lënë në kujdesin e murgeshave të Nënë Terezës. Familjet e tyre nuk janë më në gjendje të kujdesen për ta”.

11 tetor 2023, 15:52