Kërko

 I Santi, vetrate I Santi, vetrate

Shenjtorët e javës 29 tetor – 5 nëntor

E diel më 29 tetor, Kisha katolike kremton të dielën e 30-të gjatë vitit kishtare, ciklit të parë 'A', e gjithnjë më 29 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Feliçianin, martir i Kartagjenës. Dashuria për Zotin e për njeriun janë të pandashme, na kujton Jeusi në Ungjillin e kësaj së diele nga Mateu

R.SH. / Vatikan

E diel më 29 tetor, Kisha katolike kremton të dielën e 30-të gjatë vitit kishtare, ciklit të parë 'A', e gjithnjë më 29 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Feliçianin, martir i Kartagjenës.

Pjesa e Ungjillit të kësaj së diele nga Mateu, na kujton posaçërisht përgjigjen që i jep Jezusi një dijetari të Ligjit, i cili e pyet: “Mësues, ç’duhet të bëj, për të fituar jetën e pasosur?”. “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë fuqinë tënde, me gjithë mendjen tënde! E të afërmin, si vetveten!”, përgjigjet Biri i Zotit. “Po kush është i afërmi im?”, vijon të pyesë dijetari i Ligjit. E atëherë Jezusi i përgjigjet me shembëlltyrën e Samaritanit të mirë. Për të treguar, kështu, se na takon ne të bëhemi të afërmit e çdo njeriu, që ka nevojë për ndihmë.

Të hënën më 30 tetor, kalendari përkujton shën Gjermanin, ipeshkëv i Kapuas. Liturgjia e ditës na kujton se vërtetë i lum është vetëm ai njeri që ecën në udhën dhe dritën e Zotit.

Të martën më 31 tetor, kalendari përkujton shën Alfonsin Rodriguez, jezuit. La trashëgim shkrimet, në të cilat shpreh besimin e tij të thellë e pa kushte në Hyjin. Shkruan Shenjti: “Ah, o Zot, po të dija e po të mundja, do të të shërbeja si të shërbejnë të gjitha krijesat e qiellit e të tokës të marra së bashku” dhe “Dashuria më e madhe është t’i bindesh Zotit”.

Të mërkurën më 1 nëntor, Kisha katolike romake do të kremtojë të festën e Të Gjithë Shenjtorëve. Kjo festë na kujton brohorinë e Psalmistit: “Lum ata që e kanë zemrën e pastër, sepse do të shohin Zotin!”. E Zotin e shikojnë vetëm nxënësit, që ia besojnë krejt vetveten Hyjit. Nuk do të mbeten kurrë të zhgënjyer, sepse atyre u përket mbretëria qiellore.

Të enjten më 2 nëntor bie Përkujtimi i besimtarëve të vdekur – apo siç njihet tek shqiptarët “Dita e të shuemve”. Liturgjia e ditës na kujton se njeriu asgjë nuk do të humbasë në historinë, që e ka jetuar duke ecur pas Krishtit: të gjithë jemi të Tijtë e Ai do të na dhurojë jetën e pasosur. Prandaj Jezusi mori natyrën njerëzore: për ta pastruar atë nga mëkatet e për t’i dhuruar amshimin.

Të premten më 3 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Martinin nga Porres e shën Silvinë, nënë e shën Gregorit të madh. 

Të shtunën më 4 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Karl Borromeun, kryeipeshkëv i Milanos e kardinal si dhe shenjtorët Vitali e Agrikola, martirë bolonjezë. 

Të dielën e ardhshme më 5 nëntor, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 31-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 5 tetor, kalendari përkujton shenjtorët Domninin, Teotinin me shokët martirë.

29 tetor 2023, 08:35