Kërko

 I Santi, vetrate I Santi, vetrate

Shenjtorët e javës 15 – 21 tetor

Kisha katolike kremton të dielën e 28-të gjatë vitit kishtar. Në Ungjillin e Mateut (22,1-14) Jezusi e paraqet shëlbimin si një banket martesor. Në gostinë e shpëtimit janë të thirrur të gjithë njerëzit. Por jo të gjithë e pranojnë. Para refuzimit të të ftuarve të parë, të privilegjuarve, propozimi u ofrohet të tjerëve. Mirëpo ekziston një kusht për të marr pjesë në festën e dasmës: duhet të kemi veshjen e ceremonisë së martesës, do të thotë të rrimë larg nga mëkati.

R.SH. - Vatikan

E Diel 15 tetor, Kisha katolike kremton të dielën e 28-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 15 tetor kalendari përkujton  Shën Terezën e Jezusit, mistikën e madhe spanjolle.

Në Ungjillin e kësaj së diele nga Mateu (22,1-14) Jezusi e paraqet shëlbimin si një banket martesor. Në gostinë e shpëtimit janë të thirrur të gjithë njerëzit. Por jo të gjithë e pranojnë. Para refuzimit të të ftuarve të parë, të privilegjuarve, propozimi u ofrohet të tjerëve. Mirëpo ekziston një kusht për të marr pjesë në festën e dasmës: duhet të kemi veshjen e ceremonisë së martesës, do të thotë të rrimë larg nga mëkati. Shëmbëlltyra e Ungjillit, në njërën anë, trajton temën e gjyqit të mbramë të Zotit, dhe në anën tjetër, temën e shpresës për të marrë pjesë në sofrën qiellore si të ftuar të Hyjit, çka kërkon prej nesh të jemi të përgatitur për t’iu përgjigjur kurdoherë thirrjes së Zotit. 

Të hënën më 16 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Margaritën Maria Alakokë, virgjër. 

Po këtë të dite, sipas traditës,  Kisha dioqezane e Shkodrës kremtoi sot festën e pajtores qiellore të qytetit, do të thotë kremton festën e Zojës së Shkodrës. Kryedioqeza e qytetit ka nisur prej ditësh, përgatitjen shpirtërore për ketë ditë të shënuar për besimtarët katolikë shkodranë, që është pikërisht nderimi i Nënës Hyjnore Zojës së Këshillit të Mirë, pajtores qiellore të Shkodrës e mbarë Shqipërisë.

Të martën më 17 tetor, kalendari kishtar përkujton festën e Shën Injacit të Antiokisë, ipeshkëv e martir dhe e Shën Pjetër Kasanit, meshtar skollop. 

Të mërkurën më 18 tetor, kalendari përkujton shën Lukën ungjilltar, mjek e pajtor i artistëve. Duke folur për Ungjillin e vet, në fillim të Veprave të Apostujve, shën Luka Shkruan: ”Në librin e parë, o Teofil, fola për gjithçka Jezusi bëri dhe mësoi qysh prej fillimit e deri kur u ngrit në qiell…” (Vep 1, 1). Emri Teofil është një emër i përveçëm, që i përkthyer shqip, do të thotë ‘i dashur nga Hyji’. Ungjilli i Lukës është shkruar për të gjithë njerëzit, sepse të gjithë janë të dashur nga Hyji, prandaj mënyra më e mirë për ta nderuar këtë shenjt, është pranimi i ungjillit që ai na ka shkruar, pranimi i Krishtit.

Të enjten më 19 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Palin të Kryqit, pasionist, shën Gjonin e  Brëbëfit e  shën Isakut Joges.

Të premten më 20 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Irenën e Portugalisë, shën Adelinën, shën Maria Bertila Boskardinin dhe shën Vitalin.  

Të shtunën më 21 tetor, kalendari kishtar përkujton shën Kornelin, shën Orsolinës, shën Çeçilen e shën Gasprin nga Bufalo. Për shën Kornelin, në Veprat e Apostujve, lexohet: “Në Çezare ishte një njeri me emrin Kornel, kapiten i togës së quajtur “Italike”, njeri i përshpirtshëm, që besonte në Hyjin, si ai, ashtu edhe familja e tij. I ndante popullit shumë lëmoshë dhe vazhdimisht i lutej Hyjit”. Shpirti Shenjt dërgon Pjetrin tek ky njeri, që jetonte me drojën e Zotit. Pas predikimit të Pjetrit, për habinë e të krishterëve, Shpirti Shenjt zbriti mbi të gjithë të pranishmit në atë shtëpi. Ky fakt e bëri Pjetrin të thoshte: “Vallë, a mund ta ndalojë kush ujin, të mos pagëzohen këta që e morën Shpirtin Shenjt sikurse edhe ne?”

Të dielën e ardhshme më 22 tetor, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 29-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 22 tetor, kalendari liturgjik përkujton edhe Papën shën Gjon Palin II, shën Donatin nga Fiezole, e shën Dun Skotin.

15 tetor 2023, 09:31