Kërko

Wanda Półtawska  me kapelanin e atëhershëm të fakultetit të mjekësisë në Krakovi: don Karol Wojtyla Wanda Półtawska me kapelanin e atëhershëm të fakultetit të mjekësisë në Krakovi: don Karol Wojtyla

Ndërroi jetë Wanda Poltawska, mike me Papën Wojtyla

Grua fisnike, me karakter të fortë, pa doreza e fjalëpakë, kushdo të ishte bashkëbiseduesi. Mbi të gjitha, grua e lirë. Me një histori personale, që e bën sot pothuajse "ikonë" të historisë së trazuar të shekullit XX, për Poloninë e saj dhe për vetë Evropën. Kalvar, që lajmet e ditëve të fundit e konfirmojnë si tragjikisht aktual

R.SH. – Vatikan

"Karol Wojtyła ishte - dhe mbetet - për mua baba, vëlla dhe mik, mbledhur në mënyrë të jashtëzakonshme së bashku në të njëjtin person, por sidomos, ai ishte - dhe mbetet - hir i Shpirtit Shenjt, puhi shprese të krishterë në errësirën e botës”. Me këto fjalë e përkufizonte Papën Gjon Pali II, mikja e tij më e mirë, e mirënjohura Wanda Półtawska, e cila ndërroi jetë dje, 24 tetor, në orën 23.30, ende në orbitën shpirtërore të përkujtimit liturgjik të shenjtit polak, kremtuar të dielën.

Wanda Półtawska – Wojtasik, emri i vajzërisë - do të kishte mbushur 102 vjeç më 2 nëntor. Një vit më e re se Wojtyła, u lind në Lublin, në vitin 1921, në një datë, që për një lloj "loje" rastësish (të cilat nuk janë rastësi) përkoi me ditën e "meshës së parë" të don Karolit në kriptën e Shën Leonardit në Wawel të Krakovisë, më 1946.

Shërimi me ndërmjetësimin e At Piut nga Pietrelçina

Në vitin 1962, Wojtyla, atëherë ipeshkëv, iu drejtua me një letër At Piut nga Pietrelçina, duke i kërkuar të lutej për profesoreshën psikiatre, nënë e katër vajzave, e sëmurë nga një tumor malinj. Një muaj më vonë, me një letër të dytë, Papa i ardhshëm e informoi At Piun, edhe ai shenjt i ardhshëm, për shërimin e pashpjegueshëm të mikes së tij. Pikërisht ky rast u mor parasysh në procesin e lumnimit të Shën Piut të Pietrelçinës.

Wanda Poltawska
Wanda Poltawska

Eksperimentet në kampin nazist të përqendrimit në Ravensbruck

Në rininë e vet, Wanda u impenjua në rrethet rinore katolike, me skautët e në sport. Studioi në kolegjin e murgeshave orsoline. I përveshi mëngët - një gjest energjik tipik i saj, si të ishte "sinjal për betejë" – dhe mori pjesë në rezistencën polake kundër pushtimit nazist të Polonisë, më 1 shtator 1939. Poltawska u arrestua dhe u burgos në kampin nazist të përqendrimit në Ravensbruck, ku iu nënshtrua eksperimenteve pseudo-mjekësore, gjatë të cilave grave u thyheshin këmbë e duar për të provuar efikasitetin e ilaçeve, që do të përdoreshin më pas për ushtarët në front. Pasi mbijetoi, Wanda u diplomua në mjekësi e në psikiatri, por studoi edhe filozofinë. Me fe të gjallë, e shndërroi tmerrin e përjetuar në punë me të sëmurët e me të gjymtuarit. U përfshi edhe në veprimtaritë për të mbështetur çiftet dhe familjet e reja në periudhën e pasluftës. Ajo ndikoi në teologjinë e jetës, zhvilluar nga Karol Wojtyla, me të cilin e ruajti gjithmonë miqësinë. E saja është “baritoria familjare”, që zë fill nga koha e sëmundjes dhe nga centraliteti i njeriut.

Miqësi shpirtërore, që zgjati mbi gjysmë shekulli

Për don Karol Wojtyła-n, takimi me të cilin ia ndryshoi krejtësisht jetën, thoshte: "Menjëherë e kuptova se ishte meshtar shenjt dhe i kërkova të bëhej rrëfyesi im". Miqësi shpirtërore, që zgjati mbi gjysmë shekulli, ushqyer nga takimet, letrat, lutjet, vijuar edhe kur Wojtyła u zgjodh Papë, më 16 tetor 1978, "sepse miqësia – siç thoshte Wanda – ose është, ose s’është e kur ekziston, mbetet përgjithmonë”. Miqësi, që e mbajti pranë tij deri ditën e vdekjes, më 2 prill 2005, duke i lexuar tekste shpirtërore dhe letërsi polake, pasionet e mikut të saj, që po shuhej.

Nga eseja “Dashuria dhe Përgjegjësia” deri te tekstet e Wojtyła-s, para dhe pas zgjedhjes si Papë, Wanda mishëroi, edhe si profesoreshë universiteti, gjithë atë “teologji të trupit”, që pohon qartë se “transmetimi i jetës duhet të jetë projekt i Zotit" për t’u zbuluar. E, jo më kot, që nga viti 1983, ajo u emërua anëtare e Këshillit Papnor për Familjen, ndërsa që nga viti 1994, anëtare e Akademisë Papnore për Jetën. Ka qenë edhe këshilltare e Këshillit Papnor për Baritorinë e punonjësve shëndetësorë. Në vitin 2016, u nderua me çmimin më të lartë polak "Shqiponja e Bardhë".

25 tetor 2023, 13:04