Kërko

Gaza Gaza

Gaza: disa sqarime mbi konfliktin izraelito-palestinez

Rripi i Gazës është territor palestinez me popullsi të dendur, në të cilin qytetarët përballen me kushte të vështira jetese. Ata vuajnë edhe pasojat e sulmeve të përsëritura kundër bazave të militantëve dhe të terroristëve, si edhe nga bllokimet, që pengojnë shumë palestinezë të dalin nga territori për të shkuar në punë. Sulmet e fundit ajrore izraelite kanë shkaktuar shkatërrime të mëdha dhe një krizë humanitare katastrofike

R.SH. – Vatikan

Rripi i Gazës është një territor prej vetëm 365 kilometrash katrorë, që shtrihet përgjatë bregut lindor të Detit Mesdhe, në verilindje të Gadishullit Sinai. Kufizohet me Egjiptin në jug. Kushtet e jetesës në Gazë kanë qenë prej kohësh shqetësuese, për disa arsye. Dendësia e lartë e popullsisë, e cila shtohet me një nga ritmet më të shpejta në botë, infrastruktura e papërshtatshme për ujin, kanalizimet dhe energjinë elektrike, shkalla e lartë e papunësisë dhe sanksionet izraelite të vendosura që nga shtatori 2007, kanë kontribuar jashtë mase në keqësimin e jetesës.

Një histori e shkurtër e Gazës

E banuar që nga shekulli XV para Krishtit, në Gazë kanë sunduar popuj dhe perandori të ndryshme gjatë historisë. Rreth fillimit të shekullit XVI, ajo u bë pjesë e Perandorisë Osmane.

Pas Luftës I Botërore, territori u pushtua nga forcat britanike dhe u bë pjesë e Mandatit Britanik të Palestinës. Pas Luftës arabo-izraelite të vitit 1948, qe Egjipti, që administroi Rripin e sapoformuar të Gazës. Më pas, ai territor u pushtua nga Izraeli gjatë Luftës së gjashtë Ditëve, në vitin 1967. Nga viti 1994 deri më 1999, Izraeli e transferoi përgjegjësinë për sigurinë e civilve në pjesën më të madhe të Rripit të Gazës dhe të Bregut Perëndimor në duart e Autoritetit Palestinez.

Në fund të vitit 2005, Izraeli tërhoqi të gjithë kolonët dhe ushtarët, si edhe çmontoi objektet e tij ushtarake në Rripin e Gazës, por ruajti kontrollin mbi detin, hapësirën ajrore dhe hyrjen në atë territor. Në fillim të vitit 2006, Hamasi, Lëvizja e Rezistencës Islamike, fitoi zgjedhjet për Këshillin Legjislativ Palestinez dhe mori në dorë kontrollin e qeverisë së Autoritetit Palestinez. Që atëherë nuk ka pasur më zgjedhje në Palestinë. Në vitet 2007-2008 dhe në vitin 2012, ndodhën ndeshje të shkurta të dhunshme ndërmjet Izraelit dhe militantëve palestinezë në Rripin e Gazës, por me ndërhyrjen e Egjiptit, u arrit armëpushimi.

Bllokada dhe tunele

Në periudha politike të qëndrueshme, gati një e dhjeta e popullsisë palestineze udhëton çdo ditë për të punuar në Izrael, megjithëse nuk lejohet të qëndrojë atje gjatë natës. Por tensionet e përsëritura politike dhe dhuna e herëpashershme i shtyjnë shpesh autoritetet izraelite të mbyllin kufirin për periudha të gjata, duke lënë shumë palestinezë të papunë.

Për të anashkaluar bllokadën e sanksionet, Hamasi ndërtoi tunele të nëndheshme për kontrabandën e mallrave e për t’i përdorur si qendra komande. Sipas Izraelit, këto tunele përdoren nga militantët islamikë edhe për kontrabandën e armëve dhe për të lëvizur fshehurazi, gjë që ka çuar në sulme të shpeshta ajrore izraelite kundër tyre.

Konflikti i tetorit 2023

Historia aktuale e rajonit është plot konflikte dhe kriza të përsëritura. Sulmet ajrore të Izraelit në Gazë, në përgjigje të sulmeve të Hamasit, në tetor 2023, kanë shkaktuar dëme të mëdha në ndërtesa dhe infrastrukturë. Raportet e Unosat-it vënë në dukje se vetëm në Gazën Veriore janë shkatërruar ose dëmtuar më se 5000 struktura, 15% e të gjitha ndërtesave në rajon.

Bilanci i së hënës, 23 tetor, tregon për së paku 4.137 viktima në Rripin e Gazës, që kur Izraeli filloi të bombardojë enklavën palestineze. 13.162 njerëz të tjerë janë plagosur pas sulmeve izraelite, të cilat vijojnë që nga aksioni terrorist i Hamasit kundër Izraelit, më 7 tetor.

Kushtet e jetesës

Gjatë viteve, konfliktet e kanë lënë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Gazës pa strehimin e duhur, duke i detyruar familjet të jetojnë në ndërtesa të mbipopulluara, me cilësi të ulët dhe të pasigurta. Këshilli Norvegjez i Refugjatëve vlerëson se mbi 120.000 njerëz në Gazë banojnë në shtëpi pa dritare, pa çati të sigurta e pa dyer. Sipas palestinezëve, sulmet e fundit ajrore izraelite kanë shkatërruar afërsisht një mijë shtëpi, duke iu shtuar 2200 shtëpive, që ende nuk janë rindërtuar nga konfliktet e mëparshme, duke filluar nga viti 2014.

72.000 shtëpi të tjera, megjithëse të pa shkatërruara, nuk kanë marrë asnjë ndihmë financiare për riparime. Sipas Global Shelter Cluster, në Gazë nevojiten 120.000 njësi banimi të reja.

Lëvizja brenda dhe jashtë Gazës

Një nga çështjet më urgjente për t’u zgjidhur në Gazë është kufizimi i lëvizjes për njerëzit dhe mallrat. Izraeli zbaton kontrolle të rrepta mbi lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave brenda dhe jashtë Gazës, në të cilën është e ndaluar të hyhet nga ajro dhe nga deti. Pikat kufitare nga mund të kalohet janë tri: Rafah, Erez dhe Kerem Shalom. Vendkalimi i Rafahut është nën kontrollin e autoriteteve egjiptiane dhe lejon lëvizjen e udhëtarëve të autorizuar, rastet mjekësore palestineze dhe ndihmën humanitare. Vendkalimi i Erezit kontrollohet nga autoritetet izraelite dhe lejon lëvizjen e punonjësve të ndihmës së shpejtë dhe të një numri të kufizuar udhëtarësh të autorizuar, duke përfshirë rastet mjekësore dhe humanitare palestineze. Vendkalimi i Kerem Shalomit, i kontrolluar po nga autoritetet izraelite, lejon vetëm lëvizjen e mallrave të autorizuara.

Për t'u larguar nga rajoni, individët duhet të regjistrohen paraprakisht me autoritetet palestineze dhe të kërkojnë leje në Egjipt, i cili merret me kontrollin e sigurisë. Kalimi i Erezit është mbyllur për një kohë të pacaktuar, ndërsa ai i Rafahut, i kontrolluar nga Egjipti, është mbyllur përkohësisht, për shkak të sulmeve ajrore izraelite, duke penguar kështu, ndihmat humanitare në Gazë. Izraeli ka lejuar kalimin e një numri të kufizuar kamionësh me ndihma të ndryshme, por jo me karburant.

Thirrja për të evakuuar, pa një vend për të shkuar

Javën e kaluar, ushtria izraelite u kërkoi rreth 1 milion njerëzve të evakuojnë drejt pjesës jugore të territorit të rrethuar, përpara mundësisë së pushtimit tokësor, përgjigje për sulmin e Hamasit. OKB-ja paralajmëroi se ky evakuim i pothuajse gjysmës së Gazës do të ishte katastrofik, ndërkohë që banorët deklarojnë se nuk kanë ku të shkojnë.

23 tetor 2023, 17:46