Kërko

SaN Giovanni Paolo II SaN Giovanni Paolo II

Më 22 tetor kalendari kishtar kujton Shën Gjon Palin II

Ndër Papët më të dashur të historisë, Karol Wojtila ka qenë, mund të themi në një mënyrë të veçantë, “Papa i familjes” dhe “Papa i të rinjve”, për të cilët krijoi Ditën e tyre Botërore të Rinisë. Pastaj nuk mund të harrojmë devocionin e madh të Shën Gjon Palit II për Mëshirën Hyjnore. Papa i parё qё vizitoi Shqipërinë

R.SH. - Vatikan

Sot më 22 tetor Kisha Katolike kremton festën liturgjike të Shën Gjon Palit II, që me gjeste dhe fjalë i mësoi botës mëshirën dhe shpresën e vërtetë. Jo data e vdekjes (2 prill) dhe as ajo e lindjes (18 maj). Për festën liturgjike të Shën Gjon Palit II, Kisha ka zgjedhur 22 tetorin, ditën në të cilën, në vitin 1978, Papa Wojtila filloi zyrtarisht shërbesën e tij Pjetrine, pra, si Papë pas zgjedhjes së tij në Konklavë më 16 tetor 1978. Papnia e tij zgjati 26 vjet, 5 muaj e 17 ditë dhe ishte papnia e treti më e gjatë në historinë e Kishës.

Shën Gjon Pali II i priu një Kishe jo të mbyllur në vetvete, por të hapur dhe të aftë për të përballuar me guxim sfidat e kohës: që nga ‘Mos kini frikë!”, shqiptuar në ditët e para të papnisë, deri tek ‘Duc in altum’ – ‘Dil në det të hapur!”, në vitet e fundit, Papa Wojtila na dhuroi pasionin e kumtimit të Krishtit pa frikë, për një botë të pafundme e të trazuar, por gjithnjë të dashur nga Zoti, edhe në mijëvjeçarin e tretë.

Krejt jeta e tij ka qenë dëshmi e të vërtetave, në të cilat besonte. Na mësoi se nuk mjafton ta mbushim gojën me emrin e Zotit, nuk mjafton të flasim për Të; duhet ta takojmë, të jetojmë një përvojë të thellë, gjallëruese në këtë takim. E në qendër të kësaj udhe shenjtërimi personal është gjithnjë lutja, natyrisht. Një fe e jetuar, koherente, e guximshme, kurrë e mbyllur në vetvete, prandaj, e aftë të krijojë vazhdimisht shpresë, shpresë të re. Ta mbajmë të gjallë këtë trashëgimi.

I lartuar në nderimet e elterit nga Papa Françesku, më 27 prill 2014 , së bashku me shën Gjonin XXIII, Karol Wojtila është ndër figurat më të dashura të historisë së vonë të Kishës. Dashuri, që s’njeh kufi edhe shumë vite pas vdekjes. 

Po sot në 22 tetor, në festën e shenjtit Wojtila, nuk mund të harrohen fjalët e tij të famshme: “Mos kini frikë”. Në një farë mënyre, kjo thirrje projektohet drejt së ardhmes, megjithëse t’u thuash njerëzve të mos kenë frikë për ta kumtuar Krishtin është diçka jo aq e lehtë për kohët e sotme.

Ky është funksioni profetik i Kishës e ky është edhe guximi i jashtëzakonshëm që tregoi Gjon Pali II gjatë gjithë papnisë së tij. Kundërshtarët ia ndjenë mirë forcën, por edhe populli i Zotit: ai vendosi Krishtin në qendër të Magjisterit të vet, të fjalëve të tij, të mesazhit që i la Kishës. Prandaj, fjalët “mos kini frikë” vërtet, sot frymëzojnë shumë e shumë njerëz që të marrin udhë dhe vendime kundër rrymës, vendime profetike.

Lutje Shën Gjon Palit II

O Shën Gjon Pal, nga dritarja e qiellit, na e jep një bekim! Bekoje Kishën, që ti e deshe, i shërbeve e i prive, duke e nxjerrë guximshëm nëpër rrugët e botës, për ta çuar Jezusin tek të gjithë, e të gjithë, tek Jezusi. Bekoi të rinjtë, që qenë pasioni yt! Priju në udhët e ëndrrave të bukura, drejt lartësish, për të gjetur dritën, që ndriçon shtigjet e jetës tokësore.

Bekoi familjet! Bekoje çdo familje! Ti e paralajmërove sulmin e shejtanit kundër kësaj shkëndije të çmuar e të domosdoshme të Qiellit, që Zoti vetë e ndezi mbi dhe. O Shën Gjon Pal, me lutjen tënde, mbroje familjen e çdo jetë, që çel gonxhen në djepin e saj.

Lutu për botën mbarë, që vijon të tronditet nga tensionet, luftërat, padrejtësitë. Ti e luftove luftën duke kërkuar dialog e duke mbjellë dashuri: lutu për ne, që të hedhim kudo farën e mirë të paqes.

O Shën Gjon Pal, nga dritarja e qiellit, ku të shikojmë pranë Marisë, premto të zbresin mbi ne, të gjitha bekimet e Zotit! Amen!

(Shkruar nga kardinali Angelo Comastri)

22 tetor 2023, 14:49