Kërko

 San Frumenzio Vescovo in Etiopia San Frumenzio Vescovo in Etiopia

Më 27 tetor kalendari kishtar përkujton Shën Frumencin

Shën Frumenci gjatё tёrё jetёs, deri në vdekje, rreth vitit 380, përhapi kudo fjalën e Ungjillit. Model tepër modern Shenjti i lashtë, në një kohë kur bota vijon përhumbjen dhe ka aq nevojë për "njerëz paqësorë", "rrezatues të dritës".

R.SH. - Vatikan

Më 27 tetor kalendari përkujton Shën Frumencin, ungjillëzuesin e parë të Etiopisë. Emri i shenjtit, Frumenci, na kujton një fakt historik të shekujve të Mesjetës, me interes të veçantë: lajmin që sollën në Evropë kryqtarët, në sa ktheheshin nga Toka Shenjte. Në Jerusalem kishin takuar disa shtegtarë zezakë, të ardhur nga një vend i largët afrikan me një qytetërim të panjohur, por që dalloheshin menjëherë se ishin të krishterë.

Ishte një fakt i jashtëzakonshëm, sepse qëkur zonat e krishtera ishin zhdukur nga trojet afrikane, pas pushtimeve të arabëve myslimanë në shekullin VII, Afrika nuk i përkiste më gjeografisë së krishterimit. Kuptohet, prandaj, sa u mrekulluan kryqtarët, kur morën vesh se në viset e egra të Afrikës së panjohur, jetonin njerëz tepër të zinj e me pamje të çuditshme, që mbanin lart flamurin e Krishtit përtej kufijve të pushtimeve myslimane.

Këta njerëz ishin etiopë, vinin nga Etiopia, ku kristianizmi kishte arritur që në shekullin IV, njëherësh me një djalosh të quajtur Frumenci, i cili shtegtonte me qëllim studimi, së bashku me një shok tjetër, Edesin, si shoqërues i një filozofi. Anija me të cilën shtegtonin u ndalua në Abdulis, në Detin e Kuq, ku u sulmua nga etiopët, të cilët e masakruan gjithë ekuipazhin, duke përfshirë edhe filozofin. Ndërsa dy të rinjtë, që kishin zbritur në tokë, i kapën e ia dhuruan mbretit të tyre. Ishin të dy të rinj të shkathët e të zgjuar, prandaj edhe i pëlqyen shumë sovranit, që e zgjodhi Frumencin si sekretar, ndërsa Edesin, si kopist. Si vdiq mbreti, të rinjtë u zgjodhën këshilltarë të pasardhësit, ende të mitur. Mbreti i ri, Ezana e pranoi i pari mesazhin ungjillor dhe i lejoi këshilltarët e vet të ndërtonin kisha për tregtarët e krishterë që ndaloheshin ndër këto brigje.

E në se shtegton në rrafshnaltat që rrethojnë Axumin, do të vëresh menjëherë kudo kapela të vogla kushtuar Shën Frumencit. Etiopia, e cila në botën e lashtë njihej si India e përtejme, e nderon jashtëzakonisht shenjtin, të cilin e quan Abba Salama, që do të thotë "Atë Paqësori" ose "mbartësi i dritës". E kjo dritë që morën nga djaloshi ndriçon edhe sot mendjen dhe zemrën e banorëve të këtyre viseve të largëta, mbi të cilat më se një herë u dynd stuhia e persekutimit.

Shën Frumenci vijoi këtu misionin e tij ipeshkёvnor deri në vdekje, rreth vitit 380, duke përhapur kudo fjalën e Ungjillit. Model tepër modern Shenjti i lashtë, në një kohë kur bota vijon përhumbjen dhe ka aq nevojë për "njerëz paqësorë", "rrezatues të dritës".

27 tetor 2023, 09:01